Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, do të zhvillojë një konferencë për media ditën e sotme, teksa dy ngjarje të rëndë që sollën 8 viktima ndodhën në harkun kohor të një dite në vend.
Ministria e Brendshme njofton se konferenca do të nisë në orën 11:00 në sallën brenda ministrisë, ndërkohë që vjen një ditë pas takimit të ministrit Çuçi dhe drejtuesve të tjerë të policisë me kryeministrin Edi Rama në Vlorë.
Ishte vetë kryeministri ai që paralajmëroi dje një ristrukturim, teksa tha se ishte parashikuar për në fund të verës, por për shkak të ngjarjeve të fundit do të përshpejtohen. Nuk dihet konkretisht se cilat institucione do të prekë kjo reformë, por pritet që Policia e Shtetit të jetë një prej tyre.
Mëngjesin e së premtes një familje u shua në një aksident në aksin Levan-Vlorë. Prindërit dhe dy vajzat e mitura humbën jetën pasi makina e tyre u përplas nga një “Audi”.
Mesnatën pas së shtunës 4 persona u vranë në Velipojë pas sherrit për hapësirat në Plazh, 2 të tjerë mbetën të plagosur. Ndërkohë që ngjarjet e tjera kriminale nuk kanë munguar intensive gjatë këtyre ditëve, opinioni publik ka kërkuar reagime nga shteti dhe madje qytetarët kanë zhvilluar dhe një protestë ndërgjegjësimi për aksidentet. Gjithashtu policia dhe qeveria është vendosur nën shënjestrën e opozitës.