Sot do të shkruajmë për një artist që i ka falur shpirtin Shkodrës dhe jo vetëm me këngët e tij por edhe me artin në përgjithësi dhe e kemi fjalën për artistin Gjokë Vata, i cili pikërisht sot feston 86 vjetorin e lindjes.
Gjokë Vata u lind me 15 korrik 1935 në Jeshnicë (bjeshkë e Vermoshit). Në moshën 2-vjeçare ai humbet shikimin. Si rezultat i një varfërie të tejskajshme, Gjoka kur ishte 5 vjeç së bashku me nënën e tij braktisin vendin e tyre të banimit, për një të ardhme më të mirë dhe lëvizin drejtë Shkodrës ndërsa duhet thënë se artisti kishte humbur babain kur ishte vetëm 6-javësh.
Shenjat e dukshme të një këngëtari dhe artisti Gjokë Vata do t’i shfaqte që në moshën 6-vjeçare. Gjatë kësaj periudhe duket sikur arti që transmetonte me zërin e tij fëmijëror dhe mjaft të pëlqyer nga publiku, ai do të ngadhënjente mbi vuajtjet që krijonte varfëria ekonomike në mjedisin ku jetonte artisti.
Në moshën 9-vjeçare ai do të bënte përpjekjen e parë sa i përket krijimit të një kënge duke shkruar tekstin e saj dhe duke e kompozuar atë si edhe duke e prezantuar nëpër ndonjë prej eventeve të rastit që zhvilloheshin asokohe.
Në moshën 14-vjeçare do të niste mësimet e para për instrumentin e pianofortes dhe me dëshirën e madhe që ai kishte për artin nuk do të hezitonte asnjëherë të humbiste mundësinë për t’i marrë ato leksione sa herë do t’i jepej mundësia. Ndër njerëzit që e dëgjuan dhe i kuptuan vullnetin tejet këmbëngulës të Gjokë Vatës për të mësuar më shumë ishte edhe Prenkë Jakova, i cili do ta inkurajonte dhe madje edhe do t’i premtonte se do të bënte çmos për ta ndihmuar Gjokën.
Në njërën nga ato ditë do të takonte në mënyrë rastësore, përgjegjësin e muzikës në Radio Shkodra: Sedatin Haxhin. Ai do ta përgëzonte Gjokën për të gjitha arritjet e tij modeste deri në atë moshë ndërsa artisti Gjokë Vata do t’i ankohej për mundësinë e pakët të gjetjes së pianove në Klubin e Rinisë si dhe në Shtëpinë e Kulturës. Përgjegjësi i muzikës, Sadetin Haxhi do ta ftonte Gjokën të studionte instrumentin e pianos pranë Radio Shkodrës çdo ditë sa herë të dëshironte Gjoka.
Një ditë ndërsa po ushtronte në piano pranë ambienteve të Radio Shkodrës do të vinte për vizitë një zyrtar i kohës me emrin Bedri Spahiu, të cilit Sadetin Haxhi do t’i fliste për dëshirën dhe vullnetin e Gjokës, ndërsa do të merrte premtimin nga zyrtari i kohës se do të interesohej më shumë për artistin Gjokë Vata.
Të nesërmen e asaj dite, ndërsa Gjoka ndodhej në Shtëpinë e Kulturës, ku kishte ardhur për vizitë një tjetër delegacion, ndër ta edhe Gaqo Avrazi, ish drejtues i korit të ushtrisë e pasi rastisi ta degjonte teksa performonte, do t’i premtonte Prenkë Jakovës interesimin personal nga ana e tij.
Si rezultat i interesimit të paraqitur, Gjokë Vata do të fitonte një bursë studimi për pianoforte në Liceun Artistik dhe brenda pak kohësh do të fillonte të kompozonte me artin e tij, krijime që do të vlerësoheshin nga një grup ekspertësh të Komitetit të Arteve dhe Kulturës dhe në këtë kohë do të botonte edhe poezitë e tij të para në revistën “Nëntori”.
Ndërsa përparimi në këto dy drejtime po bëhej i dukshëm, pas 3 viteve studim, do t’i premtohej një bursë studimi jashtë shtetit në Konservator për kompozicion. Megjithatë çdo gjë do të venitej, pasi Gjokë Vata kishte nisur të shfaqte bindjet e tij që ishin në kundërshtim me sistemin e kohës. Si rezultat i gjithëkësaj, ai do të përjashtohej nga shkolla ku studionte dhe për të do të niste një kalvar vuajtjesh dhe persekutimi.
Në vitet ’90 do të rifillonte të jepte kontributin e tij artistik, duke kënduar në meshën e parë të ringjalljes së tempujve fetare këngë si: “Ave Maria” të Shubertit. Asokohe “Zëri i Amerikës” do ta quante si këngëtarin e parë të demokracisë shqiptare. Veprimtaria e tij gjatë këtyre viteve do të përfshinte kompozimin e disa këngëve të ndryshme, ndër të cilat edhe këngën “Yjet që adhuroj” e interpretuar me vajzën e tij, Venona Vatën në Festivalin e Këngës në Radio Televizion. Për këtë këngë, artisti Gjokë Vata ka folur me tepër nostalgji edhe në një intervistë të realizuar me të pikërisht për programin “Kënga Juaj” në Radio Shkodra në qershor të vitit 2020.
Të njohura janë edhe këngët “Natë vjeshte” dhe “Balada e mërgimtarit”, madje kjo e fundit do të ishte edhe kolona zanore e dokumentarit “Armiku im” i xhiruar në veri të vendit nga një ekip i televizionit shtetëror italian “RAI”. Gjatë shfaqjes së këtij dokumentari në vende të ndryshme të Evropës, muzika e filmit por në menyrë të veçantë kënga “Balada e mërgimtarit” morën vlerësime të larta nga kritika e këtyre vendeve.
Sa i përket drejtimit letrar, Gjokë Vata do të merrej fillimisht me publicistikë dhe do t’i botonte shkrimet e tij në gazetat lokale të kohës si: “Besa”, “Shkodra”, “Shqipëria Etnike” si dhe në gazetat kombëtare: “Rilindja Demokratike”, “55”, “Republika”, “Mapo”, “Sot” etj. Gjithashtu ai ka botuar edhe vëllimet me poezi si: “Nata e dhimbjeve”, “Frymëzime mendimesh”, gjithashtu vëllimin me poezi satirike “Gjuha e thimcit” si dhe botime në prozë ku veçojmë: “Ditari i kujtimeve të mija” ku së fundmi ky botim gjendet edhe në variantin elektronik.
Artistit Gjokë Vata i është akorduar edhe titulli “Krenaria e Qytetit” nga Bashkia e Shkodrës në vitin 2000 ndërsa në moshën 80-vjeçare ka marrë pjesë dy herë radhazi në spektaklin “Këngët e Shekullit”. /Nga Marjo GJINI/