Shkodra mbylli një jave feste! Në tempullin e artit dhe kulturës, Teatrin “Migjeni” u organizua edicioni i dytë i festivalit të teatrove për të rinj, me pjesmarrjen e 7 gjimnazeve të kryeqendrës së Veriut.
Interpretime të veçanta nga pjesë shqiptare e të huaja, që sollën karaktere të ndryshme, spikatën talente të reja, por edhe treguan se këtij qyteti nuk do t’i mungojnë artistët e rinj, që denjësisht në të ardhmen mund të zevendësojnë plejadën e artë që pati Shkodra në teatër e kinematografi.
Shkolla “Jordan Misja” u shpall fituese me veprën e Çehov, “Propozimi” që erdhi nën regjinë e Jozef Shirokës dhe lojën e 3 të rinjve Rafael Marashit, Irsa Golemit dhe Piero Bosetës.
Duke falenderuar shkollat pjesmarrëse dhe angazhimin e të rinjve, mësuesve, regjisorëve dhe stafit teknik të teatrit “Migjeni”, kryebashkiakja Voltana Ademi tha se synimi është që ky festival të marrë të tjera përmasa, për të promovuar talentet e reja.
Vetë anëtarët e jurisë këtë festival e cilësojnë si një kurorë të bukur në jetën artistike të qytetit, që vijon të prodhojë talente të reja, e që në të ardhmen mund të jetë aktorë profesionist të teatrit.
Çmimet e tjera në këtë mbrëmje shkuan për: Shfaqja më e mirë “Rroku dhe Gjyli i Arres së Madhe” , si dhe aktorët protagonistë dhe jo protagonistë. Aktiviteti u mundësua nga mbështetja e Bashkisë së Shkodrës, Teatrit “Mgjeni”, Zyrës Arsimore Vendore Shkodër dhe Qendrës Rinore Atelie. /OraNews/