Brenda pak ditësh, maksimumi deri në ditët e para të pranverës, do të ndodhë bashkimi i parë në PD. Bëhet fjalë për Gazment Bardhi dhe deputetët që e mbështesin atë, të cilët do të rreshtohen edhe zyrtarisht tek Rithemelimi. ShkodraWeb ka mësuar se tashmë negociatat janë në zhvillim e sipër dhe konsensusi nuk duket larg.
Skema e këtij bashkimi të parë, thonë burimet që u referohet ShkodraWeb, parashikon edhe ndryshim në mënyrën e drejtimit të PD- së së Rithemelimit. Drejtimi nga selia blu, do të bëhet kolegjial dhe jo nga një person i vetëm siç është deri më tani nga Sali Berisha, në cilësinë e kryetarit të PD- së së Rithemelimit. Pjesë e këtij grupi, do të jenë përfaqësues të grupit të Bardhit dhe të grupit të Berishës. Së bashku, do të jenë në rolin e një regjence të përkohshme, për të arritur unifikimin nga qendra në bazë. Kjo, justifikuar edhe me kushtet aktuale të Berishës, i cili siç dihet është në “arrest shtëpie” nga 30 dhjetor 2023.
Sipas të njëjtave burime që kanë folur për ShkodraWeb, pritet që skema të vazhdojë edhe më tej. Në cilësinë e përfaqësuesit të PD- së Basha- Alibeaj në gjykimin për çeshtjen e vulës, logos dhe selisë, Gazment Bardhi pritet të heqë dorë nga paditë në gjykata, duke sjellë pezullimin e çeshtjes. Automatikisht, Berisha dhe PD- ja e Rithemelimit, do ti merrnin ato, bazuar në vendimin e gjyqtarit Zhukri.
Ndërsa nuk ka asnjë sinjal që PD- ja e Bashës do të bëhet tani për tani pjesë e këtij bashkimi apo tjetri, nuk është e qartë nëse ka hapësirë juridike që pas tërheqjes së mundshme të Bardhit nga çeshtja e vulës, a mund të zëvendësohet padia me një emër tjetër nga grupi Basha- Alibeaj. Por e sigurtë është se grupi i Bardhit do ti atashohet atij të Berishës, bazuar në kushtet e mësipërme.