Gaspër Marku nuk është thjesht dhe vetëm gazetar, gazetar sportiv, moderator, prezantues, ideator në media. Nga njohja e gjatë me të, që në ditët e para të mediave lokale në Shkodër, vit pas viti e kam kosoliduar bindjen se udhëhiqet nga një pasion i jashtëzakonshëm, i shoqëruar nga një përkushtim që profesionin që ka zgjedhur prej shumë e shumë vitesh, ja ka kthyer në mision. Promovimi i sportit shkodran e shqiptar, i figurave të spikatura dhe me peshë edhe në nivel kombëtar, evidentimi edhe i problematikave të ndryshme, janë misioni i tij prej dekadash.
Njohja me Gacin është e kahershme dhe në disa raste, kemi qenë edhe pjesë e një redaksie në mediat lokale. Emisionet e tij, të aktualitetit sportiv por edhe të vlerësimit të personazheve nga sporte të ndryshme, janë trashëgimi jo vetëm e mediave lokale por edhe atyre kombëtare, vlerë për sot e pasuri për vitet që do të vijnë. Prej dekadash, ku ka një event sportiv, asnjëherë nuk mungon Gac Marku. Jo radhë herë, i përmbush të gjitha vetë të gjitha: si gazetar ashtu edhe operator. Dhe nuk mërzitet apo lodhet asnjëherë.
Prej disa kohësh, ai ka ndërtuar edhe hapësirën e tij mediatike. VeriuSport po ecën në të njëjtën linjë me Gaspër Markun, duke qenë ndoshta përcjellësi më i mirë, më i kopletuar i të gjitha eventeve sportive. Një pjesë e konsiderueshme e tyre, edhe direkt përmes transmetimit në rrjetet sociale. VeriuSport, ashtu si edhe vetë Gac Marku në arealin e mediave, me shumë siguri, do të regjistrojë emrin e tij edhe në vitet që vijnë.
Pse këto rreshta për Gaspër Markun? Pse pikërisht tani? Është thjeshtë dhe vetëm një vlerësim publik për një koleg, vlerësim që mbase mund dhe duhej të kishte ardhur edhe para 15 apo 20 viteve sepse pasioni dhe përkushtimi i tij për sportin, për median sportive, nuk ka njohur asnjëherë zbehje. Është ditëlindja e Gacit, ku vitet nuk tregojnë asgjë, aspak nga ajo dinamikë që ne e njohim në përditshmëri prej shumë e shumë vitesh pa ndërprerje. Gaspër Marku thjesht regjistroi edhe një tjetër vit suksesi në karrierën e tij, e cila me gjasë nuk do të njohë rënie për shumë e shumë dekada.
Gëzuar ditëlindjen Gaci, jo vetëm në emrin tim dhe të kolegëve që punojmë çdo ditë bashkë por edhe të tjerëve, brenda e jashtë Shqipërisë dhe që me shumë mundësi, i bashkohen këtij urimi modest. Shkodranët, tifozë ose jo të sporteve, të urojnë çdo ditë sepse çdo ditë ti je mes tyre, si një përditshmëri që nuk mungon prej vitesh e nuk do të mungojë edhe për shumë e shumë vite të tjera! /Nga Blerti DELIJA/