Agron Bala u lind në qytetin e Shkodrës, në një familje tregtarësh të vjetër fisnikë, me tradita të kahershme qytetarie e arsimdashëse. Babai i Agronit, Vehbi Bala, si një pinjoll i shtresës së mesme që ishte, iu dha mundësia të shkollohej jashtë Shqiperisë, fillimisht në shtetin fqinj të Kroacisë për ekonomi, ndërsa më vonë ndoqi pasionin e tij të thellë për librat, duke ndjekur studimet për letërsi në Rumani.
Pas këtij formimi dyplanësh jashtë atdheut, ushtroi profesionin e mësuesit në gjimnazin e Gjirokastrës dhe të Shkodrës, dhe më pas atë të pedagogut të Letërsisë Shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës e në vijim në Universitetin Shtetëror të Tiranës. I dekoruar për merita të shquara në punën e tij pedagogjike dhe shkencore, “Mësuesi i Popullit” Vehbi Bala vdiq në Tiranë më 1990.
Në të gjallë të tij u botuan vëllimet me poezi “Shtigje Drite” më 1946, “Vjersha” më 1954, “Gjaku i falun” më 1955, “Poezia e Rrugës” më 1959, “Në rrjedhë të jetës” më 1969, “Burim poezie” më 1977, “Epigrame” më 1979, “Persiatje” më 1981, “Vallja e luleve” më 1986. Në fushën e studimeve letrare, Vehbi Bala spikati me monografitë “Jeta e Elena Gjikës” , botuar më 1967, atë “Fan S. Noli” të botuar më 1972, “Migjeni” më 1974, “Viktor Eftimiu” më 1978, “Pashko Vasa” më 1979, si dhe me studimin “Gjergj Fishta, Jeta dhe Vepra” të botuar pas vdekjes më 1998. Po kështu dhe e ema e Agronit, Remzije Barbullushi Bala, mbaroi studimet për pedagogji dhe ushtroi profesionin e mësuesisë përgjatë gjithë jetës së saj.
I lindur në këtë mjedis ku libri ishte i pranishëm kudo, e madje nuk mungonte edhe në tavolinën e bukës, Agron Bala u rrit përmes enciklopedive historike, botimeve leterare shqipe dhe të huaja, shumë syresh prej këtyre të fundit të ndaluara nga censura partiako-shtetërore e kohës. Dhe ajo çfarë do ta miklonte që heret përmbi të gjitha djaloshin e ri, do të ishte krijimtaria letrare e të Atit dhe muzika klasike që ndigjohej në sfond përherë në shtëpinë e tij, të cilat si dy muza ndjellëse zgjuan tek ai në mënyrë të pavullnetshme, e më vonë të vetëdijshme, pasionin sa për ndjenjën fluturake, po aq dhe për thellësinë e gjykimit, për shpirtin e pamposhtur e fjalën e lirë, të thëna këto përmes artit të letërsisë dhe gazetarisë.
Arsimin shkollor paraunversitar Agron Bala e ndoqi në qytetin e tij të lindjes, në Shkoder. Ky qytet i lashtë, kulturalisht i rrallë, si porta lidhëse veriore e Shqipërisë me Perëndimin që qe, i shtresuar ndër kohëra sa mrekullisht, por po aq dhe tragjikisht prej historisë dhe fatit, djaloshit të ri i fali dashuri, e mveshi me një buzëqeshje të dlirë e sakaq me një humor të spikatun për mprehtësi e finese, e kulturoi, e civilizoi, e edukoi të ishte njeri i shoqërueshëm e karizmatik. Rrethu gjithmonë prej miqsh dhe i papërtueshëm me ba “ rehat” me mirësinë dhe zemërbardhësinë e tij të gjithë ata që e rrethonin, Agroni përherë e kudo që biri i dashur i prinderve, bashkeshorti e babai i familjes, vëllau i admirueshëm, zemra e shoqnisë, kolegu bashkëpunues, pedagogu i adhuruar, etj.
U diplomua në vitin 1982 në Universitetin e Tiranës, ne degën gjuhë-letërsi. Në vijim profilizon studimet për gazetari televizive e publicistike, për mos t’ju ndarë më fushes së televizionit dhe shkrimit.
Kontributi i tij në gazetarinë politike bëhet prezent fuqishëm veçanarisht pas vitetve ’90, duke dhënë për 25 vite rradhazi një kontribut të shquar në mediat e shkruara dhe elektronike të kohës. U spikat si një ndër gazetarët më të guximshëm e më me integritet profesional. Edhepse shpesh rrethanat konjukturale apo politike bëheshin pengesa e kërcënime, ato asnjëherë nuk rezultuan të pakapërcyeshme për të.
