Nga një biznes modest i nisur në vitin 1994, kompania “Gega Oil Group” e drejtuar nga znj. Donike Gega, aktualisht furnizon me karburant 40% të tregut vendas të shumicës dhe gjysmën e jahteve luksoze që vizitojnë Shqipërinë. Një aktivitet i shtrirë edhe në rajon deri te projektet e gjelbra (green), me ngritjen e stacioneve për rikarikimin e makinave elektrike.
Në intervistën për “Monitor” znj. Gega e konsideron rrugëtimin e saj si sipërmarrëse përgjegjësi që kalon në plot sfida që do të zgjasin gjithë jetën, por forca kryesore për kapërcimin e tyre është te familja. Në të ardhmen, kompania do të fokusohet edhe në një tjetër investim ambicioz, në ofrimin e shërbimit HoReCa në stacionet e karburantit, me qëllimin shndërrimin e tyre, në pika reference për udhëtarët e shumtë.
Për sa i përket çmimit të lartë të karburantit në Shqipëri krahasuar me shtetet e rajonit, sipas saj vjen tërësisht për shkak të regjimit të rëndë tatimor që zbatohet në vend, ku paguhen 4 taksa dhe 2 tarifa koncesionare.
Pyetje: Kompania “Gega Oil Group SHA”, e themeluar në 2007, operon prej 17 vitesh në treg. Si është ecuria e aktivitetit gjatë këtyre viteve?
Pergjigje: “Gega Oil Group SHA” ka një histori më të gjerë në industrinë e hidrokarbureve. Ndërsa “Brand-i” “Gega Oil Group” u krijua zyrtarisht në 2007, udhëtimi ynë filloi shumë më herët. E kemi nisur fillimisht aktivitetin tonë në vitin 1994, me hapjen e stacionit tonë të parë të karburantit në qytetin e Shkodrës.
Ndonëse një stacion paksa modest, rezultoi që të ishte mjaft i suksesshëm, dhe aty filluam të kuptojmë që mund të kishim një të ardhme në këtë industri totalisht të panjohur për ne. Prej atëherë, kemi arritur që të zgjerohemi edhe me furnizimet me shumicë, duke ofruar produkte karburanti edhe për stacione të tjera dhe subjekte private që kishin në flotën e tyre dhjetëra automjete.
Në vitin 2012, përfunduam ndërtimin e terminalit tonë të magazinimit në Porto Romano, Durrës, duke na mundësuar të importojmë me anije dhe të magazinojmë produkte të rafinuara direkt në terminalin tonë. Deri në atë kohë, ne operonim në treg me rreth 9 stacione karburanti. Pas përfundimit të terminalit tonë, filluam një fushatë intensive zgjerimi për ndërtimin dhe marrjen me qira të stacioneve të tjera të karburantit në të gjithë Shqipërinë, duke siguruar prani në çdo qytet kryesor.
Në vitin 2018, prezantuam sistemin elektronik të kartave për klientët, duke ofruar tollona të parapaguar dhe zbritje të ndryshme promocionale në stacionet tona. Sot, ne menaxhojmë me krenari mbi 95 stacione karburanti nën markën “Gega Oil” dhe furnizojmë rreth 40% të tregut vendas përmes aktivitetit me shumicë.
Veprimtaria jonë shtrihet përtej Shqipërisë, duke furnizuar rreth 36% të tregut të Kosovës, 16% në Mal të Zi dhe 11% në Maqedoninë e Veriut. Përveç kësaj, ne furnizojmë rreth 50% të jahteve që vizitojnë Shqipërinë me karburant, si dhe pjesën më të madhe të anijeve të peshkimit në vendin tonë.
Pyetje: Kompania është duke investuar edhe në projektet e gjelbra, konkretisht në ngritjen e stacioneve për rikarikimin e automjeteve elektrike. Si ka vijuar ky investim për realizimin e objektivave të vendosura nga kompania deri në fund të 2024?
Pergjigje: Duke parë se projektet e gjelbra janë bërë një pjesë përbërëse e një trendi mbarëbotëror gjithnjë e në rritje brenda industrisë së hidrokarbureve, edhe për “Gega Oil”, reduktimi i emetimeve të karbonit dhe promovimi i transportit të qëndrueshëm është pjesë thelbësore e misionit tonë.
Aktualisht jemi në fazën e parë të instalimit të karikuesve për automjete elektrike (EV) në pesë stacione, duke mbuluar në mënyrë strategjike akset kryesore nacionale të Shqipërisë.
