Lekë Plani do të festonte sot 72- vjetorin e lindjes. Do të kishte rrotull familjarët e tij por edhe shumë miq dhe kolegë. Një gotë verë, humor dhe sigurisht, muzikë do të ishte menuja e kësaj feste, sot e munguar.
Gazetari i njohur në këtë pervjetor, mungon fizikisht. E mori shumë para kohe murtaja Covid-19, fatkeqësisht, si disa kolegë të tjerë që mungojnë në apel.
Megjithë mungesën, sot Lekë Planin e kujtojnë shumë. Familja e afërt, familjarët, miqtë, kolegët, të njohurit. Lista e numri i tyre është mjaft i lartë, për shumë arsye. Duke nisur nga natyra e Lekës. Në çdo tavolinë, ishte hareja dhe epiqendra e padiskutueshme.
Lekë Plani e jetoi jetën plotësisht, në të gjitha aspektet e saj. La gjurmë pas, si indvidbpor edhe si gazetar e drejtues. E sigurisht, madhështore mbeten edhe ditët e fundit të jetës, kur përballej dhemb për dhemb me murtajën Covid-19.
Edhe pse me maskë oksigjeni dhe me vështirësi ne frymëmarrje, Lekë Plani këndonte, u jepte zemër të sëmurëve në dhomën e tij në spital. Sepse ky ishte Lekë Plani, miku që i mungon të gjithëve në këtë 72- vjetor të lindjes që ai e feston me engjëjt.