100 vite më parë, lindi regjisori i shquar i Teatrit “Migjeni”, Lec Shllaku “Artist i Popullit”. Ai është themeluesi i teatrit “Skampa” në Elbasan por edhe arkitekti i teatrit profesional. Spikati si regjisor por edhe në role në skenë e kinematografi, duke nisur me filmin “Skenderbeu” por edhe disa të tjerë pas tij.
Rrugën e Lecit e ndoqi dhe e vazhdon në ekran dhe në skenë Bruno Shllaku, ndërsa Primo Shllaku është një nga personalitetet e spikatura të letrave shqipe. Më poshtë do të lexoni një ese nga Xhahid Bushati për regjisorin Lec Shllakun.
Lec Shllaku u nda nga jeta më 04.08.2007. Iku në heshtje, pa fjalime e pa bujë, iku ashtu si u mbyll e gjithë jeta e tij, jeta e një punëtori të madh të artit, i harruar në madhështinë e tij. Pak rreshta u shkruan për të. Ekrani nuk gjeti kohë të shfaqte diçka që kishte mbetur nga pasuria e tij e vyer. Në një vuajtje të gjatë fizike e shpirtërore, Lec Shllaku i tha lamtumirë kësaj bote, në moshën 86-vjeçare. U përcoll për në banesën e fundit mes lo, tëve të familjarëve, miqve e dashamirëve të qytetit të tij të lindjes.
Për humbjen e artistit Shllaku, studiuesi Ardian Ndreca do të shprehej: “Fisnikëria e shpirtit, ndryshe prej asaj të gj, akut, ka nji të mirë të madhe, mund të fitohet me forcat tona. Të tillë e kishte konceptue jetën e vet Lec Shllaku, zemra e të cilit rrahu deri në fund simbas ritmeve të nji harmonie të pashoqe që vetëm Muzat munden me falë.
Fjalët e tija, ligjërimi i rrjedhshëm, hiri në shprehje dhe mendimet e pazakonta që mbërrinte me shpreh për artin, botën, njerëzit – banin që figura e tij të reflektonte diçka tërheqëse dhe manjetike.
E kam takue sa herë në vetminë e tij të shenjtë, gjithnji në tryezën e punës, herë me klasikët në dorë (i lexonte të gjithë në origjinal), herë me shkrimet e tija; por sa herë e takoja më linte përshtypjen se ai ishte sa këtu mes nesh po aq edhe në nji botë tjetër, me mendimet dhe me hijet e veta, me andrrat e pashprehuna, me kangët e pakëndueme ende.”
Kujtimi i parë…
Herë pas here trokas në shtëpinë e Lec Shllakut. E kam mik të vjetër. Një rast fatlum për mua që të jem një nga miqtë e tij. Nuk shkoj të takoj një plak që pleqëria ia ka mbyllur portën. Udhëtoj drejt një biblioteke, drejt një njeriu që vetë është dëshmitar dhe vetë është histori, me shumë mistere dhe pengje; rrahur, përcëlluar nga furtunat dhe ciklonet e kohës.
Mundohem t’i bëj portretin këtij burri 85 vjeçar që, … “Dy sy me vështrim të thellë që zhbirojnë nën ato mollëza të dala e të thara, ruajnë ende gjurmët e një bukurie burrërore. Në atë fytyrë të rreshkur, në zërin e tij që ende është kumbues, ti dallon menjëherë figurën e Gjon Kastriotit te filmi “Skënderbeu”.
Më duket si një çinar i moçëm që i gëzohet edhe një rriske dielli. Më duket se ende rrugëton për në Ajasëm e shpirtin ia ngroh legjenda e Rozafës.
Gjatë bisedës me të shfaqen urtësia e mençuria, kozmopolitizmi e bagazhi i kulturës së Perëndimit. Kur hyn në bisedë me të, ndjen zotërimin e një leksiku të pasur. Por në bisedë është ca i ashpër e i palëkundur në mbrojtje të gegënishtes.
