Prej vitesh, të paktën nga 1990- a e këtej kur shqiptarët mundën të komunikonin pa pengesa ideologjike dhe kufijsh në Ballkan, gjuha shqipe është një element i fortë idenfikues e ndërlidhës. Është e qartë se kufijtë e vendosur në vitin 1972, tashmë nuk mund të mbajnë të kufizuar gjuhën shqipe në atë që konsiderohet “standard” por që ka përjashtuar pjesën më të madhe të shqipfolësve në Ballkan e më gjërë.
Një grup nismëtarësh kanë zyrtarizuar kërkesën e tyre për ngritjen e një komisioni ndërshtetëror me ekspertë “Për një gjuhë shqipe të përbashkët”, kërkesë e cila asht sa e natyrshme, aq edhe e dobishme për kombin shqiptar e që shtrohet si imperativ i kohës për shkak të intensifikimit të marrëdhënieve shumëplanëshe në rajonin e Ballkanit. Ndërsa sot, ka nisur edhe nënshkrimi i paralajmëruar i një peticioni online.
E veçanta e kësaj nisme është dëshira për të përfshirë në këtë proces shumë të rëndësishëm institucionet shtetërore në vendet ballkanike ku jetojnë shqiptarët dhe që përdoret gjërësisht edhe gjuha shqipe. Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, kërkohet të përfshihen zyrtarisht në këtë nismë, duke i dhënë që në nisje jo vetëm idenë e gjithëpërfshirjes por edhe atë institucionale dhe shtetërore.
Me gjasë, nëse do të ketë përgjigje zyrtare për kerkesën nga shtetet e sipërpërmendura, nuk ka arsye që Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia të mos e përkrahin idenë e komisionit “Për një gjuhë shqipe të përbashkët”. Shqipëria, e ngulur fort në “standardin” ideologjik e përçarës të 1972- it, demonstruar edhe këto 32 vite, edhe para pak ditëve, mund të shfaqë pengesa në këtë nismë. I ashtëquajturi “standard” i para 50 viteve, ka lënë jashtë përfshirjes mbi 80% të shqipfolësve në Ballkan e më gjërë, duke i imponuar dialektin toskë të gjithë shqiptarëve.
PËR TË NËNSHKRUAR PETICIONIN, KLIKONI KËTË LINK
K Ë R K E S Ë
Drejtuar
PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
ZOTIT BAJRAM BEGAJ
KRYETARES SË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
ZONJËS LINDITA NIKOLLA
KRYEMINISTRIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
ZOTIT EDI RAMA
KRYETARIT TË AKADEMISË SË SHKENCAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
ZOTIT SKËNDER GJINUSHI
KRYETARIT TË AKADEMISË SË STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE
ZOTIT LUAN PËRZHITA
T I R A N Ë
PRESIDENTES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
ZONJËS VJOSA OSMANI
KRYETARIT TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
ZOTIT GLAUK KONJUFCA
KRYEMINISTRIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
ZOTIT ALBIN KURTI
KRYETARIT TË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE E ARTEVE TË KOSOVËS
ZOTIT MEHMET KRAJA
P R I SH T I N Ë
PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT
ZOTIT STEVO PENDAROVSKI
KRYETARIT TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT
ZOTIT TALAT XHAFERI
KRYEMINISTRIT TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT
ZOTIT DIMITAR KOVACHEVSKI
KRYETARIT TË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT
ZOTIT LJUPCO KOCAREV
SH K U P
KRYEMINISTRIT TË REPUBLIKËS SË MALIT TË ZI
ZOTIT DRITAN ABAZOVIÇ
P O D G O R I C Ë
Për dijeni,
AMBASADORES SË BASHKIMIT EVROPIAN
ZONJËS CHRISTIANE HOHMANN
AMBASADORES SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS
ZONJËS YURI KIM
AMBASADORIT TË REPUBLIKËS SË AUSTRISË
ZOTIT CHRISTIAN STEINER
T I R A N Ë
Fort të nderuem Zonja dhe Zotërinj,
Gjejmë rastin t’iu drejtohemi me këtë kërkesë për krijimin e një komisioni ndërshtetëror me ekspertë “Për një gjuhë shqipe të përbashkët”, kërkesë e cila asht sa e natyrshme, aq edhe e dobishme për kombin shqiptar e që shtrohet si imperativ i kohës për shkak të intensifikimit të marrëdhënieve shumëplanëshe në rajonin e Ballkanit.
Një nga elementët përbashkues të popujve tanë, që jetojnë në shtetet e sipërcituara asht gjuha shqipe, për shumë prej tyre asht gjuhë amtare e për të tjerë ndoshta thjesht gjuhë zyrtare e shtetit në të cilin kanë zgjedhur të qëndrojnë. Në secilin prej shteteve tona Shqipni, Kosovë, Maqedoni e Veriut apo Mali i Zi gjuha shqipe ka kaluar trandet e veta e sot, kur kufinjtë mes shteteve tona janë veçse virtualë konstatohet se gjuha jonë ka nevojë për ngritjen në një nivel tjetër rregullash që të jetë sa ma afër përdoruesve të saj, por dhe të përballojë kërkesat e kohës, e kësaj bote teknologjike, që ka sjellë me vete një leksik novator.
