Gëzim Uruci (30 korrik 1949 – 17 dhjetor 2012), u lind në Shkodër. Ka qenë vetëm 5 vjeç, kur në vitin 1950 së bashku me babanë e tij, zbuluan shpellën e Gajtanit pranë fshatit Gur i Zi në Shkodër. Ky ishte vetëm fillimi i një pasioni të madh në fushën e speleologjisë për shkodranin Gëzim Uruçi, i cili konsiderohet si eksploratori më i madh shqiptar i të gjitha kohërave.
Ai është eksplorues i rreth 3200 shpellave në të gjithë botën dhe mban titullin Profesor Honoris në shkencat speleologjike. Ndonëse një sëmundje e la invalid, ai me një përpjekje mbinjerëzore e mposhti atë. Edhe pse me paterica, Uruçi ishte pjesë aktive e ekspeditave ndërkombëtare. Shkodra njihet si qyteti që ka nxjerrë emra të shquar në fushën e artit, kulturës dhe të shkencës. Një prej tyre është Gëzim Uruçi. Në vitin 1994, Unioni Internacional i Speleologjisë në Bruksel i dha titullin Profesor; Federata Bullgare e Speleologjisë dhe Unioni Internacional i Astronomisë, e kanë nderuar me medalje; më 1994, në Spanjë iu dha çmimi “Juri Gagarin”.
Ndërsa më 2001, Instituti Biografik i Kembrixhit e përfshiu ndër intelektualët më të shquar të botës. Uruçi është përfshirë në 8 enciklopedi ndërkombëtare, ku e fundit është ajo e vitit 2006 (enciklopedia e speleologjisë së Bullgarisë). Prof. Uruçi njihet mediatikisht edhe si shqiptari i parë që ngriti flamurin kombëtar në Polin e Veriut gjatë një ekspedite të vështirë por të sukseshme.
Gëzim Uruçi, pasionin për zbulime e kërkime e ka trashëguar nga babai i tij, Myftar Uruçi. Ky i fundit, i diplomuar në Perëndim, në vitin 1936, krijoi në Shkodër me disa shokë të tij, shoqërinë e bjeshkatarëve e shpellarëve, si pjesë e shoqërisë “Vllaznimi”. Po nga babai, Gëzimi trashëgoi dhe pasionin për alpinizmin. Në vitin 1970, ai krijoi grupin e parë të speleologëve shqiptarë.
Por sipas urdhrit të dhënë nga qeveria e asaj kohe, ky grup speleologësh duhet të shkonin vetëm në disa shpella për eksplorim, si në atë të Jubanit dhe Zhylës në Shkodër; Pirogashit në Jug dhe e Piratëve në Dhërmi. Zhvillimi i speleologjisë do i çonte arkeologët në zbulime të rëndësishme; si mbishkrime të lashta; instrumente litikë; piktura neolitike, siç janë ato në shpellat e Dukagjinit e Kelmendit në Shkodër; në shpellën e Trenit në Korçë; në shpellat e Karaburunit; Dhërmiut e Himarës. Në vitin 1972, zbulimet e tij bëhen prezent në Akademinë e Shkencave, ku Gëzim Uruçi pranohet si bashkëpunëtor për speleologjinë, ndërsa punonte si teknik i mesëm në uzinën mekanike “Drini” në Shkodër.
Eksplorimet në shpellën e Gjolajve në Bratosh të Bajzës, atë të Bijës së Husit në Bogë, shpellën e majës së Harapit në Theth, shpellat e Konispolit e Karaburunit, janë ato që kanë lënë dhe mbresat më të pashlyeshme tek speleologu Uruçi. Duke rrëfyer për emocionet dhe rrezikshmërinë, ai tregon se mjetet që përdoreshin ishin mjete primitive empirike, pasi mungonin pajisjet e posaçme dhe teknika përkatëse.
