Nëse flasim për historinë e notit në Shkodër, parasysh të dalin shumë emra kampionësh dhe rekordmenësh të cilët me sukseset e tyre në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme.
Njëra nga to është padyshim ish- notarja dhe ish- trajnerja e mirënjohur Kudrete Kozmaj. Po e kujtojmë sot këtë personazh të njohur ngaqë kjo ditë përkon me 16 vjetorin e ndarjes nga jeta.
Kudrete Kozmaj ka lindur në Shkodër më 21 mars 1953 dhe jetën e saj ia kushtoi sportit të notit. Kampione dhe rekordmene në sportin e notit, më pas trajnere e Vllaznisë dhe e ekipit tonë kombëtar.
Ajo është trajnerja që bashkë me sportisten e saj Rovena Marku përfaqësoi sportin e notit për herë të parë edhe në Olimpiada.
Kudrete Kozmaj është nderuar nga Këshilli Bashkiak Shkodër në vitin 2006 me titullin “Mirënjohja e Qytetit” dhe po ashtu në kuafrin e festimeve të 100 vjetorit të SK Vllaznia është vlerësuar si një nga “notaret e shekullit”. Po ashtu ka marrë edhe shumë vlerësime nga Federata Shqiptare e Notit.
Ndërroi jetë më 19 janar 2006, ende pa i mbushur 53 vjeç, pikërisht atëherë kur kishte ende shumë për të dhënë për Shkodrën dhe Shqipërinë. Megjithatë edhe aq sa dha, i jemi për gjithë jetën mirënjohëse! /Nga Gjergj KOLA/