Zbardhen detaje nga seanca gjyqësore këtë të martë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër, ku mjekët e spitalit të Traumës, u lanë në burg, bashkë me infermieren nga Shkodra, Diellë Macaj.
Bëhet me dije se mjeku Ervin Sulaj i cili ka qenë i pranishëm në sallë ka mohuar se ka lidhje me marrje ryshfeti duke thënë se ai dhe kolegu i tij janë marrë vetëm me operacionin e të plagosurit Elmedin Dyli.
Ndërkohë mjeku tjetër kirurg Serdi Memini nuk ka qenë i pranishëm në sallë për shkak se është i shtruar në spital në Tiranë dhe nuk është në gjendje shëndetësore të mirë ndërsa është përfaqësuar nga avokati i tij.
Avokatët mbrojtës të dy mjekëve kërkuan që ndaj të dyshuarve të mos caktohet asnjë masë sigurimi dhe madje të cilësohet i paligjshëm arrestimi i tyre por gjykata nuk e pranoi këtë kërkesë duke i lënë me masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ka qenë bashkëshortja e shtetasit Fatbardh Dyli ajo e cila ka zhvilluar një bisedë telefonike me infermieren në Shkodër Diellë Macaj duke i thënë asaj se do t’i çojnë dhuratë 500 mijë lekë të vjetër doktorit por pa përmendur emrin se cilit prej tyre.
Infermierja e ka mbështetur në atë bisedë duke i thënë se “është mirë t’ia dërgosh dhuratën”.
Kaq ka mjaftuar që policia e cila kishte në përgjim familjen Dyli pas ngjarjes së rëndë në Velipojë me 27 qershor me katër të vrarë e dy të plagosur ku i plagosur është edhe djali i tyre 17 vjeçar Elmidin Dyli për të bërë arrestimin e dy mjekëve kirurg të spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, infermieres në Shkodër Diellë Macaj që është një e njohur e familjes Dyli si dhe babait Fatbardh Dyli i cili u lirua me masën “detyrim paraqitje” për shkak se nuk rezulton të ketë element të veprës penale.
Gjykata e shkallës së parë në Shkodër rrëzoi kërkesën e prokurorisë që kjo dosje t’i kalojë SPAK për hetim të mëtejshëm. Gjykata ka liruar shtetasin Fatbardh Dyli, babai i shtetasit të plagosur Elmedin Dyli me masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, kjo me kërkesë të prokurorisë së Shkodrës.
Dy mjekët dhe infermierja janë të dyshuar për veprën penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Në njoftimin për mediat, policia tha se “ndalimi i tyre u bë për arsye se në ambientet e një qendre spitalore në Tiranë, pas një operacioni mjekësor që kirurgu Serdi Memini dhe anestezisti Ervin Sulaj i kanë bërë shtetasit Elmedin Dyli, i plagosur mbrëmjen e datës 27 qershor, në Velipojë, i ati i pacientit, shtetasi Fatbardh Dyli dyshohet se iu ka dhënë të dy mjekëve një sasi parash për kryerjen e operacionit. Pas kontrolleve të ushtruara, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumën 377.000 lekë të rinj dhe 55 euro”.