“Këto mjete prodhoheshin nga ne, si gozhdët për shkëmbinj, ganxhetat, shkalla prej litari etj. Përdornim dhe mjetet e alpinizmit. Për kaskë mbrojtëse merrnim kapele minatorësh, të cilat i gjenim privatisht me anë të lidhjeve shoqërore e miqësore me minatorë”, – tregonte Uruçi. Ai thoshte se ishte tepër e rrezikshme futja e lëvizja nëpër hapësirat e sifoneve, të cilat janë gropa në formë omega, si vezore të mbushura me ujë, në pozicione të ndryshme nën tokë, në thellësi 150–300 m. “Të gjitha pajisjet e zhytjes prodhoheshin nga ne. Maskat e fytyrës i bënim me lozen e gomave të vjetra të makinave, të cilat nuk përdoreshin më. Tek sytë vinim xham të zakonshëm si dhe faqet gominash të makinave Çentauer. Tubat lidhës i modifikonim me tuba gome të ndryshëm, dhe këto i bënim në fshehtësi. Kjo për faktin se nuk lejohej përdorimi tyre, pasi mund të përdoreshin për arratisje”, – rrëfente Uruçi. Sipas tij, disa prej këtyre mjeteve ruhen dhe sot në muzeun e tij privat.
Gëzim Uruçi tregonte se të dhënat që grumbullonin ia dorëzonin Akademisë së Shkencave. Në mjaft raste të studimeve, anëtarët e kësaj akademie u referoheshin të dhënave të tyre (speleologëve).
Shtëpia ku jetonte Gëzim Uruçi së bashku me familjen e tij ndodhej në katin e pestë të një pallati në qytetin e Shkodrës, por ajo mund të quhet mjaft mirë një muze i arkeologjisë e speleologjisë, një qendër studimore ku arkivi, fototeka e biblioteka kanë zënë çdo hapësirë. Në çdo mur të apartamentit të tij shikoshin të ekspozuara objekte të gjetura në shpella apo gërmime arkeologjike. Ai ruante në arkivin e punës së tij (fototekë) filma dhe foto të bëra me teknikë dixhitale, rreth 1.300.000 të tilla të skeduara me indeks shkencor sipas sistemit të fototekës ‘Marubi’.
Thuajse gjysma e tyre i përket studimeve speleologjike, me foto bardh e zi dhe kolor, ndërsa ka dhe mjaft diapozitiva. Edhe biblioteka e tij personale është ndër më të mëdha të biblioteka private, ku përfshihen mjaft literature për gjeografinë dhe speleologjinë. Lidhur me bibliotekën e tij personale, Uruçi sqaronte se në vitin 1990 ka pasur oferta nga shteti i atëhershëm për t’ia dhuruar atij, kundrejt një këmbimi qesharak (do e dërgonin të punonte mësues në një fshat afër Shkodrës).
Madje pas 1990-ës nuk i kanë munguar dhe interesimi për arkivin e tij nga universitete të huaja që kanë afruar çmime të pëlqyeshme, por që janë refuzuar, pasi dorëzimi i kësaj pasurie për Uruçin do të thoshte të tradhtojë pasionin e jetës së tij si dhe traditën e familjes. Vetëm letërkëmbimi i familjes dhe i tij përmban rreth 13.000 letra në 18 gjuhë të ndryshme të botës, ku nuk mungojnë ato me 70 universitete të huaja dhe 30 akademi. Literatura që ka biblioteka familjare e tij, i përket fushave të etnografisë, astronomisë, arkeologjisë, speleologjisë, muzikës empirike, mjekësisë antike etj. Për të sistemimin e ruajtjen e kësaj pasurie e ndihmon dhe vajza e tij.
Një nga intervistat prezantuese të Gëzim Uruçit
Jam etnolog, gjeograf, historian, Speleolog, alpinist. Kam lindur në Shkodër në një familje të aristokracisë së lartë. Në vitin 1992 kam mbaruar Universitetein “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Fakultetin Histori-Gjeografi.
Jam alpinist që kam bërë shumë ngjitje alpinistike, ku kam zbuluar edhe shumë shpella të pa njohura, brenda dhe jashtë vendit.
Kam zbuluar vendbanimin prehistorik të Gajtanit në qytetin e Shkodrës, mbishkrime të lashta të Jeshnicës, i inventarit më të vjetër të instrumentave kirurgjikal dhe stomatologjik, të një mjekje empirike të shek. II – I p.e.s., si dhe të shumë shpellave e vlerave të tjera, akeologjike, antropologjike, folklorike, etnografike etj.
