Sot feston ditëlindjen një nga ikonat e muzikës shkodrane e shqiptare, Violeta Zefi. Ajo u ngjit në skenë në moshën 8 vjeçare, me 26 mars 1968 për të mos zbritur asnjëherë deri më sot, duke kënaqur amatorët e shumtë të muzikës, sidomos asaj popullore.
Violeta Zefi është e lindur në një familje të varfër shkodrane, por me tradita të lashta. Nëna e Violetës, Liza duke e parë talentin e së bijës, që e vogël, u përpoq ta afronte pranë rretheve artistike të qytetit. Rruga e muzikës dhe këngës shkodrane për të ka filluar shumë herët.
Zëri i saj i plotë, fjala e qartë, interpretimi me plot pasion për këngën shkodrane, bëri që ajo të ngjitej në grupin e këngëtarëve më të njohur shkodranë në veçanti, por edhe të këngëtarëve shqiptarë në përgjithësi.
Kur ishte vetëm 13 vjeçe, mori pjesë në Festivalin Kombëtarë të 14 – të në RTSH. Gazetat e kohës filluan të shkruanin për këngëtaren e vogël shkodrane, për Shkodrën që të befasonte gjithnjë me talentet e saj.
Violeta si këngëtare, karakterizohet nga një zë i plotë të karakterit të një mezo- sopranoje, talenti i saj spikati në shumë drejtime, si këngëtare, si spikere dhe si aktore.
Ishin vitet ’80,kur Ansambli i Radio Shkodrës me këngë popullore merr pjesë në një turne në Kosovë.
“Pashë bashkombësit me lot ndër sy kur na takonin e këndoni sëbashku me ne këngët tona”, shprehet këngëtarja.
“Ky kujtim do të mbetet i pa shlyer nga kujtesa ime.Atje kam kënduar deri në shtatë këngë radhazi,e jo vetëm unë – thotë ajo- por të gjithë antarët e grupit të Radio Shkodërs, se nuk na linin të dilnim nga skena.”.
ShkodraWeb i uron jetë të gjatë dhe të lumtur Violeta Zefit, “Mjeshtre e Madhe” e muzikës dhe artit shqiptar.