Nga Blerti Delija
Duket sikur ka “dalë nga rreshti”! Deputeti socialist Pjerin Ndreu ka disa kohë që përcjell mesazhe në Facebook, ndërsa nuk është e qartë nëse i ka shtruar edhe në forumet e PS-së këto shqetësime. Ose pasi i kanë rënë në “vesh të shurdhër” aty, po i ndan me publikun e gjërë.
Pjerin Ndreu nuk është një “politikan race”. Ai vjen nga strukturat e Policisë së Shtetit në rradhët e politikës. Madje, mund të thuhet se ka qënë mjaft i suksesshëm duke arritur deri në Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Por edhe në detyra të tjera, si drejtor i Policisë në Shkodër, Ndreu ka vënë gurë të çmuar themeli në rendin e qetësinë publike në metropolin e Veriut e në kohën kur krimi lulëzonte rrugëve, në fillim të viteve 2000.
Ndreu është mësuar ti thotë gjërat troç, pikërisht sepse nuk është një “politikan race”. Ai e ka parë dhe njohur fillimisht nga jashtë politikën, për tu bërë më pas pjesë e saj. Pra, e njeh atë në detaje dhe në këndvështrime të ndryshme. Edhe kur PS qeveriste me LSI, Ndreu nuk ka ngurruar të artikulojë qëndrime kritike për aleatin. Sot, situata është ndryshe. Edhe Ndreu ka meritat e veta që PS e ka marrë e vetme “timonin” me 25 qershor 2017. Pas përfundimit të punimeve të Asamblesë Kombëtare, ai bëri një koment të fortë në FB: “Arritja me e madhe e 100 diteve te qeverisjes eshte ruajtja e tepsise ! Ca qeveritar-uce kane harru se kush i ka sjelle e mban ne pushtet ! Gezuar Baftjar !”. Nuk ka nevojë për shumë sqarime, por mesazhi është i qartë: Nuk ka shumë për tu krenuar në 100 ditët e para të qeverisjes, teksa ai përqëndrohet tek “ruajtja e tepsisë”. Nuk është e vështirë të kuptohet se kujt i drejtohet mesazhi, teksa e gjithë fushata e PS-së e drejtuar nga Edi Rama, ishte pikërisht kundër “tepsisë” së ndarë me aleatët, kryesisht LSI. E normalisht, mesazhi vazhdon për “qeveritar-ucët” sic i quan Ndreu, duke u kujtuar se kush i ka sjellë dhe i mban në pushtet. Në këtë status të parë të Pjerin Ndreut, kuptohet qartë se ai nuk është i kënaqur nga 100 ditët e para të qeverisë “Rama 2”.
Rreth 2 orë më pas, Ndreu ka publikuar një status tjetër në FB. Edhe pse mesazhi ishte i qartë dhe në formën vështirësisht të interpretueshme të sentencës, deputeti socialist është detyruar të publikojë një mesazh tjetër. “Meqenese, disa media e individe e kane te veshtire perkthimin shqip-shqip, ju sqaroj qe statusi i meparshem per tepsine, ka te beje me falangat e LSI, pa shkolle e pa asnje kualifikim qe vegjetojne ne detyre ne qeverisjen tone akoma sot e kesaj dite. Ndersa vjellin vrere e pengojne zhvillimin e ketij vendi. Nje kritike kjo ndaj qeverise , por qe nuk do te thote qe ne teresi qendrimi im eshte kunder e nuk mbeshtes qeverine Rama ! Perkundrazi, statusi eshte nje kembane alarmi qe vjen nga poshte e duhet te degjohet me mire per permiresimin e qeverisjes se vendit !”, shkruan Ndreu. Pohimet e Ndreut shkojnë në të njëjtën linjë me statusin e tij të parë: Kundër “mbetjeve” të LSI-së në administratë, kritikë kundër qeverisë që do të thotë kundër Ramës dhe zëdhenës i strukturave të PS-së. Ai thotë qarte se nuk e mbështet publikisht qeverinë Rama në këto 100 ditët e para. Sepse natyrisht, statusi i dytë duhet lexuar në lidhje organike me të parin, ku Ndreu evidenton si arritjen më të madhe “ruajtjen e tepsisë”.
Duke njohur qëndimet në vijimësi të Ndreut, vështirë të besohet se është ndikuar nga dikush “lart” për të publikuar statusin e dytë në FB. Sië e deklaron edhe vetë, “kembana e alarmit” vjen nga poshtë e “duhet të dëgjohet më mirë”. Mesazhet publike të Pjerin Ndreut, ndikohen nga presioni i bazës socialiste apo edhe mbështetësve në fushatë, të cileve natyrisht deputeti u ka dhënë premtime që sot mbase ia kujtojnë se duhet ti mbajë. Kështu ka ndodhur, ndodh dhe do të ndodhë edhe për shumë vite me deputetët, por ndryhe nga të tjerët, Ndreu ka guximin ti deklarojë publikisht. E siç është e kuptueshme, pengesa kryesore janë antarët, militantët, mbështetësit e LSI-së në pozicione të trashëguara nga bashkëqeverisja PS- LSI në vitet 2013- 2017. Shqetësimi i Ndreut nuk është vetëm i tij, por i një sërë deputetëve socialistë, edhe në Shkodër, por që kanë vendosur të mos flasin publikisht. Nuk duhet harruar edhe një fakt tjetër që, Ndreu është deputet i Lezhës, ku ndikimi i LSI-së nga 2009 ka qënë mjaft i madh. A do të vazhdojë ti “bjerë këmbanës” Pjerin Ndreu? Pyetja tani nuk merr përgjigje ndërsa është e qartë se për veshët e kujt bie…të Edi Ramës! ©ShkodraWeb