Kuvendi i Shqipërisë dhe Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit përkujtuan sot 76-vjetorin e ekzekutimit të Grupit të Deputetëve.
Grupi i Deputetëve doli hapur si grup i organizuar në mbrojtje të parimeve të demokracisë perëndimore dhe mori përsipër të bënte opozitën në Parlamentin e parë të Shqipërisë komuniste.
Aftësitë intelektuale dhe organizuese, shumë shpejt ranë ndesh me përpjekjet e diktaturës, e cila kishte filluar të instalohej pak nga pak. Opozita u bë pre e përndjekjes deri në arrestimin e tyre.
Qëndresa e tyre për të ndalur revanshin komunist u kushtoi jetën 16 deputetëve, që kishin mundur të hynin në Parlament.
Gjyqi i “Grupit të deputetëve” filloi dhe u mbyll si një proces gjyqësor tërësisht i montuar, mbështetur në dëshmi që u ishin marrë të pandehurve nëpërmjet një dhune fizike dhe psikike të pashembullt gjatë hetuesisë.
Gjykata Ushtarake nën urdhrat e drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës urdhëroi ekzekutimin e 16 të pandehurve të atij procesi dhe dënime të rënda për dhjetëra të tjerë nga rrethe të ndryshme, të cilët i akuzuan për lidhje dhe bashkëpunim me “Grupin e deputetëve”.
Goditja brenda radhëve të Parlamentit ndaj të ashtuquajturit nga hetuesit si “grup klandestin i deputetëve” ishte e pamëshirshme ndaj grupit të parë të gjykuar të deputetëve të njohur si grupi i Shefqet Bejës me 16 të dënuar kapital, (nga 16 të ekzekutuarit në 10 Tetor 1947, tre deputetë u dënuan me varje, Shefqet Beja në Tiranë, Sulo Klosi në Rubik, dhe Riza Alizoti në Kuçovë) dhe 13 të tjerët me pushkatim, ndërsa 21 bashkëlidhur me këtë proces ishte edhe Kolë Kuqali që vdiq në hetuesi më 30 maj 1947 nga torturat, zyrtarisht u shpall i vetëvarur e vdekur në spitalin ushtarak të Tiranës.
Me anë të këtij procesi, i cili nga dëshmitarët e kohës u cilësua fund e krye si farsë, Enver Hoxha synoi të nënshtronte dhe asgjësonte opozitën e vërtetë demokratike, duke i dhënë fund shprehjes së mendimit të lirë.
Propaganda e shfrenuar i paraqiti ata në popull, si armiq që kishin bashkëpunuar me kriminelët dhe agjenturat e huaja. Me këto gjyqe të bujshme, diktatura komuniste synoi të shuante përgjithmonë çdo shpresë apo tentativë për demokraci e pluralizëm te shqiptarët.
Me vdekje, me varje në litar:
1-Shefqet Beja, ish-deputet (në Tiranë)
2-Riza Alizoti (në Kuçovë)
3-Sulo Klosi (në Rubik)
Me vdekje, me pushkatim:
4-Selaudin Toto, ish-deputet
5-Sheh Ibrahim Karbunara, ish-deputet
6-Paolo Saggioti
7-Agathokli Xhitoni
8-Mehmet Prishtina
9-Abdul Kokoshi
10-Beqir Çela
11-Salim Kokalari
12-Tefik Deliallisi
13-Irfan Majuni, ish-deputet
14-Pertef Karagjozi
15-Enver Sazani, ish deputet
16-Hysen Shehu
Me privim lirie të përjetshme:
17-Foto Bala
18-Ramazan Tabaku
19-Ram Marku
20-Gjovalin Vlashi
Me nga 20 vjet privim lirie:
21-Shefki Minarolli
22-Rustem Sharra
23-Xhevat Xhafa
Me 15 vjet privim lirie:
24-Sulo Konjari
Procesverbali i ekzekutimit:
“Sot më datën 10.10.1947 ora 5.00, unë Josif Pashko i ngarkuar me cilësi prokurori, i shoqëruar dhe nga ndihmësi Harito Nashi dhe dr. major Ibrahim Dervishi shkuam në burg dhe morëm në dorëzim të pandehurit të dënuar me vdekje: (jepen emrat e sipërthënë-shënim) dhe mbasi u siguruam për identitetin e tyre të shoqëruar dhe nga rojet shkuam në vendin e caktuar për ekzekutimin e të pandehurve. Mbasi u kënduam vendimin e Gjykatës së Lartë nr.187 datë 27.9.1947 që dënon gjithë të pandehurit e lartpërmendur me vdekje, mbasi u kënduam shkresën e Presidiumit të Kuvendit Popullor nr.180, rez. datë 9 tetor 1947 që refuzon lutjet e tyre për falje dhe mbasi u pyetën dhe thanë fjalën e fundit. Në bazë të vendimit të lartpërmendur që ka marrë formën e prerë, në orën 2.30 urdhërova ekzekutimin e tyre (përmenden emrat-shënim). Si u krye ekzekutimi, mjeku konstatoi vdekjen e të gjithë të pandehurve. Prokurori Josif Pashko”