Nga Ben OROSHI
Willy Kamsi lindi në Bari të Italisë në dhjetor të vitit 1926, ku ndodhej dhe familja e tij, dhe më 1943 familjarisht u vendosën në Tiranë. Më 1944, mbaroi gjimnazin po në Tiranë dhe më 1953 u vendos në Shkodër pasi familja e tij u dëbua nga Tirana. Babai i tij Gjon Kamsi, (i njohur dhe me emrin Lin) ishte diplomuar për shkenca ekonomike në Itali në vitet 1914-1919 dhe ka qenë këshilltar i Bankës së Shqipërisë para 1944, ndërsa ka shkruar në disa organe të shtypit të kohës, si “Hylli i Dritës”, “Vullneti i popullit”( revistë ekonomike) i njohur me pseudonimin “Gjikam” dhe pati ngulitur tek djali i tij Willy dashurinë për librin.
Willy bashkëpunoi në fillimet e veta me Filip Fishtën në Institutin e Studimeve Shqiptare në Tiranë, ndërsa për 9 vjet punoi në komunale. Prej 1962-1990 ai ishte përgjegjës i bibliotekës së ILP ( Institutit të Lartë Pedagogjik) sot Univeriteti Luigj Gurakuqi në Shkodër. “Kishte familje shkodrane, intelektuale që donin të shisnin librat që kishin në bibliotekat e tyre personale dhe duke patur njohje të shumta në qytet dhe duke e ditur se unë drejtoja si përgjegjës bibliotekën e institutit, pasi emërtimi drejtor nuk ishte në strukturë, vinin dhe më afronin t’i blija. Më së shumti ishin libra të albanolgjisë dhe blerja e tyre bëhej me fonde të ILP”, tregonte Kamsi.
Ai kujtonte se ato kohë nuk kishin qenë të mira për librin dhe Shkodrën. “Pasuria biblotekare e Shkodrës ishte dëmtuar dhe ato që kishin mbetur po merrnin rrugë të tjera. Familjet që shisnin librat tek biblioteka jonë ishin kryesisht familjet katolike që nuk donin të bëheshin publike dhe librat bliheshin me fonde të shtetit. Këtu nuk duhet lënë pa përmendur drejtori i ILP, Mihail Prifti, një person dashamirës ndaj librit, që nuk bëhej pengesë për të blerë botime me vlerë” thekson Willy Kamsi.
Ndër librat më me vlerë të blerë në atë kohë është “Historia e Skenderbeut” e Marin Barletit, botim i parë i bërë në Romë në vitet 1507-1510 (data lëviz mes këtyre viteve), është periudha kur botuesi i saj Benardin Divitari ka ndenjur në Romë. “Është botim shumë i rrallë që i ka përkitur biblotekës së jezuitëve e pastaj ka kaluar dorë në dorë deri kur u afrua të shitej. Për fat mbeti në Shkodër”, rrëfeu Kamsi, që kujtonte edhe se libri u ble për 25.000 lekë të vjetra në vitet ‘80.
Willy Kamsi po ashtu është ruajtësi i një tjerër pasurie siç është koleksioni i plotë i revistës “Albania” të Faik Konicës, një koleksion që nuk e ka as Biblioteka Kombëtare.
Willy Kamsi:“Çdo bibliotekë krenohet me atë specialitet që ka, me ato libra që nuk i kanë të tjerët. Shkodra ka patur një pasuri biblotekare që nuk e ka pasë asnjë qytet tjetër, sidomos bibliotekat fetare që u shkatërruan qëllimisht”.