E para lëvizje antikomuniste në Shqipërinë e rrëshqitur në diktaturë, ajo e Kelmendit ka mbushur sivjet 79 vite. Pavarësisht se lëvizja antikomuniste e Postribës në 1946 konsiderohet e para në Lindjen komuniste, në Kelmend ishte përballja e parë me diktaturën. Janë 74 martirë që u pushkatuan nga regjimi komunist, ndërsa prijësi Prek Cali është shpallur edhe “Nderi i Kombit”.
Kjo ngjarje me erëndësi, sot është përkujtuar vetëm nga ish- të persekutuar, anëtarë të subjekteve të djathta, PD- ja zyrtare dhe Rithemelimi ndërsa nga e majta, vetëm PSD- ja. Munguan tërësisht autoritetet vendore e rajonale, si përfaqësues të Bashkisë Malësi e Madhe, të Këshillit të Qarkut apo edhe të Prefekturës.
Nga të pranishmit, janë vendosur kurora dhe tufa me lule, ndërsa kanë folur edhe disa pjesëmarrës. Shembulli i sotëm është krejt i ndryshëm nga ai i kryebashkiakut Benet Beci. Vetëm pak muaj pasi erdhi në drejtim të Bashkisë Shkodër, mori pjesë dhe bashkorganizoi si qeverisje vendore përkujtimin e lëvizjes antikomuniste të Postribës.
Ata që kanë qenë, ata që janë dhe ata që do të vijnë në pushtet duhet të kuptojnë se ngjarje të tilla, nuk mund të marrin asnjë ngjyrë politike. Pas 1990-ës i janë hapur sytë të gjithëve për të kuptuar atë që ndodhi në këtë vend në 45 vite diktaturë. Përveç disa nostalgjikëve të sëmurë, besojmë se askush nuk do të dëshironte rikthimin e atij sistemi, askush nuk ka dëshirë të identifikohet me makabritetet e diktaturës. /ShkodraWeb/