Presidenti i Katalonjës, Karles Puigdemont është shprehur se Katalonja nuk mund ta pranojë vendimin e qeverisë së Madridit për të aktivizuar nenin 155 të kushtetutës, në bazë të së cilës qeveria qendrore merr kontrollin e rajonit.
Ai e përshkroi këtë si sulmin më të keq ndaj institucioneve të Katalonjës që prej regjimit diktatorial të gjeneralit Franko 1939-1975, i cili hoqi autonominë rajonale.
Në planin e kryeministrit të Spanjës, Mariano Rajoy, përfshihet shpërndarja e Parlamentit të Katalonjës dhe shkarkimi të gjithë anëtarëve të qeverisë.
Puigdemont tha se qeveria spanjolle po vepron kundër vullnetit demokratik të katalanasve dhe po refuzon të gjitha ofertat për dialog.
Ai tha gjithashtu se do të mbledhë Parlamentin për të diskutuar rreth një përgjigjeje për vendimin e Rajoy-t. Teksa iu drejtuar qytetarëve evropianë, ai tha se vlerat themelore të Bashkimit Evropian janë në rrezik në Katalonjë.
Sakaq, policia ka bërë të ditur se 450 mijë vetë morën pjesë në një protestë në Barcelonë të shtunën, duke bërë thirrje për liri dhe pavarësi. Në Katalonjë u zhvillua më 1 tetor u zhvillua referendumi për pavarësi, ku 90 % e pjesëmarrësve votuan pro. Referendumi u shpall i paligjshëm nga gjykata kushtetuese e Spanjës.