Duke parë nismat rajonale si Procesi i Berlinit apo Ballkani i Hapur, si inisiativat e përbashkëta herë vetëm mes Shqipnisë dhe Kosovës në fushën albanalogjike apo të tjera sërish bilaterale mes Shqipnisë dhe Maqedonisë së Veriut apo të tjera të brendshme të shtetit tonë, për të promovuar më tej gjuhën arbëreshe të ruajtur aq bukur e pastër nga Arbëreshët në Itali, lind nevoja që të ngrihet një Komision ndërshtetëror me ekspertë të fushës, si: gjuhëtarë, letrarë, mësues, gazetarë e intelektualë me njohuri në fushën albanalogjike për të hartuar rregullat e reja për një gjuhë shqipe të përbashkët.
Edhe nëse e trajtojmë çështjen në suazën e Shqipnisë, me Kushtetutën e re të vitit 1998 është vendosur ndër të tjera se: “Gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja.” Për më tepër që dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtëpërsërdrejti, përveçse kur parashikohet ndryshe në të. Kjo do të thotë se Kushtetuta e re e ka ngritur gjuhën zyrtare në një piedestal të ri duke mos bërë referencë në standardin e mëparshëm, por duke e konsideruar “shqipen” të plotë e pa kufizime si gjuhë zyrtare.
Me anë tjetër, po me preambulën e Kushtetutës asht marrë përsipër të përmbushet edhe aspirata shekullore e popullit shqiptar për identitet dhe bashkim kombëtar, e në të, ndër të tjera thuhet se: “Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit vendosim këtë kushtetutë…” Por edhe në planin praktik në Shqipni konstatohet se standardi i vjetit 1972 nuk iu përgjigjet më kërkesave të përdoruesve të gjuhës ndaj mësë shumti asht braktisë prej tyne.
E nga ana tjetër në Kosovë, Maqedoninë e Veriut e në Malin e Zi për shkak të shkëputjes së trojeve shqiptare prejt trungut të Shqipnisë e të përfshirjes së tyre në formacione të tjera shtetërore gjuha shqipe e përdorur nga popullsia shqipfolëse ka pësuar ndryshimet e veta, ndikuar edhe nga gjuhët zyrtare pararendëse në shtetet respektive.
Nëse e cekim në rrafshin filozofik këtë temë do të evokonim filozofin gjerman Heiddegger, i cili e vlerësonte lart gjuhën njerëzore dhe e quante atë “shtëpia e shpirtit”. Ky cilësim flet shumë sesa e rëndësishme asht gjuha për të shprehur kompleksitetin e njeriut dhe të gjendjeve të tij. Ndarja e gjuhës nga filozofia asht një rrezik i madh për gjuhën dhe shprehshmërinë në përgjithësi. Burimet e freskimit dhe të rinovimit të gjuhës si organizëm i gjallë janë dialektet, kryedialektet, tradita dhe e folmja e gjallë në një moment të caktuar historik. Për çudi Akademitë tona e kanë ngrirë mendimin e tyre gjuhësor, nuk masin asnjë nga progreset e gjuhës në kapërcyell epokash dhe në kthesa që shoqërohen me çlirime të mëdha energjish shpirtërore sikurse ka ndodhur në Ballkanin tonë pas viteve ’90.
Në kuadrin e nismave ndërshtetërore do të ishte e udhës të merrej edhe kjo nisëm për ngritjen e një komisioni ndërshtetëror me ekspertë të fushës për hartimin e rregullave të reja për një gjuhë shqipe të përbashkët, pasi do të ndihmonte të gjithë përdoruesit e gjuhës shqipe në të katër shtetet, por edhe më gjerë që të ushtrojnë një komunikim me shtetin dhe me të tretët me një gjuhë të përbashkët, e pa diskriminim në komunikim, për shkak të diferencave në gjuhë. Edhe nisma ma e fundit e dy Akademive të Shkencave të Shqipnisë dhe të Kosovës për të hartuar një fjalor të plotë të gjuhës shqipe do të ishte e mangët dhe do të mbetej pa veprim, nëse këtij fjalori nuk i bahet bashkërrugëtare, edhe një tërësi rregullash, që do t’i jepte jetë përdorimit të leksikut të pasur të gjuhës tonë.
Me besimin se kërkesa jonë do të merret parasysh, jemi të gatshëm të kontribuojmë në jetësimin dhe çuarjen përpara të projektit “Për një gjuhë shqipe të përbashkët”.
Instituti për Promovimin e Vlerave në Gjuhën Shqipe
Primo Shllaku, Tiranë / Migjen Kelmendi, Prishtinë
36 K Ë R K U E S I T (Do të pasohet nga një peticion online)
Tiranë, 3.12.2022