Nga Aleksandër MEKSI
Ish- kryeministër i Shqipërisë
25 vite më parë si sot, në 25 maj 1996, filloi të funksiononte shërbimi telefonik GSM, celulari, që ishte një hap i rëndësishëm në zhvillimin e vendit dhe hyrjen në shekullin e ri të dixhitalizimit.
Ishte një nismë e ekspertëve shqiptar të telekomunikacionit, që i paraqiti Qeverisë në vitin 1995 këtë propozim, i cili u konkretizua me Vendimin përkatës për krijimin e rrjetit të parë celular në Shqipëri. Per këtë u krijua Njësia e Implementimit të Projektit Mobil, e cila ishte tërësisht me inxhiniere dhe ekspertë shqiptarë. Kjo njësi hartoi projektin dhe studimin paraprak të rrjetit celular.
Me pas u themelua kompania AMC (Albanian Mobile Communications) e cila ishte shtetërore dhe e pavarur nga Telekomi Shqiptar (sot Albtelekom). AMC u krijua nga një grup inxhinierësh dhe teknikë shqiptarë të telekomunikacionit me në krye nismëtarin Adrian Shehu (Këshilltar i KM), si dhe ekspertë ligjorë, ekonomistë, financierë e të tjerë, të cilët punuan fort dhe me përkushtim, për të vënë në punë rrjetin më të avancuar të komunikimit të kohës. Midis tyre mund të përmenden: Bedar Llagami, Elira Shapllo, Ardjana Shehi, Latif Drenofci, Petri Deti, Ilir Duka, e të tjerë…
Në vitin 1996 shume vende Europiane kishin shërbim celular, por ai ishte i tipit analog, i standardeve NMT (Nordic Mobile Telephone) dhe TACS. AMC vendosi të implementoj teknologjinë më të avancuar që ishte në atë kohë, atë GSM (Global System Mobile) që ishte dixhitale. Vetëm 5-6 vende në Europës e kishin sistem GSM aktiv në 1996. Shqipëria ishte e para në Ballkanin Perëndimor.
Rrjeti celular GSM i AMC u bë aktiv në 25 Maj 1996. Teknologjia e përdorur ishte ALCATEL, e prodhuar në Gjermani. Qendra e AMC u ndërtua në Laprakë, duke rikonstruktuar ish uzinën e PTT
Në fillimin e saj, AMC mbulonte me shërbim zonën Shkodër, Lezhë, Krujë, Tiranë, Durrës, Lushnje, Fier Vlorë ku ishte përqendruar pjesa më a madhe e popullsisë dhe ku kërkesa për shërbime telefonike ishte më e lartë. Sidoqoftë, rrjeti celular u implementua në një kohë shumë të shkurtër. Periudha e zbatimit zgjati vetëm 6 muaj. Në këtë kohë u ndërtuan të gjitha stacionet, qendra e AMC, centralet MSC, etj.
Mbas fillimit të shërbimit, shumë shpejt, në rreth 4-5 muaj u bënë mbi 50 marrëveshje roaming me operatorë të ndryshëm nëpër botë, dhe si rrjedhim, abonentët shqiptare mund të përdorin telefonin në të gjitha ato vende.
AMC, edhe pse ndërmarrje publike, nuk u financua asnjëherë nga buxheti i shtetit. Investimi fillestar ishte 6.8 milion USD të cilat kompania AMC i mori si kredi nga Banka e Kursimeve. Kredia u shlye brenda 3 viteve, edhe pse AMC kaloi edhe periudhën kaotike dhe të vështirë të 1997. Faza e dytë e planifikuar e AMC ishte 12 milion USD, dhe do të shtrinte mbulimin celular në te gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë.
Kjo fazë do të financohej plotësisht nga burime të brendshme të AMC. Viti ’97 pengoi zbatimin e saj. Shërbimi celular i ofruar nga AMC plotësoi nevojat e mëdha të asaj kohe për komunikime telefonike të cilat nuk përballoheshin nga Telekomi Shqiptar.