Në Famullinë dhe Bibliotekën “Zoja e Shkodrës” u kujtua një prej figurave me një kontribut të rëndësishëm social. “Dedë Gazulli, një ditëlindje në amshim” u emërtua kështu takimi për përvjetorin e parë të lindjes pas ndarjes nga jeta. “Një person me një humanizëm të veçantë”, e konsideron Dedë Gazullin, famullitari Dom Vlash Palaj.
Revista “Shkenca dhe Jeta” ishte koleksioni që familjarët e Dedë Gazullit dhuruan për Bibliotekën “Zoja e Shkodrës”.
Dedë Gazulli ishte një nga ata persona të thjeshtë që la gjurmët e tij në jetën e qytetit. Ai dha kontribut të madh si drejtues i Sektorit Kundër Dhunës në Familje dhe Mbrojtjes së të Miturve në Policinë e Shkodrës, po ashtu edhe si ish-anëtar i Koalicionit të Anti-Drogës. Ai ishte jo vetëm një njeri i cultures, por edhe një qytetar i denjë i Shkodrës. Ndonëse pa një dekoratë shtetërore, Dedë Gazulli e kishte marrë prej kohësh dekoratën popullore përmes vlerësimit dhe respektit që gëzonte Shkodra për të.
Ndërsa Vinifreda Gazulli, vajza e të ndjerit, shkruan kështu në rrjete sociale: Kështu vendosëm me e kujtu babën në ditëlindjen e parë të mungume mes nesh, duke dhuru një nga koleksionet e bibliotekës private të tij për Biblioteka “Zoja e Shkodrës” mes miqve të ngushtë.
Koleksioni shkencor i dhuruar u lidh në vitet ’70 dhe ’80 me shumë kujdes nga ai dhe sot ka një vlerë të veçantë për hulumtuesin. Asgja se ndali babën në rrugën drejt dijes, kështu që sot emri i tij gjindet edhe mes librave të Bibliotekës “Zoja e Shkodrës”.