Oli Pero është një vajzë shkodrane që jeton në Montreal të Kanadasë. Ajo ka mbaruar studimet për financë dhe kontabilitet në Universitetin e Shkodrës. Është themeluese e një organizate vullnetare që quhet “Animals Need Me”, veprimtaria e së cilës është e bazuar në Shkodër. Për veprimtarinë, pasionin, dhe përditshmërinë e saj në Kanada për gazetën “Diaspora Shqiptare” zhvilluan këtë intervistë
Kur keni ardhur në Kanada, dhe cilat janë arsyet e ardhjes?
Kam mbërritur në Kanada në shkurt të 2017, mbas një përpjekjeje 6 vjeçare, aplikimesh, intervistash dhe pritjesh. Vendosëm të aplikonim për mundësi më të mira punësimi dhe jetese. Por më duhet ta pranoj që pavarësisht se jemi punësuar shumë shpejt, emigracioni nuk qe i lehtë. Një mall i jashtëzakonshëm për vendin tonë, familjen, miqtë, dhe gjithçka që krijuam atje. Pavarësisht se në Kanada, na janë ofruar shumë të mira dhe ia kemi dalë të ndërtojmë një jetë dinjitoze për familjen, unë ndjej që nuk përkas në Kanada.
Punoni në Kryqin e Kuq Kanadez? Si do ta përshkruaje një ditë pune aty?
Punoj në Kryqin e Kuq prej qershorit të 2017. Kam filluar si asistente administrative dhe me kalimin e kohës jam promovuar në postin e konsulentes në departamentin e Menaxhimit të Emergjencave. Në punën time të përditshme jam në kontakt me kompanitë dhe fondacionet më të mëdha të Kebekut dhe Kanadasë, për të rekrutuar, trajnuar dhe mobilizuar punonjësit e tyre, të cilët duan të ndihmojnë në raste katastrofash natyrore.
Merrem me implementimin e strategjisë kombëtare dhe provinciale të organizatës, sa i takon programit “Ready when the time comes”, rritjen e angazhimit të komunitetit të biznesit dhe rritjen e përgatitjes së punonjësve të tyre për të marrë pjesë në operacione të ndryshme emergjencash.
Sa e njihni komunitetin shqiptar në Kanada?
Njoh një pjesë të mirë të shkodranëve në Montreal, me të cilët edhe shoqërohem. Ndihem me fat pasi jam e mirërrethuar. Në një vend të huaj, ku nuk njeh asnjeri, sidomos në fillim të emigracionit, është e rëndësishme të kesh afër dikë që flet gjuhën tënde dhe i kupton vështirësitë me të cilat hasesh. U jam mirënjohëse secilit pasi në shumë momente mbështetemi te njëri-tjetri.
Kam patur fatin të njihem gjithashtu me bashkatdhetarë të tjerë nga Shqipëria dhe Kosova. Disa prej tyre janë edhe faktor në komunitet. Mendoj që secili prej nesh mund të përpiqet me sa ka mundësi të ndihmojë emigrantët e rinj, qoftë ky suport moral, ndihmë në gjetjen e një pune, referenca drejt shërbimeve të ndryshme, etj.
Në urimin tuaj për Ditën e Gruas më 8 mars, postimin ia keni dedikuar kryesisht vajzave dhe grave që kanë bërë shumë në mbrojtjen e kafshëve. Si është e e mundur që me këtë temë të merren vetëm vajzat dhe gratë?
Mendoj që vajzat dhe gratë kanë më tepër ndjeshmëri dhe pastërti në trajtimin e gjitha çeshtjeve që marrin përsipër. Në mijëra vite qytetërim dhe role shoqërore të pranuara, përkujdesja është shkruar në ADN tonë. Instikti mëmësor, mbrojtja e fëmijëve, bën që të kemi më tepër inteligjencë emocionale për të kuptuar nevojat e dikujt tjetër, qoftë ky njeri apo kafshë. Sot kemi një emancipim më të lartë të vajzave dhe grave ndaj sigurisht që pjesëmarrja e tyre është rritur në çdo fushë.
