T’a gëzojë edhe opozita qeverinë e re! Qeveria e re nuk duket jo e zakonshme. Pak a shumë profile që priteshin. Problemi nuk është këtu. Opozita që në vend të bënte fushatë elektorale dhe të shpaloste alternativa të tjera, çfarë priste??? Në vend të bënte opozitë ajo në fushatë bënte pakte “mossulmimi” dhe shpresonte e drithërohej për një qeveri me bazë të gjerë, hiç më pak shpresonte dhe ëndërronte nën dritën e hënës për një qeveri kompromisi ps-pd. Ja rezultati i saj. As opozitë, as qeveri e gjerë koalicioni. Me gisht në gojë! Le të zgjohet nga ëndrrat tani se i bën mirë!
Le të qartësohen ideologët dhe politikanët që e kërkonin këtë formulë, pa e kuptuar se politikisht jo vetëm ishte e pamundur, por edhe e dëmshme për ne qytetarët. Mbase jo për burokratët opozitarë. Le të zgjohet edhe elektorati demokrat që i besoi lidershipit demokrat se po shkohej drejt një qeverie koalicioni si ajo e zonjës Merkel.T’a gëzojnë edhe ata. Mirëmëngjes miq! U zgjuat??? Kur do pimë ndonjë kafe?
Ta gëzojnë edhe ata mijëra militantë që u përkundën dhe u ngopën me lugë të zbrazët se në një qeveri koalicioni do të rizinin ndonjë vend pune në administratë. Nuk pranonin të zgjoheshin kur iu thoshe : Ore jeni në gjumë, pickojuni bre, ose keni pirë shumë birra! Le të zgjohen edhe ata që duke qenë të dytët në lista deputetësh të opozitës shpresonin se të parët do të hynin në qeveri, Rama do t’i largonte si deputetë, dhe të dytët do të hynin në Kuvend. Qesharake, por e besueshme prej disa disave. Eh çfarë të bëjnë ëndrrat!!
Le të zgjohen dhe të vendosin këmbët në tokë edhe ata që deri sot në mëngjes akoma nuk e kishin ndërgjegjësuar se partia demokratike kishte humbur gjithçka në këtë fushatë dhe për ta nuk mund të kishte vend në qeveri. Le ta gëzojë pra edhe partia demokratike këtë qeveri! Nuk është fare as më e mirë dhe as më e keqe se e para, është pikërisht ajo ku ajo caktoi ministra teknikë që tundën derën se tjetër ata të shkretët nuk kishin se çfarë bënin.
E keqe apo e mirë kjo qeveri, ajo gjithsesi është një milion herë më e mirë sesa një qeveri me bazë të gjerë sikurse ka kërkuar opozita këto muaj në mënyrë absurde, dembele, dhe fallco. Kujtonte se u bë deti kos dhe duhej vetëm luga për të ngrënë, për të marrë poste pa u lodhur, por në tavolinë. Çfarë iluzioni!!! Ajo lloj qeverie do t’a linte qytetarin me kokë zbuluar. Ohu ku Merkeli e ku ne gjyhnaqarët që nuk kemi brekë të veshim!!
Ta gëzojë opozita dhe para sesa të shohë trarët te syri i tjetrit të shohi edhe qimet te vetja. Se po fle akoma. Në vend të merret me emrat, të kishte shpalosur idetë e saj alternative për strukturën ministrore! Nëse do të kishte sigurisht!