Takimi me mjeshtrin e ditur Tonin Fishta ishte sa i beftë aq dhe emocionues, në këto ditë mesqershori. U çmallëm dhe kujtuam… Tonini, tani, jeton në Itali. Tonini ishte njëri nga kolegët e personelit teknik që punova me të për shumë vite në radio Shkodra.
Tonini kujton: “E fillova punën në radio në vitin 1961. Dola në pension po prej radios në vitin 2001. Për mua, për këto 40 vite radioja m’u bë familja ime e dytë. E tillë mbetet edhe sot që jam larg saj. Kur përmend radion, historitë që më lidhin me të janë të shumta, të shtrenjta e të paharrueshme. Po përmend disa prej tyre, sepse kanë ndikuar në formimin dhe jetën time. Kisha drejtor Alush Çenon. Ndryshe kishte pamjen e fytyrës, ndryshe kishte zemrën. Dukej hijerëndë, por ishte njerëzor. I afërt me punonjësin. I ndiqte hallet e tij, ndonëse vetë ishte hallexhi. Mes shumë tipareve ka pasur edhe një të cilësueme: kurrë nuk ka ndërhy në profesionin tim. Një njeri tjetër që punova me të dhe e kisha model, ishte tekniku Mati Jubani. Nga natyra dhe shpirti ishte muzikant. I saktë në punë. I përgjegjshëm. I pafjalë.
Arritjeve të mia, aq sa ato janë, e kanë burimin në përgatitjen time si radioteknik në nëndestëse shkollën që bëra në Odesë. Më pas isha përgjegjës i silurave akustike në Vlorë, më pas erdha në Shkodrën time. Jo s’e nuk kam pasur oferta për punë të ndryshme, por dëshira ime ishte të punoja në radio Shkodra. Radion e kisha dhe e kam të zemrës…”.
2. Tonini flet… Realisht është kthyer në kujtim. Tonini kujton… Realisht është kthyer në një copëz identiteti Shkodre. Tonini përlotet. Realisht është kthyer në përvëlime dhe kujtesë malli.
Tonini, përsëri, kujton: “E nisa punën në radion e vjetër, në shtëpinë e Lumanëve. Gazetarë – pak. Teknikë – pak. Si një “familje” e vogël punonim e jetonim për radio Shkodrën. Çdo mëngjes, kur shkoja në punë, më dukej sikur shkoja drejt ‘zemrës teme’. Se radioja don zemër. Nuk dija se ç’është orari. Koha në radio dhe jashtë saj, ishte dhe është përgjegjësi. Kështu e kam vlerësuar unë. Një ditë, dhe kjo ka qenë ëndrra ime e kahershme, u shpërngulëm në radion e re, një radio me arkitekturë moderne. Në momentin e largimit nga radioja ku nisi jeta ime, emocionet ishin të mëdha, ashtu si dhe kujtimet që më mbuluan, falë atyre viteve që nuk harrohen lehtë. Më përcolli kjo “vendlindje” dhe më shoqëroi gjelbërimi dhe njomësia e barit përreth, për të rinisë vazhdimësinë e po të një jete në një “vendlindje” jo shumë larg, por që e meritonte Shkodra.”
3. Radioja e re. Tashmë, Tonini bashkëjetonte me ëndrrën ëndërr (dikur) sot realitet. Bashkëjetoi për tetë vite rresht. Më pas doli në pension.
Radio Shkodra që hijeshonte mjedisin përreth, tashmë, u fliste qytetarëve të saj e më gjerë perms një realitet të ri.
Tonini humbet në kujtime… “Pa shitur mend, pas projektueses së projektit teknik, unë isha “zbatuesi i parë”. Ajo më kish dhënë “dorë të lirë”. Ndaj, unë, çdo ditë (për disa ditë rresht), kaloja studio më studio, dhe qëndroja, në secilën, rreth 2 ose 3 orë. “Bisedoja… Me “projektin e mendjes sime” çdo studio e “studioja mirë” mbi bazën e projektit, se në çfarë vendesh duhet të jenë aparaturat e pjesët e tjera teknike e elektrike. Aparaturat në të gjitha studiot janë vendosur sipas “projektit tim”. Tani dhe një kuriozitet. Kishte mbaruar transferimi i kabllove nëntokësore nga radioja e vjetër në radio të re. Po ashtu edhe ato të nëntokës të radios së re. Tashmë, aparaturat në çdo studio ishin gati. Pra, unë këtë “bota elektrike” e njihja se e kisha prekur me duart e mia. Papritur, më vjen projektuesja e më thotë: “Tonin, radioja nuk ka “zë”. Ajo nuk mund nuk mund të komunikojë me dëgjuesin shkodran e më gjerë. Si t’ia bëjmë?!” “Unë iu përgjigja: -Mos u shqetëso, inxhiniere! E kam vënë re që në projekt se radios i mungon “zëri”. Edhe atë e kam rregulluar, duke i shtuar projektit instalime të reja. Mjafton një shtypje butoni… Dhe vërtet, u shtyp butoni dhe radios i erdhi “zëri”, i fluturoi “zëri” në eter, u dëgjua Radio Shkodra. Radio Shkodrës i dhashë “zë”. Tani edhe një tjetër kuriozitet. Kur vij në Shqipëri, pra në Shkodër, dhe vij një herë në vit, vizitën e parë e bëj në radio Shkodra. Si atëhere edhe tani, hyj studio më studio. Qëndroj gjatë. Vështroj gjatë. “Bisedoj” me mall. Përmallohem. Edhe trishtohem. Prek aparaturat. I ledhatoj me gishtrinjtë e mi, tashmë, të plakur. Më rrethojnë kujtimet. Më dalin përpara fytyrat e kolegëve: Bardhi, Edi, Meti, Gufi, Eqeremi, Paçi, etj. Më dalin emrat e nderuar të gazetarëve: Gëzimit, Suzanës, Ramadanit, Pëllumbit, Zefit, Xhahidit, Adit, Meritës, Lekës, Ardianës, Gentianës, … etj. Nuk kam si të harroj kolegët e prapavijës: Saminë, Gëzimin (Xaken), etj. Disa nuk jetojnë më, disa të tjerë ende jetojnë. Kujtoj biseda, dialogje, vështirësi, humor, … shumëçka kujtoj. Nga studio në studio më shoqërojnë, shpesh, dhe shumë pika loti që m’i lagin faqet. Eh, kështu qenka jeta! Unë në radio kalova një jetë të tërë. S’mund ta kuptoj jetën time pa të. Radioja është shpirti im!”
