Gazetari i kronikës, Artan Hoxha thotë se Agron Neza që përmendet në dosjen e drejtësisë amerikane ku akuzohet ish-zyrtari i FBI Charles McGonigal, ka shërbyer si person që informonte FBI-në.
I ftuar në emisionin Opinion, Artan Hoxha u shpreh se Agron Neza është personazh i njohur në Shqipëri i cili ka qenë burim informacioni për FBI-në amerikane për çështje të ndryshme që ndodhnin në Shqipëri.
Artan Hoxha: Unë e kam njohur nga viti 2016 e prapa. Vinte shpesh në Shqipëri, kishte kontakte me njerëzit të rëndësishëm,
Pyetje: Është e vërtetë që ai prezantonte veten si një person që punonte në FBI?
Artan Hoxha: Vitin e parë apo dy vitet e para vërtetë dhe unë kam menduar, sepse prezantimi ky ishte. Ky është një punonjës që ka punuar me FBI. Në fakt ai ka shërbyer si burim informacioni në disa çështje.
Pyetje: Për FBI?
Artan Hoxha: Për FBI.
Pyetje: Ç’domethënë burim informacioni?
Artan Hoxha: Ka dhënë informacion në lidhje me çështjet që i interesonin FBI-së, çështjet e rëndësishme. Edhe në këtë rast një nga episodet është pikërisht, ai ka çuar informacion në FBI.
Pyetje: Ka çuar informacion për çështjen konkrete?
Artan Hoxha: Për çështjen Muzin, informacioni ka shkuar në këtë formë, nëpërmjet atij ka shkuar. Çështja pastaj në SHBA është nisur nëpërmjet kësaj rruge. Mënyra se si ai e ka marrë informacionin në Shqipëri, kjo është pjesa që ha diskutim. Por ai është një personazh i cili nuk është i panjohur në Shqipëri, përkundrazi, ka qenë i interesuar për disa çështje shumë specifike.