Partia opozitare më e madhe në vend rrezikon të mos regjistrohet për zgjedhjet vendore të 14 majit. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) nuk ka pranuar ankimimet e grupeve të Alibeajt dhe Berishës nën argumentin se s’kanë kompetencë për të gjykuar vendimet e ndërmjetme. Ndërkohë që edhe KAS nuk e njeh Sali Berishën si kryetar të Partisë Demokratike.
“KAS-i konstaton se subjekti ankues nuk legjitimohet në ankimimin kundër vendimit të Komisionerit nr.158, datë 11.03.2023, dhe se KAS-it i mungon kompetenca për të vendosur si instancë fillestare “regjistrimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë të përfaqësuar nga kryetari Sali Berisha, si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”, sikurse kërkohet nga ankuesi”, thuhet në vendimin për mospranimin e kërkesës ankimore.
Lufta brenda PD do të rikthehet sërish në dorë të kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi i cili do të marrë vendimin përfundimtar për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Në mbledhjen e zhvilluar më 9 mars, KQZ vendosi të mos pranojë asnjë kërkesë të 2 grupimeve. Kërkesa e Rithemelimit nuk u pranua për shkak se Basha njihet ligjërisht si kryetar partie dhe jo Berisha. Ndërsa kërkesën e Alibeajt për regjistrimin e PD-së në zgjedhje, Ilirjan Celibashi u shpreh se nuk e pranonte për shkak se mungonte një dokument shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me Kodin Zgjedhor dhe që duhej firmosur me patjetër nga kryetari i partisë, që ligjërisht është Lulzim Basha. Për dorëzimin e dokumentit të firmosur, KQZ i la afat PD-së vetëm 48 orë kohë por Alibeaj u shpreh se Basha ka dhënë dorëheqjen ndaj dokumenti i dorëzuar është i plotë.
Ndërkohë Berisha kërkon zhbërjen e vendimit të Celibashit, i cili vendosi që ish-kryeministri të mos regjistrohet në zgjedhje me siglën e Partisë Demokratike. Sipas tij, KQZ nuk mund të refuzojë regjistrimin e PD përfaqësuar nga Sali Berisha vetëm bazuar mbi mungesën e shkresës së regjistrit të partive politike, pasi sipas tij në regjistrin e partive politike vijon të mbeten të dhëna të pasakta dhe të vjetëruara.