Një ditë e shënuar sot për Luan Vukatanën, familjen e tij, të afërmit por edhe kolegët, ish- futbollistë të Vllaznisë. Mesfushori i veçantë kuqeblu dhe i Kombëtares shqiptare, feston sot 65- vjetorin e lindjes.
Prej vitesh ka ndërtuar jetën e tij familjarisht në Kanada, por këtë 65- vjetor mesa duket ai ka vendosur ta festojë në Shkodrën e tij, ku gjendet prej disa javësh.
Për 14 vite ai dha kontribut për Vllazninë, duke fituar me të 3 kampionate dhe 3 kupa të Republikës. U largua pa dëshirën e tij nga futbolli në vitin 1987, kur mund të luante edhe disa sezone në nivele të larta. Shkak u bë situata e krijuar pas arratisjes së Bershemit dhe Hoxhës. Me Vllazninë luajti rreth 200 ndeshje, duke shënuar rreth 40 gola. Nga viti 1976 deri në vitin 1984 ka qenë pjesë e ekipeve përfaqësuese të Shqipërisë, duke arritur të luajë 8 ndeshje edhe me Kombëtaren A.
Në këtë përvjetor të rëndësishëm të jetës së tij, ShkodraWeb i uron shendetë, jetë të gjatë e të lumtur me familjen e tij të mrekullueshme. Do të përmendet gjithmonë si një nga emrat e spikatur të mesfushës shkodrane.