Shpejtësia e karikimit të këtyre stacioneve varion nga 60 kW/h deri në 120 kW/h, duke siguruar një shërbim efikas dhe të shpejtë për përdoruesit e automjeteve elektrike.
Ky rrjet do të lehtësojë opsionet e karikimit, duke nxitur më shumë shoferë që të kalojnë te përdorimi i makinave elektrike. Si një kompani e hapur ndaj ndryshimit, ne e mbështesim plotësisht këtë tranzicion dhe jemi të përkushtuar për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme për shoferët shqiptarë dhe vizitorët e huaj.
Synimi ynë është të kemi 20 stacione karikimi për EV, të gatshëm deri në fundvitin 2025. Këta karikues do të vendosen në mënyrë strategjike, për të maksimizuar mbulimin dhe aksesueshmërinë territoriale, duke bërë të mundur që shoferët të udhëtojnë nëpër Shqipëri me besim në mundësinë e tyre për të karikuar në çdo kohë automjetin.
Të gjithë këto stacione, do të ofrojnë dhe shërbime tjera si: Coffee shop, market, lavazh robotik, etj. Stacionet tona të karikimit do të shfaqen në mënyrë sa më të aksesueshme për rezervime paraprake online në aplikacione të spikatura si “ChargePoint” dhe “PlugShare”.
Mund të them me bindje se po bëjmë hapa të konsiderueshëm për t’iu përshtatur ndryshimeve të kohës, duke sinjalizuar një angazhim të qartë jo vetëm te konsumatori, por dhe tek autoritetet rregullatore të industrisë, për një të ardhme më të gjelbër.
Mesazhi: Këshilla ime për femrat e reja sipërmarrëse është që, pavarësisht nga lloji i sipërmarrjes që mund të zgjedhin, të kenë përkushtim maksimal në atë fushë, ndonëse shpeshherë përkushtimi do të vijë me koston e teprisë dhe do t’iu marrë shumë orë nga jeta e tyre sociale dhe familjare. Sipërmarrja nuk është thjesht një rol, por një rrugëtim plot përgjegjësi, vështirësitë e të cilit do të zgjasin po aq sa vetë jeta e njeriut, ndaj është e rëndësishme që të kenë pranë njerëzit më të afërt për të përballuar edhe ato sprova që në dukje mund të shfaqen si të papërballueshme.
Pyetje: A ka arritur kompania të ketë gjatë këtyre viteve një pozicion të favorshëm edhe në rajon për sa i përket zgjerimit të pikave të shitjes së karburantit?
Pergjigje: Po, kompania ka arritur vërtet një pozicion të favorshëm në rajon gjatë viteve, duke u kthyer në një nga furnizuesit kryesorë të karburantit në Kosovë, Mal të Zi dhe një pjesë të Maqedonisë së Veriut . Kjo e ka pozicionuar kompaninë GEGA OIL GROUP si një burim i besueshëm për karburant.
Shumë stacione karburanti, që operojnë në këto vende, janë furnizuar nga ne për një periudhë të konsiderueshme, dhe kemi afruar dhe shumë klientë të rinj që janë të gatshëm të punojnë me ne, për shkak të standardeve tona të larta të cilësisë së produkteve dhe aftësisë sonë për të përmbushur kërkesat e tyre ditore.
Pavarësisht mundësive për të hapur stacione të reja karburanti dhe për t’u zgjeruar në shtete të tjera, kemi zgjedhur që të mos ta bëjmë, në mënyrë që të shmangim konkurrencën me klientët tanë aktualë që importojnë dhe tregtojnë produktet tona me shumicë në rajon.
Pyetje: Sipas jush, pse Shqipëria vijon të ketë çmime më të shtrenjta të karburantit krahasuar me vendet e rajonit, apo edhe më shtrenjtë se disa shtete europiane? Cilat janë arsyet që e shtrenjtojnë çmimin krahasuar me shtetet e tjera?
Pergjigje: Shkaku kryesor që çmimet e karburanteve janë konsiderueshëm më të shtrenjta sesa vendet e rajonit është sepse Shqipëria aplikon një regjim të rëndë tatimor. Në janar të këtij viti, akciza mbi naftën kapi vlerën 38.79 lekë/litër pas indeksimit sipas përqindjes së inflacionit.
Pastaj kemi taksa të tjera, si taksa e karbonit (3 lekë/litër), taksa e qarkullimit (27 lekë/litër), dhe të gjitha këtyre iu bashkëngjitet dhe TVSH-ja. Të mos harrojmë këtu edhe taksat që lëvrohen për llogari të kompanive koncesionare, si taksa e markimit, operuar nga GFI Albania (rreth 0.8 lekë/litër), dhe skanimi i autoboteve, operuar nga kompania S2 Albania (rreth 1.4 lekë/litër). Këto taksa ndikojnë drejtpërdrejt në koston finale të produktit, pasi paguhen detyrimet fiskale nga operatorët importues.