Mbase pyetja dhe retorika mund të ishte: Pse nuk ka një përfshirje më të madhe të djemve dhe burrave në sferën sociale, kur të gjitha fenomenet dhe problemet shoqërore i prekin edhe ata?
Çfarë ju shtyri të merreni me kafshët?
Dashuria ime për kafshët ka lindur bashkë me mua. Madje fjala e parë që kam thënë ka qenë “micë” (mace). Kam ëndërruar gjithmonë të kisha fuqinë për të ndryshuar realitetin e tyre në Shqipëri. Ata meritojnë të jetojnë në familje të mira, jo të nëpërkëmben rrugëve.
Me rritjen dhe vendimin për t’u përfshirë në këtë çështje, pasioni u kthye në mision. Por kjo do ishte shumë më e thjeshtë nëse do kishte edhe të tjerë që ndihmojnë. Akoma më ideal do ishte rasti kur institucionet dhe gjithë qytetarët, të mbajnë pjesën e tyre të përgjegjësisë. Kafshët në rrugë nuk mbijnë nga hiçi. Shumica janë braktisur pa mëshirë dhe si të tillë meritojnë dhembshuri e përkujdesje.
Jeni themeluese e organizatës joqeveritare “Animals Need Me”. A mund të na flisni për rolin që ka luajtur shoqata në mbrojtjen e të drejtave të kafshëve në Shkodër dhe më gjerë?
“Animals Need Me” u themelua në dhjetor të vitit 2012, si një përpjekje vullnetare për të trajtuar fenomenin e kafshëve endacake, duke shpëtuar, strehuar, mjekuar, adoptuar kafshë endacake të sëmura, aksidentuara, braktisura etj. Është e para dhe e vetmja organizatë e ligjëruar në Shkodër. Nëse mund ta përmbledh shumë shkurt rolin që kemi luajtur do përmendja këto:
Krijimin e strehës së parë dhe të vetme në qytet për qentë endacakë 24 projekte të sterilizimit masiv të kafshëve endacake dhe atyre me pronar, me një rezultat prej 2500 qensh dhe 948 macesh të sterilizuara;
Heqjen nga rruga, strehimin dhe adoptimin e mesatarisht 150 kafshëve çdo vit;
Ndërtimin e një marrëdhenieje me Bashkinë e Shkodrës si institucioni përgjegjës për trajtimin e këtij fenomeni. Kjo bashki disburson një fond çdo vit për sterilizim dhe vaksinim, përkundrejt simotrave të saj që po i vrasin dhe është e para që ka mundësuar regjistrimin dhe mikroçipimin falas të qenve me pronar;
Mbledhjen e 3000 firmave në Shkodër për peticionin e futjes së 4 neneve në Kodin Penal që trajtojnë dhunën dhe vrasjen e kafshëve;
Organizimin e mbledhjes së parë në nivel qarku me të gjitha institucionet e përfshira si prefekti, pesë bashkitë, Sherbimi Veterinar, AKU, NJVKSH, etj për të ndërtuar planin e trajtimit të këtij fenomeni në qarkun e Shkodrës.
Cilat janë aktivitetet kryesore që e karakterizojnë një vit në shoqatë?
Duke qenë një organizatë 100% vullnetare, jemi përpjekë të bëjmë maksimumin e mundshëm në shpëtimin e rasteve emergjente, mjekimin dhe rehabilitimin e qenve ose maceve të aksidentuara apo të sëmura, strehimin e kafshëve që nuk mund të mbijetojnë në rrugë, sterilizimin masiv të tyre, gjetjen e familjeve adoptuese brenda dhe jashtë Shqipërisë (mbi 300 kafshë të adoptuara jashtë vendit), edukimin mbi fenomenin dhe pronësinë e përgjegjshme, lobimin për ligje dhe projekte të menaxhimit etik të problemit të kafshëve endacake. Më tepër informacione mund të gjeni në www.animalsneedmealbania.com
Na flisni edhe për projektin tuaj për sterilizimin dhe vaksinimin e qenve dhe mace të rrugës në Shkodër ku kishin shkuar 15 mjeke nga SHBA.
