Gjatë vizitave në atdhe befasohem nga ndryshimet e mëdha. Ndër ditët e qëndrimit, sidomos kur dielli shndritë rrugicat shekullore, por edhe fasadat e pallateve modern të qytetit tim të lindjes Shkoder, të vjen dëshira për ndonjë shetitje nga bregu i liqenit për të soditë natyrën e për të sjellë në kujtesë vitet e shkuara. Sa kujtime janë ruajtur në memorien e qytetit tim, për ngjarje nga më të ndryshmet; histori luftrash e pushtimesh, ngjarje artistike e patriotike, gëzime e tragjedi familjare; sa kujtime për personazhe shumëngjyrësh të cilët kanë ndikuar kulturën dhe humorin e qytetit; sa kujtime për dijetarë e specialistë të fushave të ndryshme që nderuan e lartësuan emrin e qytetit të Shkodrës.
Në qytet, rrugët shtruara e të gjëra (nganjëherë me emertime të çuditëshme) të bëjnë një përshtypje të mirë, aq sa ke deshirë t´u shkosh deri në fund, por kur të lind nevoja për një pushim (nga mosha) të vjen keq që mundësia për tu ulur në ndonjë lulishte është e paktë ose nuk egziston….
Më rastisi të kaloja përgjatë rrugës gjarpëruese ku gjindet shtëpia muze e Pashko Vasës, dhe prania e një derë të vogël prej hekuri, mu përballe saj, me ringjalli kujtime dhe emocione të cilat dëshiroj ti ndaj me lexuesin… Dikur kjo derë e vogël mbi të cilën ishte e fiksuar një tabelë treguese, mbyllte pas saj ambientet e një ndërtese të vogël me terracë betonit. Për çdo shkodranë kjo godinë ishte shumë e njohur, ndërsa syrin kureshtar të ndonjë vizitori e befasonte përmbajtja krejt e veçantë e shkrimit mbi derë:
KLINIKE PRIVATE
Dr Sandër Ashta, Neurolog, Psikiatër
Orari i Vizitave: …. nga….deri…..ora….
VIZITOJ EDHE PA PAGESE
U shtanga për disa minuta para kësaj porte bujare, që për qytetarët e Shkodres (por edhe të shumë vendeve të tjera mbrenda e jashtë Shqipërisë), ishte si vend pelegrinazhi….ku çdo njëri që trokiste këtu gjente ngushëllim nga fjalët e ëmbla dhe optimiste, gjente trajtim të kualifikuar dhe ngrohtësi, si dhe sherim shpirtëror e fizik nga mjeku humanist Sandër Ashta……
Dikur, rrugës për në shkollë kaloja para kësaj dere, ku po thuajse çdo ditë qëndronte dikush që priste,…. një taksi që transportonte ndonjë të sëmurë, ….apo ndonjë karrocë që kish sjellë për vizitë dikë nga fshati. Njerëzit i drejtoheshin doktor Sandrit në shtëpi, mbasi në spital ishte “zor për ta kapur” ngaqë ishte shumë i angazhuar. Përvec vizitave ditore të pavionit, si specialist atij i duhej të ishte pjesë dhe e shumë komisioneve apo ekspertizave mjeksore apo mjeko – ligjore.
Doktor Sandër Ashta lindi me 6 janar 1936 në një familje të mesme e cila ishte e njohur për ndershmëri dhe atdhedashuri. I jati Kol Ashta, një burrë shumë i dashur e gazmor, kishte lindur në Dubrovnik në familjen e një tregtari shqiptar. Ai në rininë e tij ushtronte zanatin e argjendarit e më vonë për mbajtur familjen filloj të punoj edhe si rrobaqepës në Kotorr. Për të gjithë njërzit që e njihnin, Kola ishte i lindur për ato mjeshtri. E ëma e Sandrit, Zina (Shllaku) Ashta vinte nga një familje artistësh e intelektualësh nga gjiri i së cilës doli aktori e regjisori i njohur Lec Shllaku dhe shqipëruesi i Homerit, i madhi Prof. Gjon Shllaku. Që në rininë e tij Sandri pat shumë ëndrra dhe dëshira për të ardhmen, por fati e solli që në vend që të bëhej balerin, mësues letërsie apo historie (sic ai ëndërronte), për nevojat e kohës shteti i dha një bursë për mjeksi.
