A ka fushë të zhvillimit kulturor, artistik apo edhe ekonomik e shoqëror që shkodranët të mos jenë të parët? Jo vetëm burrat por edhe vajzat dhe gratë. Njihuni pra me dy akrobatet shkodrane, të parat akrobate shqiptare, të parat themeluese të cirkut shqiptar të cilat më vonë do ti ndiqte akrobatja tjetër profesioniste Liljana Paci Kalleshi.
VITORE RASHA SALLAKU (1941-2022)
Akrobate, ‘Artiste e merituar”. Lindi në Tiranë në një familje intelektuale shkodrane. Babai i saj, Prof. Dr. Lorenc Rasha, i lauruar në gjuhësi, drejtor i Gjimnazit të Shkodrës dhe nëndrejtor i Gjimnazit të Tiranës, u vra nga rregjimi komunist në vitin 1944. Historia e Lorenc Rashës dhe kalvari i gjetjes së eshtrave të tij mbas 1990 është një histori sa e dhimshme aq edhe emociona;le. Fatmirësisht Vitoren nuk e ndoqi persekutimi. Vitorja ka mbaruar Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi” si dhe dy specializime për katër muaj në ish BS dhe një vit në Kinë.Talenti i saj u shpalos që në fëmijëri në aktivizimet e saj si pioniere duke punuar me Ali Xhixhën, i vetmi me aktivitet artistik në cirk.
Punon në Estradën e Ushtrisë deri në vitin 1956. Për tri dekada, deri në vitin 1986 ka punuar si akrobate profesioniste, soliste e shquar në cirkun e Tiranës. Në cirk, Vitorja u bë shpejt e njohur për plastikën, elegancën dhe shkallën e vështirësisë në ushtrimet apo etydet plastike të realizuara me mjeshtëri. Disa nga numërat më të spikatura të saj ishin: Etyde lirike plastike të realizuara me mjeshtrin Telat Agolli, Etyd plastik lirik “Gjuetari dhe Zogu”, “Valle arabe”, “Ekuilibër me bambu në ballë” e ekzekutuar me Telat Agollin “, “Ekuilibër në shkallë”, e ekzekutuar me Sekine Ahmetin ose Pina Shkurtin, “Ekuilibër mbi trungje” e realizuar me Hamdi Petrelën, “Ekuilibër me tel” realizuar me Ali Xhixhën, etj. E kanë quajtur: “Artistja pa kocka”, “Artistja që sfidoi kohën” etj..Ka qenë e martuar me aktorin humorist Skender Sallakun.
Gjatë karierës artistike ka dhënë kontribut edhe si pedagoge e drejtuese e shkollës së cirkut që prej fillimit të vitit 1978 e deri në vitin 2003. Ka botuar librat: “Një jetë në cirk” (2004), librin me poezi “Pikë vese” (2005), “Në skenën e jetës – Skënder Sallaku”, (2006), “Historia e cirkut shqiptar” (2008), librin me poezi “Vjeshtë”, etj. Nga Presidenti i Republikës ka marrë titullin “Mjeshtër i Madh”.
PINA SHKURTI (1931- 2020)
Akrobate, “Artiste e Merituar”. Lindi në Shkodër, dhe u rrit në shtëpinë e fëmijës. Qysh në vogli merret me gjimnastikë. Me krijimin e Estradës së Shtetit më 1952, fillon punë si akrobate e estradës. Pastaj do të punonte në Cirkun e Tiranës ku realizon etyde akrobatike me Telat Agollin, si xhonglere, numëra ajri etj. Martesa me Pineo Shkurtin, i cili do të aktivizohej në cirk si iluzionist e xhonglist, do të forconte punën e saj me cirkun duke e bërë pjesë të jetës tyre dhe familjen e tyre të madhe.
Numrat e saj më të njohur dhe të suksesshëm ishin etydet akrobatike (treshe, katërshe), ekuilibër me shkallë, me dhëmbë, me thikë, me shpatë, tasat rrotullues, tavolinë rrotulluese, xhonglimet me shishe dhe rrathë, topa, etj. Guximi i saj, shkathtësia, interpretimi mjeshtëror, e bënë atë të admirueshme nga publiku ku mori vazhdimisht vlerësime dhe duartrokitje.
LILJANA KALLESHI (1951)
Ishte vazhduese e kësaj tradite, “Mjeshtre e Madhe e cirkut”, “e cila, fillimet i ka që në moshën 9- vjeçare në rrethin e Baletit pranë Shtëpisë së Pionierit në Shkodër, me instruktore artisten e madhe Roza Xhuxha (Anagnosti) në vitin 1960. Nga lëvizjet elegante që realizonte, e afroi pranë grupit të akrobatëve trajneri i grupit, z. Myftar Tafili Në vitin 1967 emërohet Profesioniste, pranë Trupës Profesioniste të Estradës së Shkodrës.Po në vitin 1967 emërohet drejtuese e Grupit të Cirkut pranë Teatrit “Migjeni.
Liljana ka drejtuar me sukses grupin e akrobatëve për 23 vjet, derisa doli në pension. Ka një karrierë brilante si pjesë aktive e cirkut, por edhe si drejtuese, duke vënë në skenë numra të vështirësisë së lartë, që kanë lënë mbresa tek spektatorët dhe janë vlerësuar lart nga kritika e kohës. Gjatë karrierës saj 30-vjeçare ka ekzekutuar shumë numra të vështirë dhe me një cilësi të lartë artistike, kryesisht në gjininë e plastikës, ekuilibrit me gota, trapezi fluturues e kombinuar me ushtrime force. Më 2012, Presidenti i Republikës e dekoron me urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. Më 2016, dekorohet “Nderi i Qarkut Shkodër”.Më 2020, Bashkia e Tropojës e vlerëson me titullin e lartë “Qytetare Nderi e Tropojës”.Më 2020 Presidenti i Republikës i jep titullin: ” Mjeshtër i Madh”. /Nga Zenepe DIBRA, publikuar në Facebook/