Shqipëria do të marrë pjesë në “Lojrat Olimpike Speciale Botërore Berlin 2023” (Special Olympics World Games Berlin 2023), që do të zhvillohen nga datat 17-25 qershor 2023.
Është një rast i veçantë që në këtë aktivitet do të jetë pjesëmarrëse për herë të parë edhe Lezha.
25- vjeçarja Alisa Jak Boçi me talentin, vendosmërinë dhe guximin e saj si edhe me mbështetjen e prindërve do të garojë në Lojrat Speciale Olimpike mes 7 000 atleteve nga 170 shtete.
Sipas familjarëve Alisa e ka mirëpritur këtë garë dhe po stërvitet intensivisht, dhe shpreh dëshirën për t’u përfaqësuar denjësisht dhe për të sjellë medaljen e artë në Lezhë.
Babai i Alisës deklaron se ajo do të garojë në not në 25 dhe 50 metër stil i lirë.
Edhe pse vështirësitë për t’u stërvitur janë të mëdha, pasi në Lezhë nuk ka ekip noti apo mundësi stërvitjeje, dhe ndaj detyrohen,që në mënyrë private të shkojnë të stëtvitet 3 herë në jave në pishina private në Shkodër.
Alisa ka forcë muskulore në krah, rrëshqitje natyrale në ujë, aftësi të mbajtjes së frymës në ujë, dhe noti është sporti i saj i preferuar.
Me vullnetin, punën dhe përkushtimin Alisa Boçi do të jetë një përfaqësuese dinjitoze jo vetëm e Lezhës, por e gjithë Shqipërisë në “Berlin 2023”.
Nga data 17 – 25 qershor 2023, Berlini i Gjermanisë do të mirëpresë 7000 atletë të Olimpiadës Speciale Botërore të Lojrave, partnerë të unifikuar nga rreth 170 vende për të garuar në 24 sporte. Atletët do të mbështeten nga më shumë se 3,000 trajnerë dhe 20,000 vullnetarë. /Nga Lindita KOKAJ/