Filloj studimet për mjeksi të përgjithëshme në Fakultetin e mjeksisë në Tiranë në vitin 1954 dhe pasi i mbaroj ato në vitin 1959, kërkoj të bëjë një specializim të cilin ja dhanë jashtë dëshirës së tij për otorinolog. Pas shumë përpjekjesh arriti të shkojë në drejtimin që dëshëronte dhe të bëhet mjek për psikiatri dhe neurologji. Nga rezultatet shumë të mira e sukseset që pat në studimet pasunivesitare në degën e neuropsikiatrisë, i propozuan një vend si pedagog në fakultetin e Tiranës.
Edhe pse ky propozim ishte shumë intrigues, doktor Sandri shprehu deshirën e tij që ti shërbente popullit të Shkodres duke marrë përsipër detyrën e specialistit të neurologjisë në spitalin civil të këtij qyteti. Ato që e njohën nga afër Sandrin e dijnë që natyra e tij e qeshur e plot humor, mëndyra e komunikimit me njerzit dhe pacientët, thjeshtësia e respekti për tjetrin, por edhe autoriteti (aty ku nevoitej) qenë bazat e suksesit të punës së tij shumë vjecare.
E kush në Shkoder nuk i njeh batutat dhe anektodat që la “trashëgim” Sandër Ashta? Tregojnë që njëherë, ndërsa lëvizte rrugës nga spitali për në ambulancë ku do të kishte komision mjeksor, një nga figurat e njohura të partisë pushtet në Shkoder (M.T.), një burrë që binte në sy jo vetëm për pozicionin në parti, por edhe për përmasat e mëdha të trupit e të kokës, e ndalon dhe fillon ti ankohet për një dhëmbje të përherëshme e të padurueshme koke e cila i shtohej sidomos kur ai levizte… Sandri me shikimin e tij karakteristik që të depërtonte dhe me cingaren e perherëshme që i varej në buzë….. e sheh “pacientin” nga koka deri te këmbët dhe ….si pa rëndësi i pergjigjet: ….Mos u ban merak, krejt e thjeshtë…. a din cka ke….ti shoku M…për fat të keq ke kryet e madh e mbrendë tru pak, e kur ecë me ngut, trutë shkojnë tuj u perplasë ….. e kjo të shkakton dhimbje….
Sandri ishte shumë konsekuent në zanatin e tij e për këtë shpesh i duhej që të “ndeshej” edhe me miq e shokë, por “pa i leshuar pe” nga mendimet e tija. Meqë ai njihte shumë njerëz edhe ndërhyrjet tek ai për probleme të ndryshme ishin të shumta. Njëherë një i njohur i kërkoj që, meqenëse ai jepte mësim në shkollën e infermierisë në qytet, ti bënte nderë duke i kaluar klasë një mbese të tij që ishte nxënëse e dobët. Sandri i cili i dinte mirë aftësitë e vajzës nuk pranoj, por shoku vazhdonte të ngulë këmbë (pasi kishte shumë afërsi me të)…. e Sandri vazhdonte të kundërshtonte. Kur miku u bë ….i padurueshëm, Sandri i pergjigjet: Sikur të më kërkoje që ti gjeja burrë, do ta bajsha me knaqësi se e njoh që është vajze mirë, por diplomën nuk mundem me ja dhanë se merr njerzit në qafë …..
Ai nuk i thyente kurrë dhe ishte kokëfortë në parimet e tija edhe pse rrezikonte ndonjëherë. Ndodhi që gjatë një mbledhje analizë vjetore ku gjindeshin po thuajse të gjithë mjekët e qytetit, drejtuesi i mbledhjes (A.B.) i cili ishte dhe drejtues i institucionit dhe njëri me shumë “kontribut në parti” e perfundoj mbledhjen me fjalët:…LE TE JETE MOTOJA E JONE …PARTIA MBI TE GJITHA…. e Sandri e korigjon me “kujdes” …PER NE MJEKET….NJERIU MBI TE GJITHA…..
Si në të ftohtin e dimrit, ashtu edhe në zhegun e verës, me kapelën e tij karakteristike “Borsalino”, përshkonte Dr. Sandri rrugët e qytetit mbi bicikletën e tij të vjetër…nga njeri cep në tjetrin, aty ku e kërkonte puna, aty ku kishin nevojë njërzit. Nga goja e tij nuk u dëgjua asnjëherë fjala ….JO, ….. NUK MUNDEM,….NUK KAM KOHE…
Më rastisi njëherë që ta shoqëroja me makinen time në një lagje periferike të qytetit ku ai nuk kish mundur të shkonte për një vizitë në bicikletë…. – Me vjen keq që do të vonohemi pak – u përpoq të më kërkonte falje pasi doli nga vizita, …..duhet të shkojmë në farmacinë e Parrucës për të blerë ilacet e këtij pacienti pasi është burrë i vobegët dhe i vetëm… Nuk ishte rasti i parë që dëgjoja që ai i paguante nga xhepi i tij ilacet e personave të varfër e në nevojë….