Bala ishte gjithmonë në kërkim të “zërit të tij” në fushen e gazetarisë, të timbrit personal e të pangatërrueshëm, e kjo kërkesë e tij u vizionua me hapjen e Radio Kontakt-it, anipse për arsye objektive kjo radio pas disa viteve u mbyll.
Të spikatësh si gazetar në radio dhe më vonë në televizion, përpos kulturës së gjërë, mprehtësisë së perceptimit, artikulimit të qartë, shterrimit të fakteve, ajo çfare Agronin e bënte të dallueshëm ishte stili publicistik dhe arti i tij i komunikimit.
Mbi 100 filma dokumentarë dhe programe televizive janë përgatitur nën kujdesin e tij si gazetar, skenarist, moderator, etj. Ndër to përmendim dokumentaret për Luigj Gurakuqin, Vaso Pashën, Hoxha Tahsinin, Mihal Gramenon, Shote Galicën etj.
Që prej vitit 2006, Agron Bala ishte autor i programit 7X7 në RTSH, një ndër programet me shikueshmerinë më të lartë për kohën krahasuar me ato analoge. Në këtë program, i pozicionuar si përherë “ nji shpirt i lirë”, ai jo rrallë dilte nga skenari praraprak, duke u përshtatur e improvizuar guximshëm, për të na sjellë intervista mbreslanëse, ku personazhet e ngurtësuara çliroheshin, shpesh harronin se ishin në një studio televizive, ndërsa spektatorit i bëhej më i besueshëm dhe më i vërtetë programi.
Krahas televizionit, si një personalitet i mirëformuar dhe i afirmuar Ai dha kontributin e tij dhe në fushën akademike. Leksionet e tij mbresëlënese sot kujtohen me admirim nga ish-studentët e tij, duke i dhënë të drejtë shprehjes sinqeritetit të tyre dhe krenari faktit se “fati I kishte ofruar atyre të ndiqnin profesorin e pakrahasuar përveçse me vet Agron Balen”.
Kushtuar personalitetit te Bala-s, si gazetar, publicistit dhe pedagog, në një vjetorin e tij të largimit nga jeta, botohet libri me titull “ STATUS”, shtëpia botuese “ Albas”, Tiranë, 2017, në të cilin janë përmbledhur disa nga statuset, shkrimet, opinionet, ndjesitë, apo dhe humori, të dhuruara publikut e miqve sa qe gjallë, falë shumëdimensionalitetit të tij intelektual, profesional dhe njerëzor.
“Doni të njihni xhelozinë në dimensioni e saj të plotë? Krijoni një çmim letrar! “
“Media shqiptare është vërtetë konseguente, merret vetëm me dy zanatet më të vjetra dhe më fitimpruese të botës: me prostitucionin dhe politikën. Zanatet dhe porblemet e tjera nuk i interesojnë.”
“Hajde gjeje kush cilësohet “shpifje” në këtë nahijen tone, – më tha një shok. E thjeshtë,- iu përgjigja. Nëse thua apo shkruan se ka korrupion, askush nuk të thotë gjë, por nëse këtë e shoqëron me emra konkret, atëherë quhet “shpifje”.
“Nëse pozon për foto përballë një kishe a xhamije, kjo nuk të lan aspak nga mëkatet.”
“Po shoh një deputet të veshur shik, që ka bërë disa selfi-je përpara godinës ku “ punon” ( kurrë nuk e kam pare e as dëgjuar të flasë në sallën e parlamentit). Krahas selfi-jeve ka marrë guximin të shkruaj diçka edhe për diçiturë, në një shqipe që as nxënësit e klasës së tretë të fillores nuk e shkruajnë aq keq. E rëndësishme është, se këshilltari i tij i luk-ut ka arritur rezultate të shkëlqyera në punën e tij, por mësuesit e tij të dikurshëm të gjuhës shqipe duhen pushuar nga puna, sepse i kanë vënë note kaluese këtij kodosh politikani.”
Agron Bala u nda nga jeta në vitin 2016, pa mbushur akoma të gjashtëdhjetat dhe në kulmin e performancës së tij profesionale dhe intelektuale. Ndarja e tij e parakohshme nga jeta trishtoi pa masë familjen dhe të afërmit, bashkëshorten e tij Irmen dhe vajzën Jona, të cilat u bënë suportet e tija më të qenësishme, po kështu të gjithë kolegët e medias, studentët e tij, lexuesit e teleshikuesit e shumte nder vite. /Nga Denata RROJI/