Një arsye tjetër e hendekut të çmimeve vjen edhe për shkak të strukturës së financimit dhe premiove të vendosura mbi çmimin e Bursës së Mesdheut nga furnitorët tanë, e cila e përkthyer në kosto për litër e rrit çmimin fundor me rreth 2 lekë/litër.
Pyetje: Ku e shihni kompaninë “Gega Oil Group” në 10 vitet e ardhshme?
Pergjigje: Me një përkushtim të vazhdueshëm për inovacionin, qëndrueshmërinë dhe përmbushjen e nevojave të klientëve, synojmë që gjatë dekadës së ardhshme, “Gega Oil Group” të zgjerojë gamën e produkteve, të eksplorojë në tregjet e reja dhe të forcojë pozitën e saj si pioniere edhe në sektorin e energjisë fotovoltaike.
Përveç kësaj, pjesë e vizionit afatgjatë është që kompania të adoptojë teknologjitë e reja, për të optimizuar operacionet, dhe për të mbajtur një avantazh konkurrues në këtë industri, e cila po zhvillohet me shpejtësi.
Për më tepër, kompania jonë planifikon të investojë në stacione karburanti kyçe, duke përfshirë shërbime shtesë të rëndësishme, në veçanti në sektorin HO-RE-CA, dhe duke u zgjeruar në produkte dhe shërbime të tjera që e lehtësojnë zgjedhjen për udhëtarët, e duke shtuar shërbime të tjera si: Bankomate, Alipay, Venmo, karikues për makina, autolarje robotike, etj.
Kjo qasje synon të zvogëlojë kohën e shpenzuar në ndalesa të ndryshme, duke ofruar shërbime të plota, cilësore dhe produkte të besueshme në një vend të vetëm dhe duke i transformuar këto stacione në pika reference për shumë udhëtarë.
Pyetje: Çfarë këshille do t’i jepnit brezit të ri të grave sipërmarrëse?
Pergjigje: Këshilla ime për femrat e reja sipërmarrëse është që, pavarësisht nga lloji i sipërmarrjes që mund të zgjedhin, të kenë përkushtim maksimal në atë fushë, ndonëse shpeshherë përkushtimi do të vijë me koston e teprisë dhe do t’iu marrë shumë orë nga jeta e tyre sociale dhe familjare.
Sipërmarrja nuk është thjesht një rol, por një rrugëtim plot përgjegjësi, vështirësitë e të cilit do të zgjasin po aq sa vetë jeta e njeriut, ndaj është e rëndësishme që të kenë pranë njerëzit më të afërt për të përballuar edhe ato sprova që në dukje mund të shfaqen si të papërballueshme. Është e rëndësishme që të lënë mënjanë pasigurinë, veçanërisht përballë trendeve të panumërta të kohës, që kërkojnë aftësi të shpejtë përshtatshmërie apo vendimmarrjeje. Mbi të gjitha, iu them që familja është forca e jetës, dhe pastërtia e asaj force duhet të reflektohet edhe në mënyrën e të bërit biznes.
Prandaj duhet të vlerësojnë edhe ndihmën që do t’iu ofrojnë të tjerët, sado minimaliste qoftë ajo, sepse ndihma e sinqertë do të jetë gjithmonë një ogur i mirë për suksesin e tyre.
Çmimet e karburanteve
“Shkaku kryesor që çmimet e karburanteve janë konsiderueshëm më të shtrenjta sesa vendet e rajonit është sepse Shqipëria aplikon një regjim të rëndë tatimor. Në janar të këtij viti, akciza mbi naftën kapi vlerën 38.79 lekë/litër pas indeksimit sipas përqindjes së inflacionit. Pastaj kemi taksa të tjera si taksa e karbonit (3 lekë/litër), taksa e qarkullimit (27 lekë/litër), dhe të gjitha këtyre iu bashkëngjitet dhe TVSH-ja. Të mos harrojmë këtu edhe taksat që lëvrohen për llogari të kompanive koncesionare, si taksa e markimit, operuar nga GFI Albania (rreth 0.8 lekë/litër), dhe skanimi i autoboteve, operuar nga kompania S2 Albania (rreth 1.4 lekë/litër).” /Intervistoi: Dorina Azo, MONITOR/