Doktori i donte shumë lulet ashtu dhe kafshët. Oborri i tij ishte gjithmonë i mbushur me lule të shumëllojshme e shumëngjyrash. Njëherë në mes të njerzve që i kishin ardhur për tu vizituar në shtëpi, njëri që ishte tepër i dobët fizikisht po i “ankohej” …..- Allahile doktor çka ka me mue ky qeni i jot, që m’asht qep e më leh ma shumë se të tjerëve? ….. E kam mësue me koca – ju pergjegj doktori plot humor…
Si çdo shqiptar edhe mjekët krahas punës së tyre humanitare me njerzit, thirreshin në sherbimin ushtarak (zbor) për “tu aftësuar në mbrojtjen e vendit”. Një herë në muaj (gjatë viteve 70-80), edhe pse ishte i mbytur në punët e spitalit e problemet shëndetsore të qytetarve, Dr. Sandrit i duhej të shkonte në zbor, që të ruante depon e armatimit që gjindej në fabrikën e cingareve të Shkodres. Ndërsa për të tjerët kjo ditë ishte një mëndyrë për tu shkëputur nga rutina punës, për Sandrin “dita e zborit” ishte ditë e mirëfilltë pune pasi njerzit i shkonin tek depoja e armëve për tu vizituar. Atë ditë canta me aparatin e tensionin, cekicin i neurologut dhe karabina ishin pajimet e tija.
Kisha degjuar nga koleget e tij që atë kohë (nga viti 1972 e më pas) Dr. Ashta, arrinte të kishte 70 deri 90 vizita në ditë, per të cilat nuk pranonte të paguhej, megjithëse nganjëherë i mungonin lekët për të blerë duhanin që nuk mund ta ndante për asnjë cast nga vehtja. Pavarësisht nga lodhja ditore, humanisti Sander Ashta, edhe trokitjeve në derë në orët e vona të natës, i pergjigjej menjëherë. Për këtë punë vetëmohuese ai ishte vlerësuar me shumë urdhëra pune dhe nderime profesionale nga shteti.
Një miku i tij që banon në Vekshar të Shkodres tregon këtë ndodhi: …një ditë Sandri ndodhej në shtëpinë time për të na bërë një vizitë mjeksore. Pas vizitës, teksa po pinim kafe dhe bisedonim në oborr, afrohet pranë nesh një komshi i imi, burrë në moshë të thyer, dhe e pyet doktorin: ….m.q.s. je mjek dëshëroj me të pyet…a din gja a rron Sandër Ashta?…. Jo ka vdekë, i pergjigjet Sandri, duke mbajtur pamje serioze… po pse po pyet? …. Më ka shpëtuar jetën, i pergjigjet i moshuari…… Kishte ardhur familja të më marrë nga spitali i cili më nxori jashtë për të vdekë në shpi… , por fati e solli që të takoj Dr. Sandrin në shkallat e spitalit, i cili me ktheu në repartin e tij e ja ku jam sot…
Një herë pata rastin të takoja Dr. Prezën të cilin Sandri e pat profesor, më vonë koleg, por edhe mik të madh. Kur i tregova që ishim të njohurit e Dr. Ashtës na këshilloj që të mos merrnim më rrugën për në Tiranë, pasi është Dr. Sandri në Shkoder. Unë- më tha ai, të gjithë të afërmve të mij i rekomandoj Dr. Sandrin për problemet që kanë. Më pas për të treguar aftësitë dhe profesionalizmin e Dr Ashtës kujtoj nga e kaluara: … e kam njohur qysh student, ishte shumë i vëmendëshem dhe i talentuar. Punonte gjithë ditën në spital që të përfitonte nga mjekët më të vjetër. Në pavion patëm një herë një paciente nga Shkodra të cilën ai e njihte. Pasi kishte konstatuar që ajo po trajtohej gabim, me lejen shefes së repartit (një mjeke ruse) i ndërroj mjekimin gruas e cila u përmirësua dukshëm dhe u shërua.