4. Tonini ka një shpirt muzikor. Ka kënduar që fëmijë. Në fillim në kori, pastaj si solist. E ka ndjekur këngën e fëmijëve vit pas viti. Nuk është mërzitur. Që nga Festivali i parë në vitin 1963 dhe ky i fundit, i sivjetmi, që shënon numrin 57. Tonini më thotë: “Edhe pse jam 80 vjeç, bëhem në festival 8 vjeç. Unë jam “spektatori” më i rregullt i çdo festivalit. Nuk kam bërë asnjë mungesë. Dhe nuk do të bëj…”
Tonin Fishta, pas ’90-ës, vit për vit niset nga Italia, sfidon moshën, dhe vjen për të parë Festivalin e këngës për fëmijë, që në çdo qershor zhvillohet në Shkodër. Nostalgjia për Festivalin është e madhe. Eh, si i pret ditët kur fillon muaji maj! Tonini përgatitet për udhëtimin e tij… Dhe këtë qershor e takova në Shkodër, kolegun tim të dikurshëm. U çmallëm… dhe kujtuam… ashtu siç e përmenda edhe në fillim të shkrimit. E pyes për marrëdhënien e tij me Festivalin? Ai më përgjigjet: “Kur vij, vij me mall. Më njohin menjëherë. Edhe ata që nuk më njohin nuk vonojnë të më njohin se menjëherë përhapet historia ime e ardhjes. Më përqafojnë. Më pyesin, më pyesin pafund… Pastaj unë ndjek provat me shumë dëshirë. Bëhem si fëmijë. Ndjek të gjitha kompozimet. Kompozimet më të bukura, sipas meje, i ndjek disa herë. Të gjitha titujt e këngëve, me kompozitor dhe autor i regjistroi në kujtesë. Ndjek me kuriozitet të gjithë këngëtarët. Ua mësoj emrat. Gjatë ditëve të festivalit, unë kam karrigën time. Ndjek festivalin, ashtu siç e ndjek një fëmijë, ndonëse jam bërë gjysh. Festivalin, tashmë, e kam të njohur…”.
Për Toninin, me mbarimin e festivalit, mbaron dhe ditëqëndrimi i tij. Ai mund të rrijë më pas edhe dy a tri ditë, por ai qëndrimin e tij e lidh me mbarimin e festivalit, të kësaj feste, e cila është rrënjohur në kujtesën e tij, pa të cilën Toninin nuk mund ta kuptosh. Në vetvete ai i ngjan një arkivi festivali, që kushdo do ta kishte zili! Dhe çdo qershor vjen për ta pasuruar atë.
Në momentin e largimit, në çantën e tij “flenë” inçizimet e këngëve që merr me vete. I zgjon nga “gjumi” kur mbërrin në Itali. Në studion e tij ‘bisedon” muzikalisht me to. Kjo botë e bukur tingujsh e zërash fëminorë e ndjek pas tërë vitin…, deri në ardhjen e qershorit të ardhshëm, kur Tonin Fishta bëhet gati për udhëtimin e tij të zakonshëm, plot emocion e mall… Edhe pse bëhet një vit më plak, atë e pret Shkodra, vendlindja e shtrenjtë vetëm një herë, në qershor… Shpirti i tij pasurohet me këngën fëminore shqipe. Ndoshta ka gjetur këtë rrugë për të mbetur “fëmijë i përjetshëm”. Një pasaportë përrallore, kjo! Kjo rrugë e bën të komunikojë me Shkodrën, e cila është gjithçka për të, por edhe me radion e tij të dashur, ku fali plot ëndrra e dëshira jete. /Nga Xhahid BUSHATI, shkruar në korrik 2019/