Mospërfshirja e Ballit Kombëtar në koalicionin opozitar të kryesuar nga PD, ka qenë lëvizje e papritur për kreun e kësaj partie, Adriatik Alimadhin. Në një prononcim për Descript.al, Alimadhi thotë se Balli Kombëtar po e pret ende PD-në, për një koalicion të mundshëm para zgjedhjeve, ndërsa ka hedhur akuza të forta ndaj saj për përçarje të ballistëve.
Alimadhi shprehet se Basha bëri koalicion me Ballin Kombëtar Demokrat, me qëllim përçarjen e ballistëve, duke menduar se ai do të marrë votat e tyre.
Kryetari i Ballit Kombëtar thotë se nuk do të ketë bashkëpunim me Ballin Kombëtar Demokrat, pasi ata janë pjesë e interesit edhe përçarjes.
Nëse nuk do të ketë një marrëveshje para zgjedhjeve me PD, Alimadhi thotë se pas zgjedhjeve Balli Kombëtar do të shikojë mundësi të tjera bashkëpunimi.
“Kjo lëvizje ka qenë e papritur edhe për ne, për Ballin Kombëtar. Është një histori e gjatë e bashkëpunimit midis dy subjekteve tona. Nga ana jonë janë dhënë të gjitha kontributet e bashkëpunimit në mënyrë të sinqertë.
Ky rast tregon që Partia Demokratike bëri zgjedhjen për ta mbajtur të ndarë Ballin Kombëtar. PD e krijoi vetë Ballin Demokrat, vetë e ka mbështetur, e ka krijuar për ta mbajtur si kundërpeshë për votat që ka Balli Kombëtar në rang Kombëtar. Nuk kam pasur asnjë negociatë me zotin Basha, kemi pritur. Po përgatitemi si të gjithë partitë e tjera për të marrë pjesë në zgjedhje. Unë kam bashkëpunuar në mënyrë të sinqertë me PD, pavarësisht lëvizjes politike që unë bëra për të siguruar një ecuri të Ballit Kombëtar. Unë i jam lutur zotit Basha për të vendosur personalitet të tjera.
Basha e tërhoqi Ballin Kombëtar Demokrat, si një diversitet kundër Ballit Kombëtar, si një përçarje kundër ballistëve pasi mendon se do të marrë votat e tyre. Ne nuk jemi regjistruar me asnjë subjekt tjetër edhe pse kam pasur kërkesa. Ballit Kombëtar po mban një qëndrim, duke pritur PD, për të mos mbajtur një peshë që mund të jetë e rëndë nesër.
Nuk do të ndodhë asnjë bashkëpunim pas zgjedhjeve nëse PD nuk bashkëpunon më parë me Ballin Kombëtar. Pas zgjedhjeve ne do të shohim aleanca të tjera pas zgjedhjeve. PD në thelb është një parti e egër dhe nuk i pranon ata që kanë një kontribut real në këtë vend. Çfarë mund të them për atë që nuk të do dhe del e të përçanë. Nuk do të ketë bashkëpunim me Ballin Kombëtar Demokrat, pasi ata janë pjesë e interesit edhe përçarjes.
Haram qumështi i nënës për ata ballistë që do të votojnë për subjekte të tjera politike në këto zgjedhje.”, tha Alimadhi për Descript.al.