6 vjet më parë do të ndahej nga jeta Anton Grishaj, telekronist i TVSH për M. Madhe në fillim të 1990- ës, shkrimtar, autor dokumentarësh dhe filmash, fitues i shumë çmimeve prestixhoze kombëtare e ndërkombëtare. U nda nga kjo jetë në moshën 54- vjeçare, në Itali, pas një sëmundje të rëndë.
Kontributi i tij ishte shumëdimensional si gazetar televiziv, kineast apo si producent i filmave artistikë, si: “Letra fatale”, “Pleqtë e hashashit” si dhe filmi vizatimor “Koha e dashurisë së akrepave”, pa harruar produksionin e 37 dokumentarëve televizivë, 21 filmave dokumentarë, si bashkëpunim, me Fondin shqiptar të Zhvillimit, si dhe 6 serive të telenovelës “Familja”, një bashkëpunim me RTSH, janë dëshmia më autentike e një producenti tejet të suksesshëm.
Jo rastësisht, sot Anton Grishaj gëzon një seri vlerësimesh, si inkurajime serioze të metejshme, për sukseset e tij, siç janë nderimi me: Çmimin e parë në Festivalin Botëror të Filmit Dokumentar, në Milano, me temë sportive, për filmin”, Lidhëzet e këpucëve”, Çmimin e dytë në Festivalin Botëror, në Bjellorusi, për filmin “Bertinus”, kushtuar kodikëve të Beratit dhe Çmimin special për nder të jubileut të 20-Vjetorit të Gazetarisë Shqiptare.
Pushofsh në paqe Anton, përfaqësues i denjë i Malësisë, Veriut e mbarë Shqipërisë!