Jozef Martini është diplomuar në Akademinë e Arteve në Atelierin e Tekstilit në vitin 1988. Nën drejtimin e një artisti të madh si Danish Jukniu, ai arriti të kultivojë një ndjesi të lartë të ndjeshmërisë artistike, si dhe aftësive vizatuese.
Këtë ndjeshmëri, ai e shndërroi në raporte dekorative, duke shmangur tredimensionalitetin me një përqasje dydimensionale, e cila u kthye si një udhërrëfyes artistik i Jozef Martinin (Bepi).
Pas diplomimit, ai solli shumë shpejt në tregun shqiptar një frymë të re dizajni, me një tendencë moderniste tejet guximtare për kohën. Natyrisht që tregu i asaj kohe ishte i tejngopur me uniformitetin e tekstileve që ofroheshin, ndaj prurjet e Bepit u cilësuan inovative. Në vitet ‘90 ai u largua për në Itali.
Duke parë aftësitë e tij piktorike dhe krijuese në fushën e tekstileve, Jozef Martini u zhvendos në Komo, ku edhe sot e kësaj dite është pjesë aktive në krijimtarinë e ndërtimit të dizajnit të tekstileve, e cila përbën pjesën më domethënëse dhe të domosdoshme në industrinë e modës.
Ajo që ra në sy fillimisht ishin aftësitë për të ndërtuar nëpërmjet manualitetit imazhet e tekstileve, si dhe virtuoziteti në ndarjen e paterne koloristike me mjeshtëri të lartë.
Në atë periudhë, përveç teknikave tradicionale më të përparuara në design e realizim, fillon aplikimi e pasurimi me teknika piktorike, manuale dhe dixhitale, duke i dhënë mundësinë të këtë një njohje të plotë në tërësinë e metodave nga ato historike e deri te më inovativet.
Pasi punon disa vite pranë kompanive italiane, në vitin 2001 hap studion private të design.
Njohja e thellë e gjithë procesit të ideimit, krijimit e realizimit të artwork me tërësinë e metodave piktorike manuale e dixhitale, si dhe të realizimit, deri në produkt final, i jep mundësinë të bashkëpunojë me markat më në zë në fushën e modës.
Një ndër klientët e Jozefit është dhe firma tejet e njohur e tekstileve, “Martin Rose”. Përveç punës për markat e tjera, që në këto vite përfshihet në mbi 4 mijë projekte në print design, krijon dhe markën me emrin e tij.
Fillimisht me aksesorë cilësorë të modës në mëndafsh, dizenjuar, prodhuar e konfeksionuar me dorë në Komo e pastaj duke e zgjeruar gamën e prodhimeve me koleksione verore plazhi, sporti etj.
Pasioni dhe mirënjohja për rrënjët e nxitën që të ruajë kontakte shumë të shpeshta me Shqipërinë, duke ndihmuar prodhues lokalë.
Në vitin 2022 mori pjesë në Panairin e Tekstilit në Expocity në Tiranë, ku prezantoi punët më të fundit, në të cilat zotohet se do të ketë periodikisht referime në design Shqipërinë e sidomos qytetin e tij, Shkodrës.
Këtë sezon hap show-room e parë në Shqipëri, në qendrën historike të Shkodrës.
Pavarësisht suksesit në Itali, ai e ka të pamundur të ndahet nga Shkodra, ku prej disa javësh ka hapur markën e tij, me produktet e tekstileve për sezonin e verës, si shalle mëndafshi, peshqirë, rroba banje, “t-shirt” etj.
Produktet e tij dallohen për një imazh hipnotizues dhe koloriti i qartë, duke theksuar disonancat që nxjerrin në pah vetëdijen artistike për qartësinë dhe sigurinë që ai transmeton.
Përkrah imazheve të qarta, aftësitë kompozicionale dhe siluetat e mirëmenduara e bëjnë të jetë intrigues edhe për shtresëzimin historik dhe të rrëfimtarisë së qytetit që ai e do kaq shumë, Shkodrën.
Nëse dikush do të ketë një pjesë së historisë së paekspozueshme të Shkodrës, e gjen atë në pëlhurat e strukturuara nga Jozef Martini, i cili e ka projektuar atë me një dashuri të pakushtëzuar.
Për lexuesit po sjellim disa nga produktet e krijuara nga Jozef Martini, të cilat tashmë janë të aksesueshme nga publiku ynë, si krijime origjinale dhe vepra të arti të mirëmenduara. /Monitor.al/