68 vite më parë, lindi, regjisori, aktori, muzikanti, Fatbardh Smaja. Ai lindi me 2 Shtator 1956 në qytetin e Shkodrës. Shkollën 8 vjeçare dhe të mesme e kreu në Shkodër, në shkollën e muzikës “Prenkë Jakova” për klarinetë. Shkollën e lartë e kreu në Akademinë e Arteve në Tiranë, dega dramaturgji. Në vitin 1980 fillon punën si aktor në teatrin “Migjeni” deri në fundin e jetës së tij, në ditët e para të nëntorit 2015. Bardh Smaja e deklaronte me humorin e tij të spikatur se “ishte instrumentisti më i mirë ndër aktorët shqiptarët”, tregues i vlerave të gërshëtuara që ai mbartte.
Bardhi ka interpretuar mbi 50 role si aktor në dramaturgjinë shqiptare e të huaj, ai ka punuar me regjisorët e njohur si: Serafin Fanko, Esat Oktrova, Elez Kadrija, Violeta Sekuj etj.
Në vitin 1999-2002 ishte drejtor i Radio Shkodrës. Nga viti 2002 e deri në ditën e fundit të jetës së tij ishte regjisori i teatrit “Migjeni”, në vitin 2015 edhe si drejtor i teatrit.
Fatbardh Smaja ka vënë në skenë një numër të madh shfaqjes, ndër to mund të përmendim: “Të gjithë të qeshur”, “Talent i rrallë”, Opereten ” Si partizan”, “Neni 55”, “Për një L”, “Vizita e fundit”, “Ishulli i Shitenit”, “Luaj për mua në violinë”, “Rreth e rreth Shkodrës jam sjellë”, ” Hyr fjalë nga dole”, ” Le ultime lune”, ” Surpriza”, “Vëllai nga babai”, “Miqtë e Tanos”, “O vajzën o komunen”, “Kur këndon gjeli”, “Big Brother 1”, “Dy jetë”, ” 7 Shaljanët”, ” Big Brother 2″, “Rëndësia e të qenurit i sinqertë” ” Kandili i Argjandit” si dhe shumë regji të tjera jashtë teatrit si: koncerte, Festivale, variete televizive etj.
Bardhi ka interpretuar edhe në Kinematografin Shqiptare, ku mund të përmendim filmat “Fundi i një gjakmarrje”, “Fejesa e Blertës”, “Ngjyrat e moshës”, “Sa afër paske kene” etj. Bardhi është vlersuar si regjisori më i mirë në festivale të ndryeshme teatrore.
Fatbardhi ishte një intrumentist virtuoz, ai ka qënë pjesë e shumë formacioneve intrumentale si dhe krijues e formulues muzike të shumë shfaqjeve teatrore. Ai gjithashtu ka realizuar dhe skenografinë e disa shfaqjeve të tij si regjisor.