Caktohen drejtuesit politik të Partisë Demokratike në Shkodër dhe Fier. Burime nga selia e PD, bënë të ditur se Helidon Bushati do të jetë drejtues politik i Partisë Demokratike në Shkodër për fushatën zgjedhore të 25 prillit.
Ndërkaq në Fier është vendosur që të jetë përfaqësues politik, Enkelejd Alibeaj. Alibeaj do të prezantohet gjatë ditës së nesërme.
Përfaqësuesit politik do të jenë dhe udhëheqësit e listave për deputet në zgjedhjet e 25 prillit. Prezantimi i Helidon Bushatit do të bëhet pasditen e sotme nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.
Pritet që ditët në vijim, PD të caktojë drejtuesit politikë edhe për 10 qarqet e tjera të vendit. Drejtuesit politikë do të udhëheqin fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.
Helidon Bushati është ish-deputet i PD. Në zgjedhjet e 2017, ai pranoi të largohej nga lista e Shkodrës, në një vend të sigurtë, për t’i hapur rrugën përfaqësimit të Vaut të Dejës. Ky gjest u vlerësua shumë në atë kohë.
Më pas, Bushati u zgjodh anëtar i Autoritetit të Konkurrencës, detyrë që e ushtron deri më sot.