Peruja është skuadra e fundit e kualifikuar për në Botërorin “Rusi 2018”. Në ndeshjen e kthimit të fazës play-off amerikano jugorët kanë mposhtur Zelandën e Re 2-0 me nga një gol për çdo pjesë. Farfan dhe Ramos ishin autorët e golave për të siguruar këtë kualifikim historik. Peruja do të marrë pjesë për herë të pestë në një Botëror dhe rikthehet pas 36 vitesh pasi për herë të fundit ka qënë në “Spanjë 1982”.
Tashmë është kompletuar kuadri i plotë i 32 skuadrave të kualifikuara dhe Botërori i Rusisë morri formë. 14 ekipe janë nga Europa ku bie në sy mbi të gjitha mungesa e Italisë dhe Holandës. Afrika ka dërguar 5 skuadra në Botëror ku mungon Gana. Kili është mungesa e madhe nga Amerika e Jugut e cila do të ketë 5 skuadra verën e ardhshme në Rusi.
3 do të jenë nga Amerika qëndrore dhe 5 nga Azia. Ndarja në vazo është interesante dhe tashmë janë konfirmuar 4 vazot për shortin e 1 dhjetorit në Moskë ku priten edhe grupe ferri.
Në vazon e parë janë: Rusia, Gjermania, Brazili, Portugalia, Argjentina, Belgjika, Polonia dhe Franca. Dy emra big janë në vazon e dytë. Spanja dhe Anglia së bashku me Perunë, Zvicrën, Kolumbinë, Meksikën, Uruguajin dhe Kroacinë. Në vazon e tretë janë Danimarka, Suedia, Islanda, Kosta Rika, Tunizia, Egjipti, Senegali dhe Irani ndërsa në vazon e fundit dhe të katërt janë Serbia, Nigeria, Australia, Japonia, Maroku, Panamaja, Koreja e Jugut dhe Arabia Saudite.