Vllaznia nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola në Elbasan Arena ndaj Dinamos. Shkodranët u shfaqën më kërkues gjatë takimit, megjithatë kryeqytetasit rezultuan një “kockë e fortë”, teksa do të kërkojnë të luajnë deri në fund shanset për mbijetesë. Sa i takon kronikës së ndeshjes, sinjalin e parë të sfidës e dha Rimal Haxhiu që godet fortë por nuk gjen kuadratin e Zogovic.
Nga ana tjetër, Vllaznia provon me anë të Aralicës, ndërsa Da Silva ka një mundësi të artë, por e shpërdoron përballë portierit Simoni. Ndërkohë, në fundin e pjesës së parë, shkodranët pretendojnë në dy raste për penallti megjithatë arbitri Lata vazhdon lojën.
Në fraksionin e dytë, mundësinë më të mirë e pati Hoxhaj, por vlonjati u tregua i pavëmendshëm për të devijuar topin në rrjetë. Në vazhdim, Reginaldo me Haxhiun në më shumë se një rast provuan të shqetësojnë Zogovic por pa ia dalë me sukses.
Në të 83-tën minutë, Jonuzi pati një shans të mirë pas kundërsulmit të shkodranëve, por mesfushori nuk arrin të konkretizojë. Në fund, Hakaj lëshon një silurë nga distance, mirëpo nuk gjen kuadratin e Simonit.
Kështu, deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe Vllaznia mbetet në vendin e pestë me pikë të barabarta me Kukësin e vendit të katërt me 46 pikë. nga ana tjetër, Dinamo merr pikë pas shtatë humbjeve radhazi ndërsa kur kanë mbetur edhe 12 pikë në lojë, janë 10 pikë pas Egnatias së vendit të tetë.