Me përulësi dhe respekt, me përkorje dhe ngulm të epërm shëlbimi në shpirt dhe vullnete, vijmë sot në këtë përshpirtje dhe kujtesë, sot në 83-vjetorin e vdekjes së të madhit, At Gjergj Fishta. At’ Gjergj Fishta ishte figurë qendrore e veprimtarisë politike dhe artistike, klerike dhe diplomatike, e jo vetëm. Roli dhe kontributi i tij në ato vende ku ai behu si një zë, ishin dhe mbeten gurthemel i rëndësishëm i vetëdijes sonë kombëtare.
E pamatshme është vepra që gatoi me pasion e përkushtim. Gjithçka që rreket të formësojë përmbledhtazi jetën dhe aktin e tij krijues, do ta kishte të pamundur ta përfshinte të gjithin në këtë përqafim dëshmimi. Ai ishte një univers, ishte një kapacitet gjithëdimensional. I lindur për të qenë një i jashtëzakonshëm, ai e ndërtoi këtë mit, pikërisht atë që na qaset sot në nevojën gjithnjë të pashterrur për ta përvetësuar si kapacitet, si vlerë dhe si një fenomen.
Pak njerëz kanë pasur fatin e At Gjergj Fishtës në të mirë dhe të keq. Vdiq dhe u përcoll me nderime të mëdha duke lënë pas një akt të pashoq krijimi. Pak vite më pas… eshtrat ia derdhën në lumë. Dhe vjen si një gjamë harresa dhe anatema prej diktatutës komuniste. U bë çmos të shtypej me dhunë e me gjak, me frikë e me mohim çdo gjurmë yjësie që ai la. Dhe vjen demokracia.
Edhe pse i ç’burgosur nga anatema, mohi e harrimi, ende mbeti jo krejt i shpaluar, jo gjithkund i pranuar, jo gjithqysh i këtushëm. E keqja, lëngimi, anatema i kishin ngulur thellë thonjt. E megjithatë ai mundi të rivinte si një vigan, si një zë i fuqishëm, si një e vërtetë e pamohueshme. Ai mundi të rigjente vendin e vet në zemrat që e kishin strukur dhe e mbanin të fshehur si një amanet i vetë Zotit dhe Kombit që i kishte gjithçka. /Nga Albert Vataj, publikuar në Facebook/