Nga Shkodra sjellim historinë ndryshe të një gruaje e cila gjithë jetën ja ka kushtuar xhubletës. Historia e Files është histori frymëzimi dhe njëkohësisht dëshmi e gjallë e përjetësimit të një trashëgimie kulturore botërore, trashëguar brezash.
File Kola, 70 vjeç,nga Vukli i Tamarës, është mbartëse e dijebërjes së Xhubletes dhe është pjesë e Inventarit të Trashegimise Kulturore Jomateriale. Sot gruaja 70 vjeçare, kujton fëmijërinë e saj në një shtëpi tipike malësore që mbante në arka xhubleta të paprekura për pajë.
Filja, mes shumë sakrificash, gëzonte një familje të madhe me 7 fëmijë. Që në moshën 7 vjeçare, gjyshja e detyroj atë të mësonte teknikat e endjes së xhubletës.
‘Ajo kishte një prani që kërkonte vëmendje dhe respekt sa herë që hynte në dhomë. Nëpër shtëpi, gjithnjë na urdhëronte të mësonim teknikat e endjes së xhubletës. Herë pas here, zbriste nga dhoma e gjumit herët në mëngjes, hapte të gjitha dritaret dhe dyert dhe na thërriste në ‘aksion pune’’– kujton Filja. Për të, si fëmijë gjithnjë ngjyra e zezë mbetej një mister, ndërsa që në një moshë të vogël mahnitej dhe kuriozohej teksa mësonte qendisjen me motive plot ngjyra të forta, ciklamin, vjollcë e jeshil mbi një copë të zezë. Ende sot e kësaj dite, ajo i do shumë ngjyrat dhe nuk e koncepton shkëlqimin e xhubletës pa ornamentet shumëngjyrëshe dhe zbukurimet metalike.
‘Xhubleta është mjeshtëri’ – shprehet Filja, teksa tregon se të prodhohet një xhubletë kërkonte 6 deri në tetë muaj.
‘Të presish dhe të qepish një kostum, prej kaq shumë copash, nuk ishte lehtë, kompletimi i një xhublete donte disa muaj punë intensive. Edhe qendisja dhe zbukurimi i xhubletës ishte një punë po aq e nderlikuar sa edhe vetë prerja.Përdorimi i një sasije të konsiderushme spiku të zi në 5-6 rreshta të ngjeshur, kërkonte shumë durim shkathtësi dhe intuitë të pa gabueshme.’
Në pajë, Filja trashëgoi 8 xhubleta, hajmali, gërshana dhe postava që i ruan me fanatizëm edhe sot, ndërsa ditën e dasmës mbante të veshur xhubletën që kishte veshur gjyshja dhe nëna e saj në këtë ditë ceremoniale.
Sot, ajo dijebërjen e ka trashëguar tek e bija e cila përdor mirë realizimin e spikut ndërsa derdhja e tij bëhet specifikisht në koshin e spikut pa të cilin nuk mund të mbështillet peri.
Gruaja me vullnet të hekurt që end xhubletën, pranon se sfida më e madhe sot është sigurimi i bazës materiale, si koshi i spikut që është i rrallë, ku sot numërohen më pak se 3 të tilla. Koshin e spikut e ka punuar me dorë bashkëshorti i Files, i cili e ndihmon atë në procesin e punës së realizimit të teknikës së xhubletës.
Filja, ndjehet tejet e lumtur që xhubleta është krenari botnore, ndërsa përlotet tek merr telefonata të shumta për këtë lajm që ka prekur thellësisht krenarinë e qindra malësorëve. /Publikuar në Facebook nga DRTK Shkodër/