Nisur nga polemikat, përgenjeshtrimet dhe konfirmimet e palëve lidhur me praninë e një delegacioni të PD- së në Kongresin e Partisë Popullore Europiane në Roterdan, ShkodraWeb Media iu drejtua dje (30 maj 2022) Zyrës së Shtypit të Partisë Popullore Europiane me një kerkesë për informacion zyrtar.
Ditën e sotme, në postën elektronike ka mbërritur përgjigja zyrtare, e qartë dhe pa shumë ekuivoke. Këshilltarja për mediat e Partisë Popullore Euopiane Alexandra Henman, e thotë qartë dhe shkoqur se nuk ka asnjë delegacion zyrtar të PD- së në atë kongres. Në mesazhin e saj, ajo shpjegon edhe arsyen e mungesës.
“Në përgjigje të e-mailit tuaj me kërkesë informacioni:
Për shkak të mungesës së qartësisë, transparencës dhe mosmarrëveshjes ligjore të vazhdueshme brenda anëtarëve të partisë PDSH, për çështjet aktuale strukturore dhe të lidershipit, PPE nuk ishte në pozicionin të ftonte asnjë delegacion zyrtar të PDSH-së në Kongresin e PPE në Roterdam.”, shkruan në përgjigjen e saj për ShkodraWeb Alexandra Henman, këshilltare për mediat e Partisë Popullore Europiane.
Është e qartë se çdo koment tjetër është i tepërt dhe tema mund të konsiderohet e mbyllur. PD nuk ka asnjë delegacion zyrtar në punimet e Kongresit të Partisë Popullore Europiane në Roterdam. Çdo version tjetër, është thjeshtë e vetëm retorikë politike.