Eshtë për tu përmendur që për njohjet e tij, respektin që gëzonte në popull, si dhe përkushtimin dhe ndershmërinë në punë, në fillimet e demokracisë një mjek koleg dhe politikan, i propozoj që të futej në politikë e të bëhej deputet. Ato ditë Sandri ndjehej i shqetësuar dhe këtë ua thoshte të gjithë miqve të tij: ….si thoni ju… unë jam për mjeksi, që të ndihmoj njerzit e jo për politike…dhe ai vendosi të ishte aty ku mund të ndihmonte më shumë popullin e Shkodres, vendosi për mjeksinë.
Po në ato ditë, më kujtohen vizitat e përditëshme që i bënte, ish të burgosurit politik Pjetër Arbnori, i cili sapo kishte dalë nga burgu ku kishte kaluar një jetë plot trauma dhe keqtrajtime. Doktori e kuptoj që ai kishte nevojë për ndihmën e tij profesionale dhe e trajtoj me dëshirë e durim mikun e tij të mirë. Gjatë kohës së diktaturës si dhe në ditët kur filluan levizjet për demokraci, Dr. Sandër Ashta ndihmoj me dhjetra të burgosur politikë që kishin mbushur birucat e degës së punëve të mbrendëshme në Shkodër. Edhe pse ishte shumë e rrezikëshme, ai shkruante në kartelat e të burgosurve diagnoza të pakundërshtueshme nga ndonjë “mjek i partisë”, që tua lehtësonte sado pak vuajtjet, apo të pengonte internimin ose dërgimin e tyre në kampet famëkeqe të punës.
Shkodra nuk mund të harrojë që me këmbënguljen e tij u ndertua spitali psikiatrik në Shkodër i cili sot mban emrin e tij. Me eksperiencen e tij të gjatë si specialist i kësaj fushe, ai bashkëpunoj me ndertuesin, që ta bënte spitalin e ri sa më funksional dhe bashkëkohor. I gjithë kolektivi i këtij spitali i njeh mirë përpjektjet e tij, duke shfrytëzuar edhe njohjet përsonale, për ta paisur spitalin me një kaldajë të fuqishme që do të plotësonte nevojat për ngrohje. Në ato ditë të vështira, ai angazhohej personalisht për të siguruar lëndën djegëse për ngrohje e kur ajo mungonte, me tagrin e drejtorit të spitalit, i lejonte pacientët të mbanin reflektor në dhomë.
Pervec spitalit psikiatrik, Dr. Ashta drejtonte edhe shtëpinë e të moshuarve të qytetit, ku ai shpalosi vlerat e tij të larta morale e sociale duke u sjellë me këtë shtresë, si me prindërit e tij që i adhuronte. Nuk mund të harrohen ditët kur në sallën e ngrënies tavolinat mbanin mbulesa tipike shkodrane, kur kafja e mëngjezit i shkonte çdo banori te shtrati. Së bashku me kolektivin e sherbimit, ai dëshëronte që ti krijonte të moshuarve ngrohtësinë e familjes.
Me vlerat e tij të larta morale si njeri dhe specialist, Dr. Sandër Ashta ka hyrë në të gjitha shtëpitë e qytetit, për ti shërbyer njërzve të çdo moshe, në çdo kohë. Ai ishte i lidhur miqësisht me qindra familje të cilat i frekuentonte edhe në raste gëzimesh familjare.
Duke kërkue të dhëna për Dr. Sandër Ashten në Shkoder tek të njohurit e tij, kolegët, të afërmit, mora vesht një lajm që më la shije shumë të keqe. Një nga koleget e reja të Dr. Sandrit nga spitali psikiatrik (Dh.U.), duke respektuar procedurat e keshillit bashkiak në Shkoder për emërtimin “qytetar nderi” , kishte kërkuar aplikimin për Dr. Ashten.
Pergjigja kishte qënë e menjëhershme dhe negative pasi mjekja i perkiste jo shumicës partiake të këshillit bashkiak. Ndjeva neveri e turp pasi Dr. Sandri ishte kujdesur edhe për shendetin e vetë këshilltarve e familjeve të tyre , pa pagesë, duke sakrifikuar edhe kohën për familjen e vet, pa shikuar ngjyrë apo ideologji partiake. Shkodra e shkodranët ishin si familja e tij. Mendova me vehte: mjerë Shkodra e qytetërimi i saj për këto mbeturina partiake që pengojnë perparimin. Mjerë ai komb (qytet) që nuk ngre në piedestal heronjtë e vet…..Deri kur????? Dr. Sandër Ashta ndërroi jetë me 10 prill 2002 ndërsa kishte lindur me 6 janar 1936./Publikuar me 16.02.2014 nga Pjetër LOGORECI/