Ish-deputeti i Partisë Demokratike për qarkun e Shkodrës, Romeo Gurakuqi, është shprehur se ka dy mënyra për bashkimin e Partisë Demokratike, njëra sipas tij është afatshkurtër dhe tjetra afatgjatë.
Komentet Gurakuqi i bëri gjatë një interviste për Panorama TV, ku tha se zgjidhja afatshkurtër është që të dy palët të futen si një e vetme në zgjedhje dhe problematikat që kanë mes tyre t’i zgjidhin pas zgjedhjeve.
Ndërsa për zgjidhjen afatgjatë, Gurakuqi tha se të dy palët duhet të zgjedhin një kryetar të përkohshëm të paanshëm dhe të ndërtojnë një këshill që të veprojë pranë tij. Sipas Gurakuqit kryetari i ri dhe këshilli duhet të marrin vendimet për zgjedhjet e 14 majit dhe në vijimësi deri në zgjidhjen e ngërçit.
“Ne jemi përballur me veprime në prapaskenë. Madje jo legale. Problemi është sesi do të duhet të tejkalohet kjo situatë. Ka një zgjidhje afatshkurtër, që e fut PD-në si një të vetme në zgjedhje. E dyta është një zgjidhje afatgjatë, derisa të përgatisë kushtet për të rregulluar ato elemente që nuk funksionojnë.
Në vendet normale, partitë anëtare të qendrës së djathtë, e kanë zgjidhur me mënyrë logjike. Duhet të pikaset lideri i ri, i përkohshëm. Unë jam për një zgjidhje të urtë. Duke e kaluar legjitimitetin te një figurë që ka karakteristikat e tij për ta bërë këtë, që të drejtojë dhe të marrë vendime.
Kjo quhet zgjidhje me pikasje, ku kryetari i pikasur përmes një senati prej disa anëtarësh merr vendimet. Ai merr vendimet për të dyja palët. PD sot në Shkodër nuk ka përfaqësi. PD është e papërfaqësuar sot në Shkodër. Po bëhen 4 vite që një gjë e tillë ndodh. Nuk duhet të hyjë PD me një defiçencë të tillë në këto zgjedhje. Po nuk dhamë një zgjidhje mekanike të urtësh për këtë, nuk vazhdohet kështu.
Zoti Alibeaj, Berisha dhe Basha duhet të mendojnë për një lider që nuk ka lidhje me 2 grupimet, por që është pjesë e pakontestueshme në PD. Përmes nje grupi këshilltarësh ai duhet të marrë vendime. Nëse do të vazhdohet kështu do të bëhet një ping-pong për të gjetur të drejtën dhe e drejta nuk qëndron as në njërën anë e as në tjetrën.
Edhe para 9 shtatorit ka pasur mangësi. Partitë politike kanë funskionuar në kundërshti me rregullat e funksionimit demokratik. Shihni partinë drejtuese të shtetit. Gjithçka varet nga kryetari edhe për gjërat më të vogla.
Nuk besoj që kjo është ajo që i ndan palët, por kjo është një kusht i padiskutueshëm. PD është një parti e dezidencës shqiptare. Nga Shkodra përshembull, prindërit tanë kanë pritur gjysmë shekulli që SHBA të merret me ne. Për asnjë lloj arsyeje e djathta shqiptare nuk do të duhet të shkëputet nga këto marrëdhënie. Ne jemi pjesë e partnerëve tanë. Nuk mund të ecim përkundër në asnjë lloj mënyre. Jemi 32 vite nga përmbysja e regjimit dhe koha e ndryshimit të elitave, kohës kur nepotizmit i ka ardhur fundi. Trashëgimit të pushtetit nga një brez politikanësh në një tjetër nuk do të ndodhi. Të gjitha veçantitë kulturore e krahinore duhet të jenë pjesë të vendit tonë.
Kostot nëse PD nuk bashkohet i kemi parë vjet në Shkodër, por Shkodra ja arriti të mbijetonte. Këtu në Shkodër kemi pasur gjithmonë steka të tjera, kërkesa të tjera. Ka qenë qytet kritik. Unë kur kam filluar fushatën elektorale në 2017 kam menduar se hallet kishin përfunduar. Por kishte shumë probleme. Edhe në këto 30 vite tranzicion pushtetarët nuk kanë gjetur mundësinë 50-55 milion euro për të lidhur me kryeqendrën e bashkisë disa zona. Gjej mundësinë përmes TV tuaj që të sensibilizoj opinionin publik për ndërtimin me fonde shtetërore të rrugës së Dukagjinit.
Ndryshimi në Shqipëri e kemi parë në këto 30 vite. Po nuk ndodhi revolta në Tiranë, nuk ndodh duke importuar qytetarë nga zonat e tjera. Duhet të bindet klasa e mesme e Tiranës. Shoqëria shqiptare është e emancipuar dhe kërkon bindje dhe njerëz të dijes me platforma të qarta dhe një rrugë të qartë për të ecur përpara. Aksionin e ndërtuar kështu nuk e shikoj të ketë sukses. Shoqëria shqiptare kërkon ta drejtojë një elitë e shkëputur nga e shkuara dhe figura të pastra.
Në Kosovë kam pyetur njerëz të opozitës dhe më kanë thënë që kryeministri i Kosovës nuk është i korruptuar. Dhe kjo është një fitore e madhe”, u shpreh Gurakuqi.