Kisha Katolike, shqiptarët por edhe i gjithë njerëzimi, kujtojnë sot ditëlindjen e Nënë Terezes, shqiptares shtatshkurtër por me zemër të madhe sa njerëzimi. Ajo lindi në Shkup, me 26 gusht 1910, atokohë pjesë e Vilajetit të Kosovës nën Perandorinë Osmane. Në moshën 18 vjeçare, ajo la Maqedonin dhe u shpërngul fillimisht në Irlandë e më pas në Indi ku kaloi pjesën më të madhe të jetës.
Nënë Tereza themeloi kongregacionin “Misionaret e bamirësisë” ose siç njohen gjerësisht “Motrat e Nënë Terezes”. Në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete, duke ofruar përkujdesje, strehim, ushqim e ndihmë mjekësore për njerëzit më në nevojë në të gjithë globin. Në jetën e saj, falë misionit të saj që spikati dhe u vlerësua në të gjithë botën, Nënë Tereza mori shumë çmime e tituj ndërkombëtarë, ku spikat çmimi Nobel për Paqen në vitin 1979.
Nënë Tereza ndërroi jetë me 5 shtator 1997, ndërsa misioni i saj vazhdoi dhe do të vijojë përmes motrave të shpërndara në mbarë botën. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. 12 vite më pas, pas mrekullisë së parë, iu njoh edhe një e dytë nga Papa Francesku, duke i hapur rrugën shenjtërimit të saj në dhjetor të 2015-ës. Kanonizimi i saj u bë me 4 shtator 2016, ditë që njihet edhe si festa e saj. Shqiptarja më e njohur e botës, adhurohet sot si Shën Tereza e Kalkutës dhe është subjekt i shumë veprave artistike, filmave, monografive, librave etj.
Nënë Tereza vizitoi për herë të parë Shqipërinë në vitin 1989, ndërsa ishte e pranishme edhe gjatë vizitës historike të Papa Gjon Palit të Dytë në Shqipëri në vitin 1993, ku vizitoi edhe Shkodrën.
“Me gjak, unë jam shqiptare. Qytetare, jam e Indisë. Për nga besimi, jam murgeshë katolike. Sa u përket thirrjeve të mija, i takoj botës. Sa i përket zemrës, i takoj tërësisht Jezuit”, është shprehja më e famshme që na bën të gjithë ne shqiptarëve, bashkëkombasve të Nënë Terezës, të ndjehemi krenarë për të. /ShkodraWeb Media/