Thuajse në të njëjtën kohë, në Tiranë e në Shkodër janë zhvilluar paralelisht dy ngjarje. Më saktë, janë bërë publike dy ngjarje. Dhjetra të rinj e të reja por jo vetëm, janë tubuar në “protestë” para ndërtesës së BBVip në Tiranë në mbështetje të shkodranit Luiz Ejlli, i ngujuar aty që nga data 24 dhjetor 2022, bashkë me të tjerë VIP- a shqiptarë.
Ndërkohë, Policia e Shkodrës njoftoi mediat e përmes saj, fillimisht shkodranët e më pas shqiptarët, se ka hequr nga ambjentet publike rreth 21 kamera sigurie, të vendosura pa lejen e autoriteteve prej kush e di sa kohësh. Jo vetëm kaq. Policia njoftonte se me ato kamera, elementë kriminalë, përgjonin epo monitoronin lëvizjet e vetë policisë duke shmangur rreziqet.
Natyrisht, mes dy ngjarje enuk shihet ndonjë lidhje e drejpërdrejtë, përveç faktit se edhe Luiz shkodrani mund të shihet “live” 24 orë nga të gjithë shkodranët përmes…kamerave. Të njëjtat mjete që si Big Brother vëzhgonin po “live” lëvizjet e policisë kur ajo, bie fjala, nisej në ndonjë aksion për të kontrolluar apo arrestuar ndokënd në zona të ndryshme të qytetit.
Për gjithsesi, po përmes kamerave, këto dy ngjarje u përcollën sot për shkodranët. Kamera që filmuan dhe transmetuan video në TV e të tjera të fiksuan foto që u shpërndanë portaleve dhe profileve e faqeve në rrjete sociale. Pra çdo gjë në sytë e të gjithëve. Luizi brenda shtëpisë së BBVip, policia në rrugët e qytetit në patrullim apo edhe për “qejf”, audienca përmes mediave e portaleve “live” e këtyre “ngjarjeve”. Sigurisht, të gjithë të kënaqur për të mos thënë të lumtur sepse është një ndjesi ngushtësisht personale.
Sot, policia në Tiranë u kujdes që protesta e Luizit të kalonte pa “eksese”. Natyrisht, rrezikohej “pushtimi” i shtëpisë së BBVip, edhe pse Luizin po ta lutnin të gjithë, nuk do të dilte nga ngujimi me dëshirë. Kolegët e tyre në Shkodër u “kujtuan” se përveç kamerave të bashkisë, ekzistokan edhe të tjera që vëzhgojnë, fiks si në BBVip. Po pas ditës së sotme e këtyre dy ngjarjeve të “bujshme”?!
Natyrisht do të ketë të tjera, edhe më të “bujshme”. Ndërkohë, prej ditësh e javësh në Shkodër ka nisur jo zyrtarisht fushata elektorale për 14 maj 2023 ku do të vendoset se kush do ti qeverisë shkodranët për 4 vitet e ardhshme. Natyrisht, do të kenë një të përbashkët me ngjarjet e sotme, kamerat. Por do të kenë edhe një aksesor shtesë: Premtimet! Ato që nuk mund të bëjë sot Luizi nga brenda shtëpisë ku është ngujuar por as policia se nuk ka më kamera sigurie të vendosura pa leje në Shkodër apo që nuk do të mund të vendosen sërish. Meqë ra fjala, a ka ndonjë ligj a kod që parashikon të paktën gjobë për vendosjen e kamerave të sigurisë në ambjente publike?! Apo policia nuk mund ti gjejë se kush e kur por veçse i klasifikon si “elementë kriminalë”?! /Nga Blerti DELIJA/