Kemi patur 5 fushata sterilizimi me mjekë amerikanë. Katër janë me World Vets dhe një me Farvets. Mjekët ishin të gjithë vullnetarë. Ne kemi paguar vetëm koston e materialeve dhe të transportit të kafshëve në klinikë.
Janë fushata me një kosto-efektivitet të lartë pasi, sterilizohet një numër i madh kafshësh në blloqe 3 ditore. Këto fushata u kanë dhënë mundësi edhe pronarëve që mbase nuk kanë patur mundësi ekonomike, të vijnë dhe të sterilizojnë qentë dhe macet e tyre falas.
Shpresoj shumë që edhe mjekët veterinerë shqiptarë, të kenë këtë vullnet një ditë dhe të ndikojnë pozitivisht në komunitetin ku jetojnë. Ne jemi të gatshëm t’i presim dhe të bashkëpunojmë me ta, nëse ofrohen për një fushatë të mundshme.
Si ndihesh kur thuajse në të gjitha qendrat e mëdha shqiptare, Tiranë, Prishtinë, Shkodër… sheh grumbuj qensh endacakë?
Ndjej dhembshuri dhe keqardhje për qentë. Vuajnë urinë dhe etjen, aksidentet, helmimin dhe keqtrajtimin. Nuk është faji i tyre që ndodhen në rrugë. Problemi fillon dhe mbaron me ne, me papërgjegjshmërinë tonë dhe me mungesën e iniciativës së institucioneve për ta menaxhuar fenomenin.
Qeni u zbut nga njeriu 12.000 vjet më parë dhe ka luajtur shumë role përgjatë historisë së njerëzimit. Minimumi që mund të bëjmë është të ndërgjegjësohemi dhe mos t’i braktisim në rrugë.
Ndërkohë, duhen politika afatgjata kombëtare dhe lokale të sterilizimit masiv, përmirësim i ligjit veterinar dhe angazhim në zbatimin e tij, përfshirje e klinikave veterinare private duke ofruar sterilizim me kosto më të ulët për kafshët endacake. Fakulteti i Mjekësisë Veterinare mund të ndikojë pozitivisht, po ta konsideronte si pjesë të kurrikulës ose praktikave profesionale. Ndërkohë duhet vendosur detyrimi i regjistrimit të kafshëve me pronar dhe gjobitja në rast braktisjeje.
Çfarë na mëson Kanadaja ne shqiptarëve në këtë drejtim?
Mësojmë që punët e mira dhe të drejta nuk janë të pamundura dhe se ka zgjidhje etike të problemeve.
Mësojmë që qeveritë me ligje të forta të mbrojtjes së kafshëve, ia dalin të krijojnë struktura mbështetëse për menaxhimin e fenomenit, dhe paralelisht të punojnë për edukimin e popullsisë mbi mosbraktisjen dhe pronësinë e përgjegjshme të kafshëve të tyre.
Kanadaja nuk është shembulli i përsosmërisë në këtë aspekt por është në rrugën e duhur.
Diçka për zemrën tuaj Kiarën. Si e gjetët njëra-tjetrën?
Kiarën e gjeta në një ditë të ftohtë marsi. Po lehte papushim pasi ia kishin hedhur këlyshët në kazanin e mbeturinave. Më lejoi t’i afrohem, t’i marr dhe të sajoj një cep të mbrojtur për të gjithë bashkë.
Ajo u bë qeni i lagjes dhe dalëngadalë filloi të ngjitej 6 kate në pallat, vetëm për të fjetur te dera jonë. Nga ai moment kam vendosur ta adoptoj. Sapo më është dhënë mundësia, e kam sjellë me vete në Kanada. Jemi bashkë prej 9 vitesh dhe për mua ka qenë një mike fort besnike. Uroj që gjithë qentë si ajo, të gjejnë familje të mira e të përgjegjshme.
Përfund, më lejoni t’ju falenderoj për kohën që më kushtuat në këtë intervistë dhe që i jepni zë punës së shqiptarëve në emigrim!