Shqiptarët dhe veçanarisht lezhjanët nëpër botë po bëhen ambasadorët më të çmuar jo vetëm nëpërmjet artit, kulturës apo fushave të tjera të shkencës, por edhe nëpërmjet humanizmit që po tregojnë për të ndihmuar përsonat dhe familjet në nevojë. Një prej tyre është edhe lezhjani Leo Kadeli nga fshati Manati i Lezhës.
Referuar mediave bullgare mësohet se Leo Kadeli është fituesi i fushatës së Radios Kombëtare Bullgare “Iluministi i vitit 2021” (Enlightener Of The Year”). Për herë të parë në historinë 8-vjeçare të këtij kompeticioni, fituesi nuk është shtetas bullgar, por shqiptar dhe pilërisht nga Lezha.
Ceremonia solemne në të cilën u shpallën fituesit midis dhjetë finalistëve të fushatës u zhvillua në Ditën e Iluministëve të Popullit – 1 Nëntor. Më shumë se gjysma e pjesëmarrësve votuan për Leo Kadelin. Kadeli është iniciator i platformës së internetit “Miq, ndihmoni!”, me të cilën rreth 9 mijë familje bullgare kanë marrë mbështetje për riparime, fatura, karrige me rrota për invalidë, ushqim.
Vëllai i ish- deputetit Gjovalin Kadeli, Leo Kadeli në Bullgari e quajnë si “Shqiptari me shpirtin bullgar”, sepse ai ka një mision – të ndihmojë njerëzit në Bullgari. Prej 15 vitesh Leo Kadeli jeton në Bullgari dhe 5 vitet e fundit i është përkushtuar idesë për të gjetur bullgarë fisnikë dhe për t’i bashkuar ata për të ndihmuar bashkatdhetarët në nevojë. Ai është krijuesi i një platforme të njohur interneti “Miq, ndihmoni!”, së cilës tashmë i janë bashkuar mbi 80 000 njerëz. Bullgarët që jetojnë në mbarë botën përgjigjen më shpejt. Të gjithë marrin pjesë sipas aftësive të tyre – me donacione personale, punë pa pagesë, transport. “Miq, ndihmoni!” iu përgjigj kërkesave të familjeve për të cilat është e pamundur të paguan faturat e shtëpisë, për të tjerët blejnë karrige me rrota për invalidë, furnizojnë dru zjarri apo thjesht ushqim.
“Për mua është e rëndësishme që e mira ekziston dhe nuk ndalet. Unë kam pasur dhe prandaj kam dhënë. Dhe miqtë e mi që më mbështesin, pothuajse të gjithë kanë mundësi të tilla modeste. Ata ndihmojnë me aq sa munden”, tha Leo Kadeli në një intervistë për Radion Kombëtare Bullgare.
Ndërkohë çmimi special i Radios Kombëtare Bullgare iu dha mësuesit Teodosij Teodosiev – Teo i cili hodhi themelet e një shkolle të suksesshme të fizikës dhe matematikës dhe shumë nga nxënësit e tij janë në elitën shkencore botërore.
Aventurierët Maksim dhe Stefan Ivanovi të cilët kaluan Atlantikun me një varkë me rreme, në mbështetje të fushatës “Po! Për Jetën!” për dhurimin dhe shpëtimin e jetës njerëzore përmes transplantimeve, morën çmimin special të bTV Media Group.
Mirëbërësia është për jetë e mot, thotë frymëzuesja e fushatës, Iva Dojçinova, drejtoreshë e programit të Radio Sofjes së BNR. Le të vazhdojë bamirësia! /Nga Lindita KOKAJ/