Kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi u shpreh mbrëmjen e sotme në Radarin Informativ në ABC me gazetaren Sibora Bitri se fatura e dëmeve nga përmbytjet deri tani është 4 miliardë lekë.
“Deri para 2-3 ditësh, kemi 4 mld lekë të dëmtuara sipërfaqe e mbjellë dhe dëmtime të tjera në banesa që kanë një vlerë të konsiderueshme. Do ia faturojmë shkaktarëve” tha ajo, referuar qeverisë. Por si është situata tani? Për Ademin është katastrofike dhe parashikimi është që të vijojë deri në fund të marsit. Ajo thotë se tani, përmbytjet po i shkarkojnë shkarkimet nga HEC-et.
“Situata vijon që të jetë e përkeqësuar. Vazhdojmë të kemi probleme edhe për banorët ku rreziku për banesat dhe gjënë e gjallë është evident. Unë ndodhem në punë, nga kontaktet me administratorët, edhe sonte parashikojmë një situatë të vështirë. Përmbytjet nuk ndodhin për shkak të shirave edhe për shkak të shkarkimeve nga Drini. Jemi në një situatë të përmbytur.
Nuk kam fjalë, nuk jam lodhur duke apeluar. Zona e Livadheve është informale, është nga zonat e rriskuara dhe kur ngrihet kuota janë shtëpitë e para që përmbyten, nuk jemi në një rast të ri, por të përsëritur. Shkarkimet kanë filluar nga 20 dhjetori dhe vazhdojnë me të njëjtën mesatare në janar dhe shkurt dhe sigurisht është një situatë e vështirë dhe kërkon një ndërhyrje të qenësishme” tha ajo.
Akuzat direkte Ademi i kishte për qeverinë. “Takimi i fundit ka qenë ai me Peleshin dhe znj. Ikonomi, që prej atëherë nuk kam parë ndonjë nga përfaqësuesit e qeverisë në terren, të marrë ndonjë përgjegjësi. Nuk ka asnjë reagim. Ne parashikojmë që kjo situatë të të vijojë deri në fund të marsit. Kjo është katastrofike”.
Shkodra ditët në vijim pret një tjetër furtunë dhe stuhi nga moti i keq. “Situata në Shkodër rezulton një paralajmërim për shtim të reshjeve në veri dhe verilindje të vendit, ndër të cilat qarku Shkodër është me njollë të kuqe duke parashikuar një rrezik të lartë. Parashikojmë një shtim të reshjeve në vijim, po ashtu reshje dëbore dhe parashikojmë edhe javën që vjen një situatë të rënduar të motit duke mos lënë mundësi as për marrje fryme, do të shikojmë edhe shkarkimet nga HEC-et në fushën e Nënshkodrës”.
Përpos akuzave për qeverinë, po Voltana Ademi a ndjen përgjegjësi për këtë situatë? “Kësaj, përgjigje i japin banorët e Shkodrës. E gjithë po ndodh për shkak të shkarkimeve të HEC-it, i vetmi faj është që nuk kam as paratë dhe as funksionin që ka qeveria. Kam kërkuar dhe ngritur zërin për të mbrojtur banorët. Nëse nuk është investuar te argjinaturat, nuk është kompetencë vendore. Nuk është përmirësuar situata. Por edhe pse luftoj fort, asnjëherë vetes tim nuk i them se kam bërë majftueshëm për të ngritur zërin” përfundoi ajo