Të gjitha këto e vizatojnë dukshëm portretin e këtij burri që në çdo moment e shoqëron shqetësimi për teatrin. Mbaj mend, në një nga vizitat e vonshme, më tha kështu për teatrin: “Ne trashëguam prej ma të vjetërve e na ju trashëgojmë ju, për kët arsye nuk keni që të mos e duem e të mos kemi nostalgji për të e të mos na shqetësojë mbijetesa e tij. Edhe na do të dëshironim t’ua thoshim me dashamirësi këtyne që e kanë në dorë qënien e tij, ta shikojnë ma me dhimbsuni e ma me dashamirësi mundin e djersën tonë, për ma tepër përgjegjësi, të jenë të gatshëm për të flijue diçka ma shumë për të ardhmen e këtij thesari të përbashkët të shumë brezave tanë.
Ne nuk na vjen aspak mirë që e shohim teatrin tonë të zbrazun, pa veprimtari artistike, shurdhët e braktisun, kurse pijetoret që në këtë kohë kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, për çdo hap gumëzhinë prej zanave të njerëzve. Diçka duhet ba për t’i dhanë fund kësaj gjendjeje. Na edhe e kuptojmë plotësisht se shfaqjet e këtij teatri që ka mbi shpatulla ma shumë se 120 vjet përvojë, kanë përmbushë nji nevojë kryesore e shpirtnore, intelektuale të spektatorit tonë”.
Kujtimi i dytë…
Leci zakonisht zgjohet nga gjumi rreth orës 8.00 apo 8.30. Nuk ka orar të caktuar. Për orarin mban mend edhe diçka. Edhe në mimikë e shpreh ndjenjën e mospëlqimit. I ka ardhur hakut tringëllima e ziles në Kolegj. Mosha e plakur i ka rënë vizë kësaj mënyre të zgjuarit. (Po t’ia përmendësh, Leci vetëm qesh). Një ditë kur ia përmenda, bashkë me të qeshurën karakteristike, ai më rikujtoi një thënie të plakut Santiago të Heminguejit, si për të më thënë se tani… “Për mua zile është pleqëria ime.”
Nuk pi kafe. Brenda tasit me qumësht, e shoqja, Roza, i hedh një lugë kafe. Përsëri me të qeshur Leci thotë: “… se më duhet me më qarkullue gjaku në tru, se përndryshe mbetem pa qarkullim.”
Rreth orës 9.00 apo 9 e 10’ hyn në studio, e cila i fal magjinë e çdo dite, që vetëm artisti Lec Shllaku e di. Ky ritual i çdoditshëm sikur do të pohojë fjalët e Borhesit që thoshte: “për mua të shkruarit është e vetmja mënyrë për të jetuar”.
Më pas mbështillet në vorbullën e kujtimeve e të artit teatror, shtegton si një pegaso nëpër hapësira poetike. Si nëpër mjegullnajë i shfaqen skena dramash e komedish, takon personazhe, të cilët ca i kujton, ca nuk i kujton, ca i njeh dhe i përshëndet. Pastaj përmend një mizanskenë, një detaj, një komunikimin skenik… Kujton diku hapjen e një perdeje, diku mbylljen e një perdeje, më pas duartrokitje… Diku, duke qëndruar pas kuintave, gjithë emocion, diku i vetëm në sallë, diku në tavolinën e punës, diku i qetë, diku i menduar, diku i nervozuar, diku… diku… ai, artisti, Lec Shllaku, i pagjumë për teatrin.
Gjithësesi, ngado të ecë, bota e teatrit i fal magji dhe emocione. Më këto pasuri në shpirt, nis e shkruan, e shkruan pambarim… Humbet në botën e tij… E një ditë është si çdo ditë. E ditët ngjajnë si pika uji, deri në një ditë, si kjo e 04 gushtit 2007, kur, në mënyrë të papritur vde, kja e merr në gjirin e saj kur nuk duhej të merrte, në moshën 86 vjeçare. Kishte për të kryer disa amanete.
