Raportimet se njerëzit kishin parë UFO në vitin 1960 ka të ngjarë të jenë shkaktuar nga testet e avionëve të avancuar të spiunazhit amerikan dhe teknologjisë hapësinore, sipas raportit të fundit të Pentagonit, shkruan BBC të premten.
Zyrtarët kanë njoftuar se nuk ka “asnjë provë” se qeveria amerikane ka ndërvepruar me alienët. Shumica e pamjeve që ishin dukur si UFO ishin objekte të zakonshme nga Toka, sipas një raporti të dorëzuar në Kongresin amerikan.
Zëdhënësi i Pentagonit ka thënë se nuk gjetën prova që “jashtëtokësorët kishin vizituar Tokën”.
“Të gjitha përpjekjet hetimore, në të gjitha nivelet e klasifikimit, kanë arritur në përfundimin se shumica e pamjeve janë objekte dhe fenomene të zakonshme dhe rezultat i identifikimit të gabuar”, ka thënë gjeneralmajor Pat Ryder.
U theksua se raporti nuk do të ndikojë në ata që besojnë se jashtëtokësorët kanë zbritur në Tokë.
“Shfaqja e programeve televizive, librave, filmave dhe sasia e madhe e përmbajtjes në internet dhe rrjete sociale e përqendruar në tema të lidhura me UFO-t ka ndikuar me shumë mundësi në diskursin publik mbi këtë temë dhe ka përforcuar besime të tilla në disa segmente të popullsisë”, thuhet në raport.