553 vjet më parë, do të largohej nga kjo botë Gjergj Kastrioti, i njohur edhe me emrin që i vuri sulltani, Skenderbeu. Padyshim, figura më e pakontestuar, më e gjithëpranuar e shqiptarëve në të gjitha etapat e historisë sonë. Për 25 vite, ndaloi pushtimin e Shqipërisë por edhe të Europës nga Osmanët, përandoria më e madhe dhe më e fuqishme e kohës.
Kastrioti konsiderohet si një ndër strategët ushtarakë dhe gjeneralët më të zot në historinë e njerëzimit. Me numër disa fish më të vogël ushtarësh, ai ia doli të mposhtë ushtrinë më të fuqishme të kohës. Me largimin e tij nga kjo jetë në moshën 63 vjeçare, mori fund edhe qendresa e Arbërisë së asaj kohe duke filluar një pushtim shumë të gjatë, gati pesë shekullor të vendit, i cili zyrtarisht mori fund me 28 nëntor 1912.
Kanë thënë për Gjergj Kastriot- Skenderbeun
“Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë!” (Sulltan Mehmeti II).
“Nëse Konstandinopolin do ta kishte mbrojtur Skënderbeu, turqit nuk do të kishin mundur ta merrnin në majin e vitit 1453” (Volter).
“Skënderbeu ka mbrojtur me sukses Krujën, kundër tre rrethimeve të Muratit II dhe Mehmetit të II, dy pushtonjësve më të tmerrshëm të kohës, që kishin në dorë ushtritë më të forta të botës”. (Fan Noli).
“Gjithë autorët për Skënderbeun, që nga Marin Barleti e deri te Eduard Giboni dhe peshkopi Noli, kanë ngritur lart heroizmin e tij luftarak, por pak gjë është thënë për aftësinë e tij që të punonte me njerëzit. Në kohën e tij, Shqipëria ka qenë e ndarë në disa principata dhe çdo prijës ishte ziliqar e krenar, siç mund të jetë një shqiptar për rëndësinë e vet në tablonë e gjërave.
Në këtë pështjellim e përleshje, që afrohej me anarkinë, erdhi Skënderbeu më 1443. Për të sjellë rregull në këtë kaos, ai thirri një kuvend, për të gjithë princat, në Lezhë më 2 mars 1444, ku formoi Lidhjen e Princave Shqiptarë, duke u bërë vetë kryekomandant i ushtrisë së Lidhjes.
Ishin më shumë se një dyzinë princash, por me anë të diplomacisë e të shpirtmadhësisë, ai ia doli t’i mbante ata të bashkuar, derisa vdiq. Një njeri më i vogël nuk do mund t’ia arrinte. Herë pas here, disa prej tyre, u lëkundën, por personaliteti i tij dinamik i mbajti ata të bashkuar fort, si në mengene. Por mengeja u prish, sapo ai u varros në Katedralen e Shën Nikollës së Leshit, më 17 janar 1468.
Pak kohë më pas, Lidhja e tij u përça dhe bashkë me të ra edhe Shqipëria, për të mos u ngritur dot më, deri më 1912, pas katërqind e dyzet e katër vjetësh. Kështu Shqipëria qe vendi i fundit në Ballkan, që iu nënshtrua turqve dhe i fundit që rifitoi lirinë e vet”. (Faik Konica).