Duhej të botonte veprën “Njerëz mes nesh”, së cilës sapo i kishte dhënë rishikimet e fundit. Tani ajo ishte gati për botim. Duhej të botonte dorëshkrimin me pesë vëllime me titull “Jetë pezull”, ku kishte të fiksuar momentet më të rëndësishme të jetës së vet, afro një shekulli. “E libra të tjerë të vlertë, -siç thoshte Leci, – presin radhën për t’u botuar…” Po të shikohen me vëmendje ata formojnë një “Iliadë”, ku Lec Shllaku është pjesë e historisë së këtij qyteti (të Shkodrës) e më gjerë.
Duke parë opusin e veprave të artistit Lec Shllaku, artist që në këtë tempull shfaqi e arkivoi talentin e tij, ku këtij tempulli i fali jetën e tij, doemos kërkohen studime dhe analiza më të thella që duhen bërë, që borxhi të mos bëhet i madh dita-ditës. Por një gjë është e vërtetë, ai burrë me emrin Lec Shllaku, në çdo orë të ditës po të shkoje ta takoje, e shikoje duke punuar, korrigjuar e përpunuar veprat e veta që prisnin radhën për t’u botuar… Punonte, korrigjonte, rikorrigjonte, prapë punonte… Shkruante çdo ditë.
Me këtë portret kishte ardhur pleqëria e tij e bardhë. Kërkonte të respektonte magjinë e procesit krijues dhe lexuesin, kërkonte që universi i veprave të tij deri në minutën e fundit të ishte sa më i arrirë, sa më i plotë. Kjo ishte arsyeja që e folura e Lecit tani ishte më e pakët. “Vetmia” e krijimit kishte pushtetin e saj. E, kur ne i uronim: shëndet e punë të mbarë Mjeshtrit, vd, ekja i trokiti papritur…
Mu kujtua libri i tij studimor “Maska shkodrane”. E ndiej se ai, edhe sot e kësaj dite është “peng” i dashurisë për vendlindjen, duke shpalosur një element të identitetit të saj, siç është humori shkodran. I kishte kthyer sytë nga tradita. Nga tradita i kthente sytë shpesh. Jo për të qenë i largët dhe i pakapshëm, apo imagjinar, përkundrazi për t’u bërë sa më bashkëkohor. Sepse është përsëri e sotmja shkodrane që krenohet me traditën e saj. Vlerat që evidentohen në këtë libër janë një lavdi për kohën që jetuan të parët tanë, gjyshërit e katragjyshërit, por edhe një kujtesë mosharrimi për kohën tonë.
Kujtimi i tretë…
Pas “vetmisë” së studios, vetminë e vërtetë ia largonte “me qerpik të syrit” e shoqja, Roza, një grua trupshkurtër, që sytë e saj, në këtë ditë gushti, ishin kthyer në pikëllim e lot.
Roza, siç e njoha unë: ishte një grua e urtë, natyrë punëtoreje, e pafjalë. Ikonë.
Sytë e saj hetonin çdo lëvizje të Lecit. Nuk i shpëtonte asgjë. Me lëvizjet e saj, shkathtësinë që sfidonte moshën, mundohej t’ia plotësonte të gjitha. Sytë e saj kishin kuptuar që tashmë Leci nuk është vetëm një bashkëshort, por puna e tij, kontributi i tij ishte kthyer në vlerë, muze, bibliotekë, thesar…Ndaj dhe ajo ishte kthyer në një dritë mirësie që ndiqte lëvizjet e bashkëshortit të saj, që pleqëria i kishte ardhur paksa herët për punët që kishte në dorë. Sepse Mjeshtri Shllaku ashtu siç e thamë më se njëherë, tashmë, ishte pjesë e historisë së Shkodrës. Ndoshta edhe më shumë se kaq. Ishte mit dhe legjendë. /Shkruar nga Xhahid BUSHATI në tetor 2019/