Është përcjellë për në banesën e fundit gjeniu i letërsisë shqipe, Ismail Kadare. Trupi i shkrimtarit të mirënjohur, i cili humbi jetën dy ditë më parë (1 korrik) pas një arresti kardiak, është nisur drejt varrezave të Tufinës pas mbarimit të homazheve në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Shkrimtari është përcjellë për në banesën e fundit me trëndafila të bardhë dhe duartrokitje, ndërsa të pranishëm ishin qindra qytetarë dhe figura të njohura të artit e politikës.
Ndërkohë në ceremoninë e varrimit do të marrin pjesë vetëm familjarë të kolosit të letrave shqipe dhe të afërm të tij.
Ismail Kadare do të prehet përkohësisht në varrezat e Tufinës. Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në homazhet në nder të shkrimtarit, tha se Kadare meriton të prehet në një banesë të fundit që të jetë vetëm e tija.