Shënim i ShkodraWeb
Pas dy vitesh Prokuroria i’a ka dalë të vendosë sekuestro preventive për 25 mijë m2 terren në Razëm, ndërsa dyshohet se janë rreth 53 mijë m2 që janë tjetërsuar duke përdorur dokumente false. Nga marsi 2016 deri në prill 2018, kaq kohë i është dashur Prokurorisë të punojë por edhe të bindë gjykatën për sekueston preventive. Ndërsa flitet për rreth 14 ish- zyrtarë që rrezikojnë të kenë edhe pranga në duar, organi i akuzës tregohet mjaft i rezervuar në emra.
Në fakt, prej shumë e shumë vitesh është folur për zaptim e më pas tjetërsim të pronave në zonën e preferuar turistike të Razmës. Aty kanë vilat e tyre personazhe VIP, deputetë, ish- deputetë, kryetarë e ish- kryetarë administrativë e politikë. Sidomos në 10 vitet e fundit ndërtimet e vilave, hoteleve e bujtinave morën një zhvillim të paparë. Është e qartë se shumë shpejt do të këtë edhe emra, ndoshta edhe të arrestuar duke nisur nga “peshqit e vegjël”, të cilët mbase do të tërheqin pas vetes edhe të medhenjtë.
“Forca e ligjit” pritej të godiste në vijë bregdetare, pikërisht Velipojën pas Razmës. Plazhi me i preferuar i shkodranëve por jo vetëm, ka njohur një zhvillim të madh sidomos me kthimin në efektivitet pas ndërtimit të rrugës së zonës së Rrjollit. Në Velipojë problemet e tjetërsimit të pronave kanë qënë jo rradhë edhe publike përmes denoncimit në media. Si në Razëm, edhe në Velipojë flitet për persona VIP, deputetë, ish- deputetë, kryetarë e ish- kryetarë administrativë e politikë. Madje në Velipojë gjurmët është edhe më e lehtë të zbulohen.
Natyrshëm, pas Razmës duhet të kalojë në sitë Velipoja. Por këtu është pak më e vështirë, sidomos në kuadër të vettingut. Njerëz të pushtetshëm janë përfolur si pronarë të ligjshëm apo të fshehtë të hoteleve, komplekseve por edhe restoranteve luksoze. Realisht Velipoja mund të jetë edhe një gur prove për Prokurorinë fillimisht e gjykatën me pas. Por a do të hyjë “Forca e ligjit” edhe në Velipojë? Shumë ish- të rëndësishëm nëpër tavolina baresh thonë se aty nuk futesh dot, sepse duhen b#thë, madje të mëdha…