Trajneri i Vllaznisë, Qatip Osmani, është i ndërgjegjshëm që skuadra e tij nuk ka bërë një lojë të shkëlqyer, por ka marrë pikët që i nevojiteshin për të dalë nga situata ku gjendej në renditje.
“Një fitore shumë e vlefshme për ne duke marrë parasysh situatën që kemi. Si lojë mendoj se nuk e nisëm mirë, por megjithatë u kthyem e shënuam golin e barazimit dhe atë të avantazhit dhe mendoj se pastaj ishte më e lehtë. Dua të theksoj se Vllaznia luajti mirë në fazën mbrojtëse. Kur duhej të luanim shpejt, krijuam disa raste me sulme të shpejta, ndaj jam i kënaqur edhe me lojën, edhe me përkushtimin e lojtarëve.
Mendoj se ende ka vend për përmirësim dhe sigurisht do të punojmë në atë drejtim. Mendoj se duhet të punojmë në lojën sulmuese që na krijon raste, na detyron të shënojmë sa më shumë gola. Në këtë drejtim duhet të punohet.
Ne në ndeshjen e fundit ndaj Egnatias, por edhe me Partizanin, bëmë një ndeshje shumë të hapur, me tendenca sulmuese. Sot ndryshuam pak, ndoshta nuk ishte lojë e bukur dhe e mirë. Vendosëm që ekipi të vendosej në bllokun e mesëm. E përsëris që ndoshta nuk ishte lojë e bukur, por nga rezultati e mendon që ishte e arsyeshme.
Patjetër duhet të reagojmë në merkato, thjesht për të rritur konkurrencën në ekip. Ne jemi të përqendruar edhe në këto dy ndeshje që t’i kalojmë. A ka lojtarë për t’u larguar? Përafërsisht po. Është ndoshta pak problemi i merkatos, se është periudha kur lojtarët cilësorë rrallëherë gjenden të lirë. Por megjithatë ne patjetër duhet të reagojmë”, tha Osmani për “MCN” pas ndeshjes.