Ne vitin 1984 kam zbuluar në Krye – Bushat te Shkodrës, një varr të një gruaje ilire, me një xhubletë në gjendje shumë të mirë 2200 vjeçare. Jam shqiptari i parë, që me 14 tetor 1994, për herë të parë në historinë e eksplorimeve shqiptare kam vendosur në Polin e Veriut, flamurin Shqiptar.
Nga viti 1972-2009, isha trajner i alpinizmit, pranë Klubit “Vllaznia”.
Kam dhënë kontribut edhe në disa fusha të tjera , si autor i tekstesh i disa këngëve, ku duhet veçuar bashkpunimi me kompozitorin e shquar Pjetër Gaci, tek kënga “Ky Merak”, autor i kënges me muzikë e tekst “Dasëm Shkodrane” kënduar nga këngetari i mirënjohur ulqinak Shaban Gjeka etj.
Si etnograf ku kam kryer specializime në Gjermani, Bullgari etj, duke sjellur në Festivalin Folklorik Kombëtare të Gjirokastrës (2004) me vallen me rite pagane tepër të vjetër “Kcimi (Vallja) i Ujkut”.
Për kontribute te ndryshme në fushat e artit prehistorik, etnografie dhe te folklorit mbaj titullin profesional “Euroetnolog”.
Ne fushën e arkitekturës është Laureat i “Cmimit të Republikës për projektimin dhe zbatimin e Shatërvanit te madh tëShkodrës në bashkëautorsi me arkitektin e shquar Dervish Bilalin në vitin 1988.
Kam një bibliotekë të pasur prej 6877 vëllime të ndryshme, në 27 gjuhë të ndryshme të botës, si dhe një fond arkivor prej 12,500 dokumenta të ndryshëm në disa gjuhë të botë.
Ne arkivin e tim, kam mbi një milion plan filma, negativa, diapozitiva, bardh e zi dhe me ngjyra, të digjitalizuar. Vetëm letërkëmbimi i familjes dhe time përmban rreth 13.000 letra në 18 gjuhë të ndryshme të botës, ku nuk mungojnë ato me 70 universitete të huaja dhe 30 akademi.
Kam referuar ne 57 Konferenca ndërkombetare, pothuajse në të gjitha vendet e Europës, por edhe ne Marok, Kenia te Afrikës etj.
Në fushat e Arkeologjise, Zhytjes nënujore, Alpinizmit, Speleologjisë, Kulturës Popullore, Folklorit, Etnografise, Prehistorisë, Kulturës empirike, Stomatologjisë dhe të Kirurgjise, Fotografisë Artistiko – Shkencore, Swastikës.
Kam te botuara në shtypin periodik shqiptar dhe të huaj mbi njëmije shkrime të ndryshme, si edhe shumë punime shkencore.
Kam marrë titullin Profesor Honoris Casa në shkencat e speleologjisë nga U.I.G.S. Jam president i Qëndrës Kombëtare të Speleo-Alpineve të Shqipërisë, si dhe President i Forumit Intelektual Shqiptarë.
Kam marrë titullin “Mjeshtër i merituar sporti” (2005), “Mjeshtër në profesion”(1988), Lauret i Çmimit të Republikës në arkitekturë”(1988); titullin “Juri Gagarin” në astronomi, Medaljen e Artë dhe Bronxit nga Federata Bullgare e Speleologjise, për kontribut të shquar në zhvillimin e speleologjisë në Bullgari, 1994 – 2006.
Jam shqiptari i vetëm qe me një biçiklete invalidi, i jam rrotolluar të gjithë Ballkanit dhe Europës. Jam futur, ndër 2000 figurat më të shquara të shekullit, në fushën e shkencës nga Qëndra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh (2000) në vitin 2008, nga (ABI) American Biographical Institute, jam zgjidhur ndër figurat më të shquara të shekullit, në fushën e shkencës dhe të kulturës botërore etj.
Jam përfshirë në shumë Enciklopedi të shquara të botës.